Hyseni: Po rritet numri i përdoruesve të drogës

Ministri Hyseni diskutoi me anëtarët e forumeve lokale të sigurisë në rajonin e Pejës për rëndësinë e parandalimit të trafikimit me qenie njerëzore, përdorimit të drogave, si  dhe radikalizmin e ekstremizmit të dhunshëm.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se Hyseni foli për fenomenin e trafikimit me qenie njerëzore, i cili është trajtuar edhe kësaj radhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ka lënë Kosovën në nivelin e njëjtë sikurse në vitin 2015.

“Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, në fushën e trafikimit me qenie njerëzore konfirmon nivelin e njëjtë për Kosovën,në të cilin ka qëndruar edhe vitin që shkoi. Për kundër faktit që Policia e Kosovës dhe MPB-ja janë vlerësuar lartë për masat që kanë marrë, mund të konstatojë se gjykatat dhe prokuroria nuk e kanë kryer punën si duhet”, tha ministri Hyseni.

Sa i përket fenomenit të përdorimit të narkotikëve dhe drogës, ministri Hyseni theksoi se është tejet shqetësuese fakti se numri i përdoruesve është duke u rritur, kryesisht prek të të rinjtë të moshave 16-17 vjeç, por ka pasur raste ku janë identifikuar edhe të moshës 12 vjeçare.

Ministri Hyseni foli edhe për radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm që shpi në terrorizëm.

Ai përmendi faktin se në bazë të dhënave të Policisë së Kosovës,që 11 muaj nuk kemi të regjistruar raste të shkuarjes së qytetarëve tanë në vatra të krizave dhe kjo sipas tij, ka ardhur si rezultati punës që ka bërë MPB-ja, Policia e Kosovës, por në veçanti punës që kanë bërë këshillat për siguri në nivel të Kosovës.

“Qëllimi i këtyre tryezave që po i bëjmë në këto rajone këto ditë është që të ngrisim ndërgjegjen e të gjitha shtresave sociale, bashkësive fetare, shkollave, e  familjeve tona për rëndësinë e parandalimit të këtyre fenomeneve para se ato të bëhen problem edhe më i madh. Kërkojmë nga ju si këshilla për siguri që të bëni fushata aktive vetëdijësuese në mënyrë që të parandalojmë këto dukuri shqetësuese për shoqërinë në përgjithësi ”, theksoi Hyseni.

Situata e përgjithshme e sigurinë në rajonin e Pejës u vlerësua e mirë dhe nuk janë shënuar incidente të rënda për këtë periudhë të raportimit të këtij viti.