Hoxhaj: Kadri Veseli edhe një mandat do të jetë në krye të PDK-së

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, është shprehur i bindur se Kadri Veseli do të rizgjedhet edhe për një mandat në krye të kësaj partie

Ai ka shuar të gjitha zërat se Veseli do të ketë një kundër kandidatë për të parin e partisë.

Ndonëse tha se “gara është e hapur dhe se çdokush mund të konkurrojë”, Hoxhaj ka shtuar se nuk është i njoftuar për dikë tjetër që ka ambicie të udhëheq Partinë Demokratike.

“Unë mendoj që PDK do ta mbështet zotërinë Veseli, zotëri Veseli ka interes me vazhdu për punë. Ajo çka ne kem pas një kulturë politike në PDK ka qenë çdoherë mirëkuptimi dhe unë nuk di që dikush tjetër  ka ambicie për të garuar për pozitën e kryetarit të partisë, por gara është e hapur çdokush mund të konkurrojë”, tha Hoxhaj për EkonomiaOnline.

Ai më tutje ka bërë të ditur se konventa për zgjedhje të kryetarit të PDK-së do të mbahet në fund të viti 2018.Paraprakisht këtyre zgjedhjeve do të iu paraprinë zgjedhjet për kryesinë e të rinjve të PDK-së dhe ato për kryetarë të degëve.

Nënkryetari i parë ka theksuar interesimin e të rinjve e veçanërisht të vajzave për të iu bashkuar Partisë Demokratike.“Ka një interesim të madh prej gjeneratës të re që të bëhen pjesë e PDK. Është shumë mirë që në shumë në degë të rinisë, një pjesëmarrje masive ka të vajzave të reja të cilat kanë marrë pozita udhëheqëse”, tha ai.

PDK për herë të fundit ka mbajtur zgjedhjet e brendshme  në maj të vitit 2016. Në këto zgjedhje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ishte zgjedhur në krye të Partisë Demokratike.

Veseli ka pasuar kryetarin e mëparshëm të kësaj partie dhe themeluesin e saj, Hashim Thaçin, i cili paraprakisht ka hequr dorë nga funksionet partiake, pasi që nga Kuvendi i Kosovës ishte zgjedhur President i vendit.

Lini Një Koment