Instituti i Tony Blair rekruton këshilltar për Qeverinë e Serbisë

Instituti i ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar po kërkon të punësojë një këshilltar të lartë për një pozitë në Beograd, për të “punuar ngushtë dhe për të këshilluar” zyrtarët e lartë mbi çështjet e qeverisjes.

Instituti Tony Blair për Ndryshimin Global (TBI), po kërkon një këshilltar të lartë të komunikimit, i cili do të ofrojë këshilla strategjike të komunikimit dhe mbështetje të marrëdhënieve publike me qeverinë serbe.

Nën titullin “qeverisje” dhe nën lokacionin “Beograd”, Instituti ka publikuar një thirrje të hapur për “një konsulent me përvojë në menaxhim i cili ka eksperiencë të konsiderueshme në reformën e sektorit publik dhe kush ka punuar në ekonomitë në zhvillim”.

Thirrja është publikuar në faqen e internetit të Institutit.

Këshilltari do të ofrojë këshilla strategjike të komunikimit dhe mbështetje për zyrtarët qeveritarë në përkrahje të ndërsjellë për zhvillimin e politikave, menaxhimin e projekteve dhe çështjet e jashtme për një shumëllojshmëri të klientëve, që “zakonisht (janë) agjencitë qeveritare ose ministrat/shefat e shtetit”.

Këshilltari gjithashtu do të kryejë analiza të shpejta dhe krahasime ndërkombëtare, të cilat “do të kontribuojnë në strategjinë e përgjithshme të reformës së qeverisë në fusha specifike të politikave”.

Ai ose ajo gjithashtu do të zhvillojë prezantime dhe informime, dhe do të takohet me vendimmarrësit kryesorë në qeveri duke përfshirë ministrat, zyrtarët e lartë të agjencive dhe zyrtarët e organizatave shumëpalëshe dhe bilaterale”, që janë relevante për punën e TBI në rajon”.

“Instituti ka një projekt në Serbi, i cili ndihmon në ofrimin e shërbimeve publike. Kjo është pjesë e punës më të gjerë jo-fitimprurëse të Institutit që mbështet qeveritë në mbarë botën dhe është ofruar pa asnjë kosto për qeverinë serbe”, i tha BIRN-it Instituti në një përgjigje me shkrim.

Kjo nuk është hera e parë që Blair ka qenë i lidhur me punën e konsulencës për qeverinë serbe.

Siç ka raportuar më parë BIRN, ish-kreu i Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar dhe kryeministri, e shtoi Serbinë në listën e vendeve që ai ishte paguar për të këshilluar në vitin 2015.

Kryeministri i atëhershëm i Serbisë, tani president Aleksandar Vuçiq, bëri një kontratë me konsulencën e Blair-ut për të ngritur një “njësi shpërndarjeje”, e cila u pagua, sipas burimeve zyrtare serbe, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, siç zbuloi një hulumtim i përbashkët i BIRN dhe Guardian nga Britania e Madhe.

Operacionet për Ballkanin nga Blair përfshinë Shqipërinë deri në vitin 2016, kur zyra e Blair i konfirmoi BIRN-it se kontratat e tij me Shqipërinë tashmë kishin janë përfunduar.

Emri i Blair erdhi në qendër të vëmendjes në Ballkan përsëri në shtator 2018, kur ish-ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq, pretendoi se po negocionte në emër të Serbisë për Kosovën.

“Në sallat e OKB-së, një person mund të gjejë gjëra interesante, veçanërisht nëse ai ka informacione për shumicën e njerëzve të pranishëm. Për shembull, fakti që Tony Blair, me një mandat të qeverisë në Beograd, po bisedon me zyrtarë ndërkombëtarë rreth … kufijve të Serbisë dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB”,  thoshte Jeremiq përmes një postimi në Twitter.

Ditë më vonë, presidenti Vuçiq mohoi pretendimet dhe tha se ai ishte i vetmi që negocionte për çështjen e Kosovës në emër të Serbisë.

“[Blair] nuk po negocion asgjë,… emri im nuk është Tony apo ndryshe, por Aleksandar,” tha ai për Pink TV më 1 tetor.

Dy ditë më vonë, TBI gjithashtu mohoi pretendimet e Jeremiqit, duke i thënë faqes së internetit të lajmeve “Kossev”, se projektet e saj të lidhura me qeverisjen nuk kishin të bënin me çështjet e Serbisë me Kosovën.

BIRN i dërgoi pyetje qeverisë serbe rreth konkursit të shpallur, llojin e marrëveshjes me TBI dhe kur ajo u nënshkrua, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme