Ibrahimi: Arsimi shqip nuk është peshore në dorë të Ahmetit e Gruevskit

Nënkyetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi ka reaguar lidhur me ndarjen e buxhetit për universitetin “Nënë Tereza” me rishikimin buxhetor.

Teksti i plotë i Zeqirija Ibrahimit
Kush e poshtëron “Nënën Terezë”?
Ndonjëherë ta nxjerrin fjalën me zor.
Në një panel të organizuar para do kohe në Shkup nga një organizatë shqiptaro-zvicerane, ku i kishin mobilizuar edhe disa çuna e çupa me pyetje te gatshme nga Partia për të dëshmuar se sa “heroike” është BDI-ja, e mora vesh se atyre të Partisë u kishte mbetur hatri shumë që unë vitin e kaluar në këtë kohë pata deklaruar se universiteti i ri i Shkupit është mbulesë e krimit të BDI-së. Dhe, si analfabetë që janë plot prej tyre, atë deklarim timin e kishin lexuar se jam kundër universitetit.
Nejse, për analfabetët është e falshme që nuk dinë të lexojnë saktë, por tash dua t’i pyes se çfarë do të thonë sot, kur qeveria e VMRO-BDI-së ma argumenton deklarimin? Siç dihet tashmë zyrtarisht, me rebalancin e buxhetit për Universitetin “Nëna Terezë” në Shkup janë ndarë 160.000 euro. Që janë pak më pak se vlera e një shtëpie të një funksionari të BDI-së në Çair.
E tash kur ky universitet nuk do të ketë objekt,
E tash kur ky universitet nuk do të ketë mjete pune,
E tash kur ky universitet nuk do të ketë libra,
E tash kur ky universitet nuk do të mund të funksionojë, ndërsa shtatori është pas një muaji,
Ata që duan të bëjnë marketing me këtë universitet do të duhet të përgjigjen:
Kush qenka kundër universitetit në Shkup: unë që dua universitet në plotkuptimin e fjalës apo ata që duan universitet shkel e shko dhe vetëm për pikë politike?
A janë kundër universitetit në Shkup ata që i ndajnë para marramendëse universitetit “Shën Cirili e Metodi” e atij “Damjan Gruev” apo jam unë që pyes pse partia shqiptare dhe deputetët e saj votojnë kundër ndërtimit të universitetit në Shkup?
A janë kundër universitetit shqip ata shqiptarë të BDI-së që e udhëheqin Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe i shërbejnë arsimit dhe shkencës në gjuhën maqedonase apo jam unë që kërkoj arsim cilësor të lartë për shqiptarët në Maqedoni?
Të merremi vesh dhe le ta marrin vesh edhe ata çunat e çupat që i dërgojnë nëpër debate me pyetje të gatshme:
Universitetin e Shkupit po e shkatërrojnë dhe poshtërojnë ata që gjoja themelojnë universitete që, përmes tyre, të punësojnë kuadro partiake dhe, mundësisht, të përfitojnë politikisht.
E, nëse doni ta keni të qartë, unë:
– jam KUNDËR universitetit që themelohet për ta balancuar themelimin e universitetit “Damjan Gruev”, sepse ne nuk jemi peshore në dorë të Ali Ahmetit e Nikolla Gruevskit.
– jam KUNDËR universitetit të cilin BDI-ja e poshtëron duke ia ndarë 160.000 euro.
Por, unë:
– jam PËR universitet shqip (pra, jo për universitet tregjuhësh) në Shkup, që themelohet në bazë të ligjit që e lejon arsimin e lartë shqip dhe
– jam PËR universitet shqip njësoj si universitetet në gjuhën maqedonase (me objekt, me tekste, me pajisje, me kuadër profesional).
E ju gjykoni pastaj se kush është PËR dhe kush është KUNDËR Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë