Hoxhaj kundër Jeremiq për sekretar të OKB-së

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se ish ministri i jashtëm i Serbisë nuk është njeriu i duhur për ta drejtuar OKB-në në kohën kur mbështetja e kandidaturës së tij për këtë post është rritur në Nju Jork.

Në një deklaratë për KALLXO.com, pak ditë pasi Jeremiq doli i dyti me mbështetje në rrathët fillestarë të votimeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për sekretar të përgjithshëm të kësaj organiate, ministri Hoxhaj tha se historia e bën diplomatin serb të papërshtatshëm për postin që po e synon.

“Si ministër i jashtëm i Serbisë ka lobuar proaktivisht kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës, ka kundërshtuar politikën amerikane dhe evropiane në Kosovë, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen humanitare të NATO-së, si dhe ka kundërshtuar propozimin e emisar i OKB-së për zgjidhjen e statusit final të Kosovës”, tha Hoxhaj.

“Këto qëndrime destruktive të Jeremiqit e bëjnë atë kandidatin më të pavolitshëm të mundshëm për të çuar përpara doktrinën e përgjegjësisë për të mbrojtur (Responsibility to Protect) të OKB-së dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve që kjo organizatë promovon”, u shpreh ai.

Përveç tjerash, Hoxhaj thotë se Jeremiq vjen nga një vend i cili “ka nxitur dhe udhëhequr shumicën e konflikteve të dhunshme në Ballkan” dhe si i tillë, sipas tij, nuk përfaqëson rajonin dhe karakterin paqedashës që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së duhet të ketë.

“Jeremiq nuk gëzon përkrahje nga bota demokratike, por në përgjithësi vepron me mbështetjen e disa vendeve autoritare dhe luftënxitëse, dhe si i tillë nuk është personi i duhur  për ta përfaqësuar OKB-në dhe udhëhequr diplomacinë multilaterale ndërkombëtare që mbështetet në vlerat e paqes, demokracisë, dhe të drejtave të njeriut”, tha ministri i jashtëm i Kosovës për KALLXO.com.

Në votimin që u mbajt të premten e kaluar, mbështetjen më të madhe për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së e mori ish kryeministri i Portugalisë, Antonio Guterres me 11 prej 15 vendeve anëtare ndërsa jeremiq si i dyti u mbështet nga tetë vende.

Në vendin e tretë doli Susana Malcorra e Argjentinës.

Pas dy raundeve të votimit duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, nuk janë afër një kompromisi për një kandidaturë kështu që procesi i përzgjedhjes së pasuesit të Ban Ki-moon mund të shkojë deri në tetor.

Nga kandidaturat tjera, ish Presidenti i Sllovenisë Danilo Turk ka humbur mbështetjen fillestare duke u radhitur në vendin e katërt ndërsa Irina Bokova e Bullgarisë në vendin e pestë.

Kroatja Vesna Pusic qe tërhequr nga gara një ditë para se të mbahej votimi.

Aktualisht në Kosovë operon misioni civil i OKB-së, UNMIK, i cili e kishte administruar vendin deri në shpalljen e pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme