Hoxha: Para pajtimit të rrëfehet e vërteta

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha në takimin konsultativ të ftuar nga presidenti Thaçi, për themelimin e Komisionit për të vërtetën dhe për pajtim tha se nëse synohet të arrihet njëmend pajtimi, fillimisht duhet të rrëfehet e vërteta.

Ajo i dha për përkrahje të plotë iniciativës së Presidentit.

“Iniciativa e ndërmarrë nga Presidenti i Shtetit për të themeluar komisionin për pajtimin dhe të vërtetën e shoh si vitale për zbatimin e obligimeve kushtetuese. Duke zbardhur të vërtetën dhe pajtimin për atë që ka ndodhur ne nderojmë viktimat dhe ruajmë përjetësinë e tyre. Por, po ashtu, nga ky pajtim ne ndërtojmë të tashmen dhe të ardhmen”, theksoi ministrja Hoxha.

Parimet e drejtësisë nuk bazohen mbi standarde etnike, por ato derivojnë nga premisat normative, në epiqendër të të cilave qëndron njeriu si qenie, potencoi Hoxha, prandaj dënimi i çdokujt që e ka cenuar këtë parim universal duhet jetë qëllim fondamental i mekanizmave juridikë në një rend juridik.

“Fati i të pagjeturve mbetet ende një barrë e rëndë për shoqërinë tonë, theksoi Ministrja Hoxha, po ashtu edhe kompensimi i viktimave vazhdon të mbetet ende një problem madhor, me gjithë masat që kemi ndërmarrë për tejkalimin e këtij problemi. Ndërkaq, ndëshkimi ligjor i fajtorëve për krimet e ushtruara mbi popullatën civile mbetet ende dëshpërues, duke marrë parasysh faktin se edhe 17 vjet pas lufte, deri më tani janë dënuar shumë pak persona për këtë tragjedi, të dhëna këto që tregojnë për një dobësi serioze sa i përket zbatimit të drejtësisë për atë që ka ndodhur”, tha ministrja. /Telegrafi/