Hooper: Me qëndrimin mbi taksën, Kosova pothuajse ka krijuar një armik nga SHBA-ja

“Me këtë vendim [qëndrimin mbi taksën], liderët e Kosovës pothuajse e kanë krijuar një armik nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. I kanë sjellë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin më të ulët që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, James Hooper, ish diplomat amerikan.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, Washingtoni është duke bërë trysni mbi Kosovën që të heqë taksën mbi prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës. Por, qeveria e Kosovës nuk po zmbrapset, duke thënë se vendimi është në të mirë të Kosovës dhe taksa mund të hiqet vetëm atëherë kur Serbia ta njohë Kosovën si shtet. Si e shihni këtë qëndrim ‘kryeneç’, nëse mund ta quaj kështu, të qeverisë së Kosovës?

James Hooper: Të them të drejtën, e gjithë kjo më ka befasuar. Unë jam mësuar të bashkëpunoj me liderë të Kosovës, të cilët mendojnë në rrafshin strategjik dhe të cilët kanë ndjesi të shquar për komunitetin ndërkombëtar, të cilët dijnë se cili është hapi i mençur ndërkombëtarisht. Kurse kjo që ka ndodhur, mua më duket si hapi më kontraproduktiv i liderëve të Kosovës, për aq sa mbaj mend.

Me këtë vendim, ata pothuajse e kanë krijuar një armik nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. I kanë sjellë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin më të ulët që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Është e jashtëzakonshme, Kosova ishte në pozitën e fuqizimit ndërkohë që procesi i bisedimeve po vazhdonte me Beogradin dhe tani e kanë hedhur tutje atë pozicion të fuqishëm, kanë krijuar një kundërshtim me Shtetet e Bashkuara, i cili nuk ka pasur fare nevojë të ekzistojë.

Tani kanë krijuar një spektakël publik, në të cilin Pentagoni, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë, janë bashkuar në një mënyrë të cilën unë asnjëherë nuk e kam parë në historinë e diplomacisë amerikane, për t’ua tërhequr vërejtjen kosovarëve se duhet ta pezullojnë taksën.

Thënë sinqerisht, për mua kjo është shenjë e një forme të ngushtë dhe provinciale e të menduarit, dhe kjo është shumë e rrezikshme për Kosovën, shumë e rrezikshme. Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes të futet në kënaqësinë e të menduarit në formë nacionaliste.​

Intervistën e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme