Imami dhe ndihmësi i tij vriten në SHBA

BBC-ja lajmëron për goditjen me armë zjarri të dy muslimanëve në Queens të Nju Jorkut. Imami Maulama Akonjee, 55 vjeç, i zhvendosur nga Bangladeshi dy vite më parë, dhe ndihmësi i tij, Thara Uddin, 64 vjeç, u qëlluan pak pasi dolën nga xhamia mesditën e së shtunës.

Personi që i ka qëlluar mësohet t’u jetë afruar nga prapa e t’i ketë goditur në kokë. Njëri nga viktimat e sulmit ka humbur jetën, kurse tjetri raportohet të jetë plagosur rëndë.

Një zëdhënëse e Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, Tiffany Phillips, e konfirmoi se dy njerëz ishin qëlluar në një rrugë në Ozone Park, në Queens.

Njeriu që mbante një armë në duar është parë të largohet nga vendi i ngjarjes, por askush nuk është arrestuar.

Xhamia nga e cila dolën viktimat, Al-Furqan Jame Mosque, i shërben komunitetit të madh bangladeshas në atë zonë.

Dhjetëra persona, përgjithësisht nga ajo bashkësi muslimane, do të mblidheshin në vendin e ngjarjes duke thirrur “Duam drejtësi”.

Edhe pse policia deklaroi se po i heton motivet e ngjarjes, shumë prej të pranishmëve do ta cilësonin atë si krim për shkak të urrejtjes.

Imami u përshkrua nga të afërmit e tij si një njeri që nuk i bënte dëm as mizës. “Do ta shihnit atë të ecte rrugës e do të pikasnit paqen që ai sillte,” tha nipi i tij për të.

“Ne ndjehemi vërtet të pasigurt në një moment si ky,” do të thoshte për mediat një nga personat që shkon dendur në atë xhami, Milat Uddin. “Eshtë vërtet kërcënuese për ne, kërcënuese për të ardhmen tonë, kërcënuese për lëvizshmërinë në lagjen tonë, dhe ne po kërkojmë drejtësi.” /tesheshi.com