Hoxhaj: Jam i mllefosur me zhvillimet për murin

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka folur për raportet e Kosovës me BE-në, SHBA-të, dhe vende të tjera në rajon si Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia.

Përballë analistëve, ai ka thënë se lindja e Kosovës dhe pavarësisë së saj është rezultat i ngritjes së Amerikës dhe Perëndimit në këto 25 vitet e fundit. Kushdo që mendon se vlerat liberale po rrezikohen, Hoxhaj ka thënë se nuk e njeh mirë politikën e jashtme dhe kontekstin ndërkombëtar por Kosova e ka të qartë rrugën dhe interesat e saj që i ndjek cdo ditë në realizimin e saj.

Duke folur për zhvillimet e fundit në Mitrovicë, Hoxhaj ka thënë se muri në Mitrovicë është i papranueshëm dhe se ai si ministër i Jashtëm dhe anëtar i PDK-së është i mllefosur. “Jam i mllefosur për atë zhvillim negativ dhe të dëmshëm për Kosovën.

Unë nuk e mbështesë asnjë qasje që flitet se duhet të ketë një murë 80 cm apo 30. Nuk duhet të ketë fare” ka thënë Hoxhaj. Për zgjedhjet në Maqedoni, Hoxhaj ka deklaruar se qeveria e Kosovës e mbështet një platformë të përbashkët shqiptare që adreson interesat jetike për shqiptarët.