Hulumtim: Ja se çfarë ndodhi me komunën e Çairit këto 4 vite, veç një projekt gjysmak u realizua

Me ndarjen e re territoriale qytetin e Shkupit e përbëjnë 10 komuna, në mesin e të cilave është edhe komuna e Çairit. Çairi mbulon një sipërfaqe prej 3.52 km², shtrihet në Maqedoninë veri-perëndimore, apo në pjesën veri-lindore të qytetit të Shkupit. Komuna e Çairit është formuar me 15 prill 1976 me Ligjin për formimin e komunave në kuadër të Qytetit të Shkupit dhe për përcaktimin e zonave të tyre (“Gazeta Zyrtare e RSM” nr.8/76).

Një prej komunave me shumicë shqiptare ku mbretëron një kaos total urban, është komuna e Çairit. Kjo komunë për tre mandate me radhë u udhëhoq nga Izet Mexhiti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Banorët e Çairit me drojë i presin reshjet atmosferike nga të cilat vërshohen lagje të tëra. Rrjeti i kanalizimit është i vjetër, ndërsa ndërtimet e egra dhe kyçjet në këtë rrjet bëjnë që të shpërthejnë ujërat e zeza gjithandej. Nëse Prishtina dikur ishte simbol i degradimit të një qyteti, këtë epitet në Maqedoni e mban komuna e Çairit.

Shumë familje ballafaqohen me vështirësitë e marrjes së lejes së ndërtimit. Në raste të caktuara atyre iu lejohet të ndërtojnë ndërsa komuna “i mbyll sytë” deri në momentin e kohës së zgjedhjeve kur edhe pason kushtëzimi me votë.
Në Çair veprojnë edhe grupe kriminale që janë të lidhura ngushtë me kryetarin e komunës. Në krye të grupit është Bashkim Asani, një figurë e kompromentuar e cila përflitet edhe në përgjimet e publikuara nga Zoran Zaev, por që çuditërisht asnjëherë nuk ka qenë pjesë e hetimeve nga Prokuroria Speciale. Këto grupe kanë sulmuar edhe kryetarin e komunës. Çështja ka përfunduar në polici.

Një prej “arritjeve” më të mëdha që në vazhdimësi e ka potencuar Bashkimi Demokratik për Integrim në këtë komunë, ka qenë vendosja e përmendores së Skenderbeut, e cila është financuar nga qytetarët, e jo nga buxheti shtetëror. Ky projekt konsiderohet se i hapi rrugë projektit “Shkupi 2014” dhe shtyri Nikolla Gruevskin, ish kryeministër i Maqedonisë, që ta mbulojë Shkupin me përmendore.

Faqja e komunës së Çairit prej moti është vënë në funksion të reklamimit të dekoratave dhe mirënjohjeve që i ndahen kryetarit, si dhe për urimet e përshëndetjet për festa të ndryshme zyrtare. Nuk ka informata për asnjë projekt serioz, e as që bëhet fjalë për investime kapitale. Më e shumta që mund të gjesh janë njoftime për diskutime dhe projekte sekondare, si mbledhja e mbeturinave.

Buxheti vjetor i komunës së Çairit për vitin 2016 ka qenë 1.363.866.359 denarë (Të hyrat tatimore 379.528.384 denarë, të hyrat jo tatimore 48.696.070 denarë, të hyrat kapitale 347.518.611 denarë, të hyrat nga shtesat 347.515.000 denarë, transferime 215.500.000 denarë dhe të hyrat nga donacionet 25.108.294 denarë. Gjithsejt të dala janë regjistruar 1.359,170,975 denarë ndërsa si rezerva janë shënuar 3.000.000 denarë.

Linku: file:///C:/Users/Hp/Downloads/_buxheti2016_765261280.pdf

Sa i përket hulumtimeve dhe matjeve të punës së komunave nga organizata të ndryshme, buxheti i tërësishëm për komunën e Çairit për periudhën 2013 – 2017 ka qenë 77.386.303 euro, ndërsa është realizuar 44..918.315 euro. Për investime kapitale, në periudhën 2013 – 2016 janë planifikuar 30.238.891 euro, ndërsa janë realizuar 10.982.497 euro. Për tre vite, llogaritet se janë shpenzuar 169 euro për kokë banori për projekte kapitale.

Prioritetet e Izet Mexhitit ishin: gazifikimi i Komunës, përfundimi i sheshit “Skënderbeu”, infrastruktura nëntokësore për lagjen Serovë, kampusi universitar për universitetin e Tetovës, si dhe zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov”. Në asnjërin prej projekteve, nuk ishin të përfshira afatet e kohëzgjatjes së projekteve si dhe nuk ka pasur planifikime lidhur me koston e realizimit të këtyre projekteve.

Komuna e Çairit nuk ka qenë transparente dhe nuk është përgjigjur lidhur me procesin e realizimit të këtyre projekteve. Si të realizuara rezultojnë vetëm dy premtime, ndërtimi i sheshit “Skënderbeu” dhe zgjerimi i rrugës Cvetan Dimov. Megjithatë, sheshi Skenderbeu është lëshuar në përdorim ende pa u përfunduar në tërësi pasi që nuk janë të ndërtuara parkingjet dhe nuk kanë përfunduar punimet për të mbuluar rrugën që e lidh lagjen Çair me qendrën e Shkupit. Projekti duhej të përfundonte në vitin 2013, ndërsa u lëshua në shfrytëzim pa përfunduar tërësisht në muajin gusht të vitit 2017. Sa i përket zgjerimit të rrugës “Cvetan Dimov”, për këtë projekt janë shpenzuar 18 milionë denarë ndërsa është realizuar në bashkëpunim me Komunën “Qendër” të Shkupit.

Për projektet e tjera nuk ekzistojnë asnjë e dhënë konkrete në faqen e komunës. Për kampusin Universitar vetëm shihet përfshirja e tij në planin urbanistik dhe asgjë më shumë, ndërsa për investimin infrastrukturor në lagjen Serovë nuk ekziston asnjë e dhënë zyrtare.

Po ashtu, BDI kishte premtuar edhe ndërtimin e garazheve me kate, parqeve dhe bibliotekës. Të gjitha këto ekzistojnë vetëm në planin urbanistik, por nuk duken gjëkundi!

Kryetari Mexhiti kishte premtuar edhe ndërtimin e tregut të ri në Bit Pazar, bashkërisht me pazarin e Shkupit. Ky projekt që u prezantua në vitin 2013 kapte vlerën prej 10 milionë eurosh. Gjendja e Bit Pazarit vazhdon të mbetet e mjerë dhe e pandryshuar. Po ashtu, nuk ka asnjë gjurmë të realizimit të projekteve të premtuara të Mexhitit, siç është ndërtimi i një mbikalimi në qendrën tregtare “Mavrovka”, ndërtimi i kopshtit Bambi dhe bibliotekës në Çair./SAKTE.NET

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme