Hoxha: S’ka tendencë që liberalizimi të lidhet me taksën

Që nga vendosja e taksës për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, në adresë të Ministrisë së Integrimit Evropian nga shtete të ndryshme kanë ardhur shumë kërkesa për tërheqjen e saj.

Pavarësisht kërkesave të shteteve mike të Kosovës, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, pohon se nuk ka tendencë nga Bashkimi Evropian që fati i liberalizimit të vizave të lidhet me taksën.

Hoxha thotë se në vend po lidhen disa procese të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me proceset politike.

“Në Kosovë është gjithmonë një tendencë që të lidhen disa procese që nuk kanë të bëjnë aspak me procese politike me gjëra apo me situatat në përgjithësi. Nuk është se kemi informatë se ka tendenca që të lidhet liberalizimi me taksën. Mirëpo më duhet të sqarojë se që nga vënia e taksës kemi pasur kërkesa të vazhdueshme të vendeve anëtare që ta suspendojmë taksën. tani po e vërejmë edhe presionin edhe nga shumë vende mike partnere nga BE, por ShBA-ja pra ky presion ndaj Kosovës. Patjetër që ne i kemi arsyet tona pse e vënë taksën, pra arsyet janë, aty e ditë të gjithë”, u shpreh Hoxha për Ekonomia Online.

Hoxha shton se Kosova duhet të jetë e përkushtuar që të ruhet partneriteti me vendet mike, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne gjithashtu jemi të përkushtuar që të ruajmë partneritetin që kemi ruajtur me vite sidomos me ShBA-në, pra duhet të dalim nga kjo situatë sepse nuk është një kërkesë që ne po dëshirojmë ta suspendojmë taksën për shkak të Serbisë, por nëse miqtë tanë gjegjësit ShBA kanë qëndruar afër nesh dhe vazhdojmë të qëndrojnë afër nesh edhe ne duhet të shikojmë se si ta ruajmë këtë partneritet dhe këtë miqësi sepse sidomos në këtë fazë ku jemi është shumë e rëndësishme jo vetëm me ShBA-në, por edhe me BE-në të ruhet”, shtoi Hoxha.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Hoxha thotë se nuk jep datë, pasi sipas saj, kjo nuk po varet nga institucionet e vendit.

Sipas ministres së Integrimit, vendimi i takon nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Asnjëherë nuk kam thënë se jemi apo në qershor do liberalizohen vizat. Jemi në hapin e fundit dhe ky hap i fundit varet i tëri nga shtetet anëtare të BE-së dhe unë e shoh reale që nuk mund të presim më asgjë para përfundimit të zgjedhjeve të BE-së që janë në fund të majit, pra të parlamentit evropian dhe asnjë shtet anëtar nuk dëshiron as të mendoj për çështje sepse veç se kanë filluar fushatat edhe të europarlamentarëve dhe nuk duan të bëjnë asgjë që do të rrezikonte që forcat ekstreme te djathta të rriteshin në % në këto zgjedhje. Kemi një rast dhe po kërkojmë që është çështja e Kosovës të futet në agjendë në qershor, tani e gjitha varet nga vendet anëtare të BE-së”, tha Hoxha për Ekonomia Online.

E para e integrimit kosovar në Bashkimin Evropian, shpreh zhgënjimin për këtë vonesë që iu është bërë qytetarëve të Kosovës, karshi lëvizjes së lirë. Ajo shton se çdo gjë po shndërrohet në proces të politizuar.

“Kemi pritur edhe së paku duke u bazuar nga deklaratat e zyrtarëve më të lartë të BE-së, ne kemi pritur një qasje më proaktive dhe mund të themi se gjithashtu tërë kohën se është një proces teknik me përmbushjen e kritereve do të merrni liberalizimin, por ja që nuk ndodhi po e vërejmë që në rastin e Kosovës çdo gjë po shndërrohet në proces të tej politizuar. Për këtë jam e zhgënjyer dhe patjetër që jam e zhgënjyer kur shoh qytetarët duke pritur me muaj të tërë për një termin të vetëm të vizave i cili në fund nuk do të thotë që do të rezultojë pozitiv”, bëri të ditur Hoxha.

Fondet e paraanëtarësimit IPA, sipas Hoxhës, janë rritur nga viti në vit.

Ajo thotë se jo vetëm që nuk kemi humbur fonde nga BE-ja, por Kosova do të vazhdojë të jetë përfituese e tyre.

“Fondet e IPA veç janë rritur nga viti në vit, mund të fillojmë prej vitit 2016 kur kanë qenë 73 milionë, në vitin 2017 janë bërë 83 milionë, në vitin 2019 janë 90.5 milionë, ndërsa viti 2019-20 do të jenë 100 milionë-200 milionë për 2 vite. Jo vetëm që nuk kemi humbur fonde tani jemi në procesin e programit të IPA3 dhe presim që Republika e Kosovës gjithashtu të jetë dhe të vazhdoj të jetë përfituese e fondeve të Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Hoxha pohon se janë në proces të fillimit të zbatimit të projekteve të deponisë, i cili do të përmirësojë dukshëm ambientin në vend.

“Tani jemi në proces të fillimit të zbatimit të projekteve të deponisë, mbetjeve të rrezikshme apo menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme i cili është një deponi që do ndërtohet në Fushë Kosovë dhe që do përmirësoj dukshëm një sfidë që ne veç e shohim se e kemi të përditshme pra ndotjen e ambientit dhe të ajrit, pastaj një projekt tjetër që gjithashtu do ndikoj pozitivisht është edhe nëpërmjet fondeve IPA që do të financohet është edhe ndërrimi i filtrave në Kosovën B që do ndihmoj dukshëm në përmirësimin e kualitetit të ajrit”, tha Hoxha.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit del të jetë e zbatuar nga Kosova sipas pritshmërive. Hoxha thotë se duhet zbatim edhe më i shpejtë i saj.

“Për vitin 2019 caku do të jetë 70% pra edhe pse i kemi vë një cak vetës prej 60% ne edhe këtë vit për 2018 raporti ka dal dhe kemi tejkaluar pritjet tona, ka një përmbushje jo prej 60% por ka tejkalim të kësaj dhe është 68.23%, në vitin 2017 gjithashtu e kemi tejkaluar edhe pse për një % më të vogël se në vitin 2018 pra caku ka qenë 60% dhe është përmbushur 62.73% por neve na nevojitet një zbatim edhe më i shpejtë”, tha ajo.

Hoxha ka bërë të ditur se barrën më të madhe për MSA-në e ka sektori i sundimit të ligjit, sektori i arsimit dhe reforma të tjera. Ajo shpreson se në vitin 2019 të ketë një koordinim edhe më të mirë ndërmjet institucioneve për zbatimin e MSA-së.

Lini Një Koment