Hoxhaj viziton familjen Segashi në Munih, vendos lule në vendin e sulmit

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka arritur në mbrëmje në Munih ku e ka vizituar familjen Segashi, e cila ka humbur vajzën 14 vjeçare në ngjarjen e djeshme.

Hoxhaj iu ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe shumë të afërmve tjerë të mbledhur për ti qëndruar afër familjes në këto momente të vështira, bëhet e ditur përmes një komunikate.

“Jam këtu me ju të shpreh ngushëllimet e mija dhe të qytetarëve të Kosovës. Të marrë pak nga dhimbja juaj e madhe që keni sot. Ne si shtet i Kosovës do të jemi pranë jush si çdo shqiptar në këto orë” ka thënë Hoxhaj, transmeton Koha.net.

Më pas ai ka vizituar edhe vendin ku ka ndodhur tragjedia duke vendosur lule pikërisht në njërën nga pjesët ku ka pasur viktima më shumë.

Gjatë qëndrimit në Munih, Hoxhaj është pritur edhe nga ministrja e Shtetit të Republikës së Bajernit, Beate Merk.

Hoxhaj ka ndryshuar agjendën e tij të vizitës zyrtare në Berlin menjëherë pas ngjarjes duke udhëtuar drejt Munihut për të shprehur dhimbjen dhe solidarizimin me familjet kosovare të prekura mbrëmë.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë