Historia, politikat, ekonomia, pasuria dhe ana e errë e Vatikanit

Aty ku ra një perandori, u ngrit një tjetër perandori. Por nëse e para ishte perandori lufte e pushteti ushtarak, e dytë ishte një perandori shpirtërore. Cila është historia e Vatikanit, shtetit brenda shtetit, pushteti i të cilit në sferën ndërkombëtare s’krahasohet aspak me masën e tij territoriale.

Qyteti i Vatikanit – zyrtarisht, Shteti i Qytetit të Vatikanit apo Qytetshteti i Vatikanit (italishtja: Stato della Città del Vaticano, latinishtja: Status Civitatis Vaticanae) është vend enklave sovran që gjendët në veri-perendim të Romës, Itali. Vatikani është selia e Kishës Katolike të ritit romak dhe atij lindor.

Vatikani zë një hapësirë prej 0,44 km2 dhe ka diku 850 banorë. Kryetar i shtetit është Papa, i cili ushtron fuqinë e ligjvënies, zbatimit të ligjit dhe fuqinë gjyqësore. Gjuhë zyrtare është Italishtja. Jashtë Vatikanit gjendet ndërtesa e qendrës arsimore Universiteti i Papatit ndërsa në brendi Akademia e Papatit për Shkencë, Biblioteka dhe ndër të tjera në brendi përfshihet edhe Kisha e Petritit dhe Kopshti i Papatit me Sheshin e Petritit. Nga UNESCO është deklaruar si trashëgimi kulturore botërore. Po ashtu selia e shenjtë si pasuri të lirë ka disa Kisha dhe hapësira brenda Romës si e drejte e territoreve jashtë shtetit. Po ashtu në bazë të kësaj të drejte ka edhe disa ndërtesa dhe pallatin verorë të Papatit në Kështjellën Gandolfo. Vatikani ka stacionin vetjakë të trenave si dhe shtëpinë e transmetimeve radio-televizive, monedhat dhe postën e vetë. Me marrëveshjen Laterale, Italia nga 1929-ta e njehë pavarësinë e plotë të Vatikanit.

Vatikani ka ushtrinë më të vjetrër dhe më të vogël në botë – Gardën Zvicrane. Këtë ushtri e ka themeluar papa Juli i II-tëmë 22 janar 1506., e cila ka qenë e përbërë nga mercenarët zvicran. Garda numron 110 anëtarë, të cilët bëjnë sigurinin e Atit të Shenjtë, ruajnë rezidencën e tij, por shërbejnë edhe në raste solemne si gardë nderi.

Banka e Vatikanit

Po çfarë është Banka e Vatikanit, dhe përse Kisha Katolike dhe 1.2 miliardë të krishterët që e ndjekin, kanë nevojë për institucionin e tyre financiar? E pagëzuar zyrtarisht me emrin Instituti për Punët e Fesë dhe e themeluar në vitin 1942, historia e bankës është e mbushur me skandale, fshehtësi dhe mospajtim me masat standarte perëndimore kundër mashtrimit. Në fakt, ta quash bank këtë institucion do të thotë ta tendosësh pak si shumë këtë term. Ai nuk lëshon çeqe dhe nuk jep hua, ka kritere shumë të rreptë dhe kontrolle të të kaluarës për klientët, dhe disa prej bankomatëve që përdoren vetëm prej klientëve të tij kanë dhe një opsion në gjuhën latine.

Në të vërtetë, instituti vepron më shumë si një institucion i veçantë “offshore” për ruajtjen e fondeve, se sa si një bankë tipike – në fakt, në vitin 2012 zyrtarët ia hoqën emrin “bankë”. Carlo Marroni, i “Il Sole 24 Ore”, një e përditshme financiare italiane ka shkruajtur se banka investon kryesisht ato pothuajse 8 miliardë euro që zotëron, në tregjet e monedhave dhe bonove – si dhe për një sasi të madhe floriri. Kur fitimi i deklaruar i bankës ra me më shumë se 80 milionë euro nga 2012 në 2013, 16.4 milionë e kësaj “humbjeje” u shkaktua prej “luhatjeve në vlerën e rezervave të floririt të Institutit”.

Sistemi politik

Qeveria e Vatikanit ka një strukturë unike. Papa është sovrani i shtetit. Autoriteti legjislativ zbatohet nga Komisioni Peshkopal i Vatikanit, një trup kardinalësh të caktuar nga Papa, për një periudhë pesë-vjeçare. Pushteti ekzekutiv është një duart e presidentit të këtij komisioni, i asistuar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Zëvendëssekretari i Përgjithshëm. Marrëdhëniet e jashtme të shtetit i janë besuar Sekretariatit të Selisë së Shenjtë dhe shërbimit diplomatik. Sidoqoftë, papa ka pushtet të plotë ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor mbi Vatikan. Ai është aktualisht i vetmi monark absolut në Evropë. Gjithashtu, ka departamente specifike që merren me shëndetësinë, sigurinë dhe telekomunikacionin.

Marrëdhëniet diplomatike

Vatikani është një territori i njohur kombëtar sipas ligjit ndërkombëtar, por është Selia e Shenjtë që kryen aktivitetin e marrëdhënieve diplomatike në emër të tij. Vatikani, thuajse nuk ka shërbim diplomatik vetjak. Ambasadat e huaja në Selinë e Shenjtë janë të vendosura në qytetin e Romës. Influenca e madhe në çështjet botërore është në përpjesëtim krejtësisht të zhdrejtë me masën fizike të Vatikanit.

Ekonomia

Ekonomia unike, jo komerciale mbështetet financiarisht nga kontributet e katolikëve në gjithë botën, me shitjen e stampave postare dhe relikeve turistike, tarifave për vizitimin e muzeve dhe shitjen e botimeve. Të ardhurat dhe standardet e jetesës së punonjësve janë të krahasueshme, ose disi më të mira se ato të homologëve të tyre që punojnë në qytetin e Romës. Vatikani ka gjithashtu bankën e tij “Istituto per le Opere di Religione”.

Popullsia dhe gjuhët

Thuajse gjithë banorët e Vatikanit jetojnë brenda mureve të Vatikanit ose shërbejnë në ambasadat e Selisë së Shenjtë nëpër botë. Popullsia e Vatikanit përbëhet nga dy grupe: kleri, pjesa më e madhe e të cilit është në shërbimin e Selisë së Shenjtë dhe disa zyrtarë të shtetit, si dhe rojet zvicerane. Shumica e tre mijë punëtorëve, të cilët përbëjnë forcën punëtore të Vatikanit jetojnë jashtë Vatikanit dhe janë shtetas italianë përgjithësisht. Si rezultat, gjithë banorët e Vatikanit janë katolikë. Vatikani nuk ka asnjë gjuhë zyrtare. Në legjislacion dhe komunikim zyrtar përdoret gjuha italiane. Në Gardën Zviceriane përdoret gjuha gjermane, ndërkohë që faqja zyrtare e internetit të Vatikanit është në italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe spanjisht.
—–

Dy kampet që luftojnë kundër njëri-tjetrit, pastrimi i parave të pista nga banka e Vatikanit
Ana e errët e Vatikanit, një histori dhe orgji pas mureve të shenjta

Nga Josef Nary, BILD

Kisha Katolike numëron 265 Papë në historinë e saj 2000 vjeçare- por jo të gjithë pasardhësit e Pjetrit ishin shenjtorë. 30 vdiqën si martirë, katër në mërgim ose në burg, gjashtë u vranë, njëri madje në krevat nga burri i të dashurës. Përsëri e gjithmonë dëgjojmë për thashetheme dhe skandale, madje edhe për krime.

Vatikan, Vatikrim, Vatileaks: a është zemra e Kishës Katolike në fakt një gropë gjarpërinjsh? A janë në Romë në pushtet forca të errëta, që lajnë duart me çdo Papë, që nuk u përshtatet atyre? Gjithmonë e më qartë zbulohet një betejë e hidhur për pushtet në Kolegjin e Kardinalëve. Ka dy kampe, që punojnë kundër njëri- tjetrit- natyrisht të mbuluar, por të ndarë në aleanca dhe intriga.

Edhe gjatë drejtimit të Papa Benediktit XVI, ato u përpoqën që të shtyjnë përpara interesat e tyre. Menjëherë pas zgjedhjes, Benedikti vendosi në postet kyçe njerëzit e besuar, si për shembull Tarcisio Bertne. Ai mori përsipër si Sekretar i Shtetit politikën dhe diplomacinë.

Beteja mes të besuarve të Papës dhe kundërshtarëve të tij shpërfaqet hapur nga kriza në bankën e Vatikanit, IOR. IOR menaxhon një pasuri gjigande, rreth 10 miliard euro, mes tyre pasuri të patundshme në mbarë botën. Kaq shumë para janë padyshim të rrezikshme edhe për njerëzit e Kishës. Pas thashethemeve të këqija për pastrim parash dhe kontakte me mafien, Papa dërgoi në vitin 2009 ekspertin e ekonomisë, Ettore Gotti Tedeschi për të rregulluar gjërat në IOR. Por mbikëqyrja dhe rregullat e tij për transparencë injorohen shpesh dhe në vitin 2012 ai jep dorëheqjen, pas përplasjeve me Bertonen. Ditën tjetër fluturon nga detyra mazhordomi Paolo Gabriele. Paolo kishte hyrë vjedhurazi në dhomën private duke marrë materiale nga tavolina e Papa Benediktit XVI. Pasi kontrollonte me sy disa herë, futej pa zhurmë brenda, duke bërë punën e tij. Lexonte letrat private, studionte dokumentet sekrete, hapte sirtarët. Dokumentet më të rëndësishme i fotografonte. Pastaj i vendoste sërish të gjitha letrat në vendet e tyre me kujdes dhe largohej nga dhoma.

Paolo Gabriele është dënuar, por punëdhënësit e tij mbeten të panjohur për publikun deri më tani. A i ka treguar ai ato për policinë? A i njeh Benedikti emrat e tyre? Letrat që ai kishte vjedhur flisnin kryesisht për makinacionet e dyshimta të Bankës së Vatikanit. Ajo bankë që dikur ishte implikuar në një komplot të dyshimtë për vrasje. Dhe thashethemet nuk reshtin.

Një plan për të hetuar pastrimin e parave duket se i ka kushtuar edhe jetën Papa Gjon Palit të Parë. Ishte 29 shtator 1978, ora pesë e mëngjesit. Murgesha që kujdesej për Papën, Motër Vincenza, futet në dhomën e gjumit të tij. Ajo ishte e shqetësuar pasi një natë më parë, Papa, që kishte vetëm 33 ditë në detyrë, ishte ankuar për kollë dhe dhimbje. Përpara syve i shfaqet Papa, i shtrirë në krevat, me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë dhe me një dokument në dorë- por ai është i vdekur pas një ataku kardiak. Kështu shkruhet në certifikatën e vdekjes. Por për shkak se familja dhe Vatikani e refuzuan një autopsi, lulëzuan teoritë konspirative.

Anglezi David Yallop shkruante në vitin 1984 se Papa ishte helmuar, pasi kishte rënë në gjurmë të makinacioneve të korruptuara të Bankës së Vatikanit. Si vrasës, ai akuzonte kardinalin francez Jean- Marie Villot. Ai e kishte vrarë Papën, që donte ta shkarkonte, me një helm në pije. Vetë Kardinali do deklaronte më vonë se Papa kishte marrë më shumë mjekim nga sa duhej. Është një nga këto krime që tregon se jo vetëm në Mesjetë, por edhe sot në Vatikan ka skandale, afera dhe lojëra për pushtet, që nuk e lënë të qetë shtetin e vogël. Ndoshta janë pikërisht këto që i kanë shterur fuqinë Papa Benediktit XVI. Fuqi që tani i mungon.

Papa i vrarë në krevatin e dashnores

Është errësirë kur konti kthehet në kështjellën e tij, dy orë me kalë larg nga Roma. Negociatat me Vatikanin kishin përfunduar shpejt dhe konti i devotshëm mezi priste të kthehej tek gruaja e tij e re. Në kështjellë është qetësi, por nga dhoma e gruas dëgjohen rënkime të lehta. I alarmuar, i zoti i shtëpisë hap derën dhe sheh: Bukuroshja e tij nuk është vetëm në krevat. I tërbuar nga zemërimi, me gjithë fuqinë e tij godet në kokë personin që ishte në krevat.

Kur drita e llambadarit bie mbi fytyrën e të goditurit, ai mbetet pa frymë: mëkatari është vetë shenjtëria e tij, Papa Gjoni XII, sundimtar i Romës, përfaqësues i Zotit në Tokë dhe kreu i krishterimit. Shërbëtorët nxitojnë për ta vendosur të dëmtuarin në krevat. Një mjek vjen me shpejtësi. Por Papa nuk jetoi më shumë se një javë. Ndërsa vetëdija nuk iu kthye as gjatë kësaj kohe.
***

Sot është një sensacion kur një Papë paraqet dorëheqjen. 1100 vjet më parë ishte diçka normale- vetëm se shumica e pasardhësve të Pjetrit nuk hiqnin dorë vullnetarisht nga detyra: vetëm në 20 vite mes viteve 896 dhe 916 janë 12 Papë të zhdukur, të mbyllur në manastir ose nën tokë. Por këta mëkatarë nuk janë asgjë me periudhën e Mesjetës. Në shekullin e 10-të në Vatikan ekzistonte një gjendje që historianët e përshkruajnë me terma si “pornokraci” apo “regjimenti i kurvave”.

Në fokus është e bukura dhe e keqja Marozia (892-932). Ajo kishte tre dashnorë dhe një nga ta u bë Papë: Serxhio III. Që në moshën 22- vjeçare ajo kishte kontrollin mbi shtetin kishtar. Edhe nëna e motra e saj ishin dashnore të njerëzve të fuqishëm. “Ajo filloi me kujdes të përdorte Papët e madje t’i vriste,” shkruan një kronist i kohës. Të gjithë kandidatët vinin nga familjet e përçara fisnike të Romës. I preferuari i Marozia-s, Serxhio III, vrau tre Papë. Madje vendosi një rekord të tmerrshëm: në përplasjet për zgjedhjen e Papës, përkrahësit e tij zhvarrosën Papën Formosus, të vdekur përpara 11 muajsh, e vendosën kufomën e tij në një bankë të akuzuarish, e dënuan, e gjymtuan dhe e hodhën në Tiber. Me vendimin për paraardhësin e tij të vdekur, Papa vrasës mund të legjitimonte sundimin e tij.
***

Në këtë kohë Vatikani ishte si një bordello. Kardinalët bënin festa dhe orgji. Por kur Marozia kërkoi që të bëhej perandoreshë, i biri i saj, Alberich, nuk e pranoi. Ai nis një luftë kundër mamasë së tij dhe e flaku atë në burg, ku vdiq në mjerim, pa i mbushur akoma 40 vjet. Pesë Papët e tjerë janë marionetat e Alberich. Duke vdekur, ai vendosi djalin e tij 16- vjeç në fron si Papa Gjoni XII: ai bëhet më i keqi i të gjithëve, një simbol i Papës së padenjë. Historianët e quajnë atë një nga personazhet më të mjerueshëm dhe më të neveritshëm që ka luajtur rol ndonjëherë në Kishë. Papa ftonte miqtë e tij në orgji masive në Vatikan dhe paguante qindra prostituta me thesaret e Kishës. Peshkopi Liutprang i Kremonës ka shprehur keqardhje për vrasjet, gjymtimet, tradhtitë, incestin, simoninë, bixhozin, dëshmitë e rreme dhe blasfemitë në këtë kohë. Uria për pushtet e Marozia bëri që më vonë të thuhej se dikur kishte qenë një Papë femër, “Xhoana”.

Borgiat- orgji, helmime dhe inceste pas mureve të shenjta

Vatikani është në gjumë të thellë, por në banesën e Papës shkëlqejnë dritat e shandanëve të çmuar. Salla e mbingarkuar me vepra arti gjëmon nga të qeshurat dhe gromësimat e të dehurve: kreu i krishterimit ka miq.
Miqtë e shquar janë priftërinj, peshkopë e kardinalë. Zonjat në fakt nuk janë dhe aq të nderuara. Ato vijnë nga bordellot e Romës. 25 prostitutat më të bukura janë rezervuar për Papën. Ata çiftëzohen në sy të të gjithëve duke ndërruar vazhdimisht partnerët deri në orët e para të mëngjesit.

Në kohët më të errëta të Kishës, Vatikani nuk është vetëm një shpellë kusarësh, por edhe një çerdhe e paudhësisë: Papa Aleksandri VI (1431- 1503) e ktheu vendin e shenjtë të krishterimit në vendin më imoral në botë. “50 prostituta të pashme, jo të zakonshme, por nga ato që thirreshin kurtizane, ishin aty,” theksonte Johannes Burckard, peshkopi i Ostias, pretonotar i Selisë së Shenjtë dhe Mjeshtër i Ceremonive në kurinë romake. “Pasi hanin darkë, fillimisht ato kërcenin me rroba në trup dhe më pas zhvisheshin. Më vonë shpërndaheshin lajthi dhe kurtizanet e zhveshura zvarriteshin nëpër dysheme dhe i mblidhnin ato me buzë”.

Papa është mësuesi i tyre më me përvojë: ai është fisniku spanjoll Rodrigo Borgia, i derës së famshme. Bashkëkohësit e përshkruajnë si një burrë të pashëm dhe një pushtues të papërmbajtshëm. Ishte i madh, i fuqishëm dhe me sytë e përgjumshëm.

Që në moshën 25- vjeçare, Rodrigo u bë kardinal dhe u zhyt në jetën e egër. Përmes pasurisë gjigande që kishte prej tokave, ai u bë i famshëm për qejfin e shfrenuar.

Kur ishte 61 vjeç, Rodrigo Borgia kishte grumbulluar mjaftueshëm pasuri sa për të blerë kolegjin e kardinalëve dhe për t’u zgjedhur Papë. Rivalët i heq nga rruga duke i helmuar. Në këtë mënyrë bien edhe bastionet e fundit të devotshmërisë dhe moralit.

Menjëherë sapo zgjidhet Papë, nis një tregti të fuqishme me objektet dhe parimet fetare. Me shumë dëshirë ai nis që të shkëmbejë mëkatet përkundrejt pagesës: kështu, një fisniku italian ai i shet për 24 mijë copa ari të drejtën kishnore për të bërë seks me të motrën.

E dashura e tij, Giulia Farnese është 16 vjeç, por është e martuar, kur fle për herë të parë me të. Si falënderim, ai ia bën të vëllain kardinal. Në atë kohë romanët e quanin bukuroshen “gruaja e Krishtit”, kurse vëllain e saj “kardinali i p…”. Ai ngjizi një numër fëmijësh me gratë e panumërta me të cilat shkonte.

Tre prej fëmijëve të tij kanë hyrë në histori: Cesare, Giovanni dhe famëkeqja Lucrezia Borgia (1480-1519). Djemtë përdorin pushtetin e babait për të gjetur bukuroshe. Vajza ia jep veten atij. Më vonë Lucrezia Borgia shkon në krevat edhe më vëllain e saj, Cesare.

Historiani Ferdinand Gregorovius e quan atë femrën më fatkeqe në historinë moderne. Vajza e Papës rritet e bukur mes murgeshave. “Ajo është mesatare për gjatësi, por ka forma të këndshme”, shkruan një bashkëkohës. “Ka hundë të prerë bukur, flokët e artë, gojën e madhe, dhëmbët e bardhë dhe të shndritshëm, qafën e hollë dhe të bukur, gjinjtë e formuar mrekullueshëm”. Babai i saj e marton atë tre herë në mënyrë të kalkuluar me njerëz të fuqishëm. Kur u fejua për herë të parë ishte 11 vjeç. Burri i saj vdes nga helmimi, për të cilin janë të famshëm Borgiat. Burrin e dytë e vret vëllai Cesare, që kishte një fëmijë ndërkohë me motrën e tij.

Por Lucrezia nuk është vetëm e bukur, por edhe e zgjuar. Ajo bëhet përfaqësuesja e Papës dhe drejton Selinë e Shenjtë derisa zhvendoset me burrin e tretë, Dukën e Este-s në Ferrara. Fundi i babait të saj të pashenjtë është njësoj si jeta: Pas një feste të tepruar, trupi i tij u fry dhe më pas u bë i zi. Thashethemet thoshin se ai vdiq ngaqë e mori djalli. Kurse shkencëtarët thonë se ai ra viktimë e helmit të tij. Cesare është po kaq përbindësh sa babai. Ai vret vëllain e tij, Giovanni, nga xhelozia pasi ai kishte gjetur një bukuroshe ekzotike nga Spanja për Papën. Lucrezia promovon artistët e shkencëtarët, jep për të varfrit dhe të sëmurët, i jep të shoqit tetë fëmijë, vdes gjatë lindjes së të nëntit dhe më pas nderohet si një e shenjtë, ndërkohë që vendi pikëllohet.
——–

Historia e Vatikanit përmes shekujve, nga teksti i censuruar te templarët
Vatikani, sekrete përvëluese nga dhomat e errëta

Arkivi i fshehtë i Vatikanit ruan një pasuri unike në botë. Në 85 kilometrat e rafteve të tij, në fakt, janë vendosur dorëshkrimet origjinalë që kanë shënuar historinë e Kishës, por jo vetëm, duke filluar nga shekulli VIII: bëhet fjalë për dekrete shkishërimi, proces verbalë (për procese si ai kundër Templarëve), privilegje perandorakë e shumë të tjerë.

Ndodh, ndonjëherë, që të mundësh të rijetosh kohëra të largëta nga dëshmitarë okularë dhe pa artificin e realitetit virtual. Një rast i jashtëzakonshëm, pikërisht në këtë kuptim, shfaqet këto kohë nëpërmjet dokumenteve sensacionalë të ekspozuar për herë të parë për publikun në Muzetë Capitolini të Romës, në Campidoglio: që nga Dictatus Papae i Gregorit VII tek dekreti i dëbimit për Frederikun II, që nga aktet e procesit kundër Templarëve francezë deri tek miratimi i rregullit të San Francesco d’Assisso, që nga Privilegium i Ottonit I deri tek origjinali i Concordato di Worms, nga Unam Sanctam e Bonifacit VIII deri tek akti i shkishërimit të Martin Luterit.

Ekspozita epokale që mban emrin Lux in arcana, përmban 100 dorëshkrime të çmuara me burim Arkivin e Fshehtë të Vatikanit dhe parashtron ngjarjet e mëdha të historisë së Kishës, nga Mesjeta deri në Nëntëqindën. Vetëm disa studiuesve të përzgjedhur, për qëllime kërkimesh shkencorë, u ishte lejuar në të kaluarën të admironin këta tekste. Askush, në fakt, nuk kishte mundur ndonjëherë të konsultonte dokumentet në të ashtuquajturën “periudhë e mbyllu”, pra nga 1939 deri në ditët tona, edhe këta të shfaqur në itinerarin e ekspozitës.

Zgjedhja e vendit të ekspozimit ka një domethënie simbolike të veçantë: Lindja e Muzeve Capitolini në fakt i detyrohet një Pape, Sisto IV i cili në vitin 1471, i dhuroi disa thesare të rëndësishme artistike dhe arkitektonikë qytetit të Romës. Me iniciativë të vetë Sisto IV papët kishin filluar të ruanin në një vend të sigurtë dokumentet e historisë së Kishës, shumë kohë përpara krijimit të Arkivit të Fshehtë, duke u lënë kështu pasardhësve një pasuri shumë të madhe dëshmish të drejtpërdrejta.

Ekspozita është e ndarë në seksione tematikë. Çdo dorëshkrim është i shoqëruar nga materiale multimedialë, të nevojshëm për të inkuadruar kontekstin e gjerë historik. Mund të thellohesh më tej me ndihmën e teknologjive të reja duke shkarkuar, për shembull, një aplikacion në smartphone apo në tablet. Pothuajse të gjithë seksionet kanë dokumente të shumtë të periudhës mesjetare, që po i paraqesim në mënyrë të detajuar dhe në mënyrë kronologjike. Është si të shfletosh, që nga fillimi, faqet e një libri magjik, autorët e të cilit janë aktorët protagonistë të historisë së rrëfehet.

Teksti i censuruar

Analiza e shkrimeve që i përkasin epokës së Mesjetës fillon me një formular letrash papnore të shekullit VIII që shkaktuan skandal në mjediset eklesiastike. Teksti, me emrin Liber diurnus Romanorum Pontificus, sjell një dënim formal të shprehur nga Këshilli i Tretë i Kostandinopojës i vitit 680, kundër papës Onorio I, i konsideruar përgjegjës se kishte favorizuar, ndonëse në mënyrë indirekte, përhapjen e monotelizmit (tezë heretike që pohonte praninë në Krisht të vetëm vullnetit hyjnor). Ai dënim përbënte një pikëmbështetje të rëndësishme për ata që kontestonin parimin e pagabueshmërisë së Papës dhe mbizotërimin e linjës së tij politika ndaj vendimeve të këshillave. Ja përse publikimi i formularit, i transkriptuar në vitin 1646 nga një studiues gjerman pas një serie rrethanash misterioze, u bllokua nga censura eklesiastike. Në 1700 origjinali gjeti vend në Arkivin e Vatikanit dhe vetëm në 1889 u bë i mundur publikimi.

Një prej “xhevahirëve” të ekspozitës i përket shekullit X dhe sjell një epokë dobësie të papëve kundrejt perandorisë: bëhet fjalë për pergamenin shumë të bukur ngjyrë të purpurt e me gërma të arta që përmban tekstin e Privilegium të Ottone I. Me këtë akt Papa, në një moment të parë, mori prej perandorit gjermanik njohjen e parë të pronave të Kishës në gadishullin italian.

“Rrëzimi” i templarëve

Seksioni “Heretikë, kryqëzata dhe kalorës” ka si protagonistë dy dokumente të nxjerrë nga procesi kundër Templarëve të Francës. I pari, një pergamen i vitit 1308 përmban proces verbalin e marrjes në pyetje të pjesëtarëve më të rëndësishëm të Urdhërit, kryer nga të dërguarit e Papës Clemente V. Kalorësit, e arrestuar nga Mbreti Filipi i Pashëm dhe të mbyllur në Kështjellën e Chinon, siguruan në atë rrethanë shfajësimin, në këmbim të rrëfimit të krimeve. Papa donte me çdo kusht nënshtrimin e Templarëve ndaj gjykimit laik dhe procedurave të inkuizicionit francez, por hasi në vullnetin e Filipit që pretendonte ndëshkime ekzemplarë.

Procesi, në fund, u mbështet nga Papa në 1309, por megjithatë ai nuk arriti të shpëtojë të akuzuarit. Shumë dëshmi shprehnin me vendosmëri që Urdhëri nuk kish lidhje me krerët e fajësuar, duke e përkeqësuar paradoksalisht situatën. U profilizua në fakt një tërheqje në masë për nga rrëfimet që templarët francezë kishin bërë përpara gjykatësve të Inkuizicionit dhe të dërguarve të Papës, me rrezikun që të ndeshnin në krimin e rëndë të Relapsit. 54 kalorës, për shkak të tërheqjes së tyre, përfunduan në turrën e druve, të dënuar nga një këshill provincial. Ekzekutimi shtyu pjesëtarë të tjerë të Urdhërit që të rrëfenin spontanisht përpara magjistratëve, duke konfirmuar fajin e tyre mes mijëra dyshimeve. Plot 231 nga këto deklarata në një pergamen të gjatë 60 metra, shfaqen sot përpara publikut në një hapësirë të madhe.

Një prej akteve të lindjes së Universitetit të famshëm të Cambridge është një dekret papnor (Inter singula) i vitit 1318, i ruajtur në mënyrë të përsosur. Giovanni XXII e nxorri me kërkesë të mbretit anglez Eduardi II, që i kërkonte kishës njohjen e të gjithë privilegjeve të dhënë në mënyrë të përkohshme universitetit, në mënyrë të veçantë statusin e Studium generale (domethënë i hapur për studentët e të gjithë botës). Sipas legjendës, Universitetin e Cambridge e themeluan disa studentë në arrati nga Oxfordi pas dënimit të padrejtë me vdekje të disa shokëve të tyre të shkollës, për shkak të një vrasjeje misterioze.

Simptomat e ndarjes së Perëndimit

Fillimi i Ndarjes së Perëndimit, që mundoi shumë Kishën duke filluar që nga shekulli XIV, e pati prologun me dëbimin e Urbani VI nga froni i Pjetrit. I zgjedhur në vijim të një presioni të fortë popullor, që kërkonte zgjedhjen e një pape italian pas një serie të gjatë papësh francezë, ai humbi për disa muaj besimin e kardinalëve për shkak të karakterit të tij shumë zemërak. Për kardinalët, ngjitja e papës së ri ishte favorizuar prej akteve të dhunës dhe kërcënimeve, kështu që duhej zhvlerësuar. Ekspozita romane përmban deklaratën e anulimit të zgjedhjs së Urbano VI. Në vijim kardinalët vendosën që të zgjedhin një tjetër francez, Clemente VII, i cili pas pak kohësh u largua për në Avignone. Urbano VI qëndroi në Romë dhe Kisha përjetoi periudhën e saj më të dhimbshme, e ndarë mes papëve dhe antipapëve.

Për një periudhë të shkurtër kohe, në shekullin XV, krishtërimi perëndimor dhe ai lindor u gjendën sërish të bashkuar. Në korrik të vitit 1493, me iniciativë të perandorit bizantin Giovanni VIII Paleologo, Roma dhe Kostandinopoja u pajtuan, duke firmosur letrën e paktimit Laetentur coeli. Në bazë të marrëveshjes ishte nevoja e Bizantit për t’u rrethuar nga aleatë të fortë kundër rrezikut otoman. Në atë kohë u prodhuan 300 kopje origjinale të këtij akti, me qëllim që të informoheshin shumë shtete të krishterë për ngjarjen e madhe. Sot kanë mbetur vetëm 18 ekzemplarë, një prej të cilëve ruhet në Arkivin e Fshehtë të Vatikanit.

Në shekullin XV, përpara lindjes së Arkivit, dokumentet e lashtë papnorë ruheshin në Bibliotekën e vjetër Apostolike. Kur Sisto IV vendosi që të transferonte disa privilegje të rëndësishëm dhe diploma të historisë në Kishën në Castel Sant’Angelo, ngarkoi bibliotekarin e tij, Bartolomeo Saçhi, i quajtur Platina, që t’i kopjonte. Puna zgjati disa vite dhe përfundoi në vitin 1480, me dorëzimin tek Papa të Liber privilegiorum Romanae Eçlesiae, tre vëllime më më shumë se 1000 faqe, një kryevepër që mund të admirohet në seksionin “Floriri dhe boja” të ekspozitës.

Nga Barbarossa tek Lucrezia Borgia

Mes dokumenteve mesjetarë me një interes të veçantë, kujtojmë një diplomë të Frederico Barbarossa, një vëllim me aktet më të lashtë zyrtarë të Kishës së Tivolit të shekullit XII, regjistrin e hyrjeve dhe daljeve të Dhomës Apostolike të shekullit XIII, dokumentin më të lashtë në letër në gjuhën mongole i vitit 1279, një biografi e vitit 1469 në gjuhën romane mbi Santa Francesca Romana dhe letra e Lucrezia Borgia drejtuar babait, papës Alessandro VI.

Për Papën Borgia janë ekspozuar edhe dekreti Inter Cetera, që vendoste ndarjen e tokave të Botës së Re mes spanjollëve dhe portugezëve, dhe një sistem kompleks për të koduar mesazhet. Meritojnë të përmenden edhe dokumentet modernë dhe bashkëkohorë të përzgjedhur nga organizatorët e ekspozitës: mes më interesantëve janë proces verbalët e gjyqit të Galileos, akti i shkishërimit të Martin Luterit, letra që shpall konvertimin e perandoreshës Helena e Kinës në krishtërim, akti i heqjes dorë nga froni i Kristinës së Suedisë, si dhe një letër zyrtare e “shkruar” mbi një lëvore mështekne nga ana e indianëve të Amerikës, drejtuar Leonit XIII.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme