Ia marrin shtetit 20 mijë euro prej shtëpisë, KQZ e gatshme për zgjedhje në veri

Katër komuna të veriut mbetën pa kryetarë që nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar.

Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviqi e Mitrovica e Veriut janë pa qeverisje tash e më shumë se katër muaj shkruan lajmi.net.

Situata e mbetur pezull me dorëheqjet e tyre nuk është se nuk u konvenoi kryetarëve serbë.

Ani pse nuk dolën në punë asnjë ditë për katër muaj, në xhirollogaritë e tyre u doli rroga njësoj si ata të kryenin funksionin e tyre normalisht si kryetar.

Për katër muaj ata morën pagë bazë hiç më pak se nga 1 mijë e 287 euro.

Kjo u konfirmua për lajmi.net edhe nga zëdhënësi i ministrisë së Financave, Muharrem Shahini.

“Ju njoftoj se të gjithë Kryetarët e Komunave janë në listën e pagave dhe marrin pagat në mënyrë të rregullt, duke përfshirë këtu edhe kryetarët e  komunave në veri”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Financave për lajmi.net.

Ajo që bie në sy është se megjithëse paga bazë e katër kryetarëve serbë të komunave është e njëjtë, ndryshon shuma neto që ata e marrin çdo muaj.

Tabela e pagave të katër kryetarëve serbë për muajin mars e siguruar nga ministria e Financave për lajmi.net.

E institucionet po tregohen të ngathëta për zgjidhjen e kësaj situate.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Beqir Fejzullahu kishte thënë për lajmi.net se dorëheqja e katër kryetarëve ishte refuzuar për shkak se të njëjtit, shtetit të Kosovës i ishin referuar si “Kosovë e Metohi”.

Më vonë, nga zyra për informim e kësaj ministrie kishin thënë për lajmi.net se kjo çështje ka kaluar në kompetencë të Qeverisë së Kosovës.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës se si do të veprohet me këtë çështje, mirëpo një të tillë nuk e ka marrë.

Roli i KQZ-së pas emërimit të anëtarëve.

Bllokada e KQZ-së, nga shumëkush ishte parë si arsye për bllokim të gjendjes së krijuar me kryetarët e veriut.

Megjithatë, pak ditë më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekretoi anëtarët e rinj, duke i dhënë kështu fund periudhës së bllokimit të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Nga vetë KQZ-ja, shprehen se janë të gatshëm të operojnë në veri, nëse eventualisht shpallen zgjedhjet.

Në pyetjen e lajmi.net nëse KQZ-ja është e gatshme të veprojë edhe në veri, në rast se shpallen zgjedhjet në katër komuna, ata thonë i kanë përmbushur detyrat e veta sa herë që u është kërkuar.

“ …ne nuk kemi diçka zyrtare lidhur me këtë temë.  KQZ-ja është institucion i pavarur kushtetues dhe gjithmonë ka përmbushur detyrat e veta kushtetuese e ligjore, kurdo që i është kërkuar një gjë e tillë”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së për lajmi.net.

E në një situatë të tillë aktuale, katër kryetarët serbë të komunave në bazë të një përllogaritjeje të thjeshtë, për katër muaj i kanë kushtuar buxhetit të shtetit mbi 20 mijë euro pa dalë asnjë ditë në punë.

Kujtojmë, se arsye e dorëheqjes së katër kryetarëve serbë, kishte qenë vendosja e taksës ndaj mallrave që vijnë nga Bosnja e Serbia.

Të njëjtit në mënyrë demonstrative kishin lëshuar postet e tyre, duke u bërë thirrje serbëve që t’ i bojkotojnë të gjitha institucionet shtetërore. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme