Intervistë/Muhamed Zekiri: Ja se si largohet BDI –ja nga pushteti!

Ai është një zë i rëndësishëm kritik në Maqedoni. Për vite të tëra në studion e tij kaluan shumë politikanë, pushtetarë, ndërsa intervistat e tij ndikonin që zhvillimet në Maqedoni të merrnin kahe tjetër, një dimension të ri. Falë guximit dhe aftësisë profesionale, shumë të vërteta të hidhura shfaqeshin në ekranet televizive jo vetëm për temat që preknin shqiptarët, por të gjithë qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi. Kjo ngaqë emisioni i tij ishte bërë për vite me radhë adresë e vetme ku të ftuarit nuk mund të iknin nga pyetjet, aq më tepër, e kishin të pamundur të dezinformonin me përgjigje.
Bëhet fjalë për gazetarin dhe analistin Muhamed Zekiri, i cili pos angazhimeve të tij të suksesshme profesionale është aktiv edhe në shprehjen e mendimit, por edhe në protestimin kundër padrejtësive. Madje, edhe atëherë kur për këtë duhet të durojë akuza, fyerje dhe kërcënime nga më të ulëtat. Karriera e tij e gjatë si gazetarë e ka bërë të kuptojë se ky është edhe çmimi që duhet ta paguaj një person publik që i thotë ato në të cilat beson vetë, e jo ato që duan t’i dëgjojnë të tjerët.
Portali Sakte.net sjellë ekskluzivisht intervistën me Muhamed Zekirin, i cili është edhe autor i emisionit debativ “Rruga e re”, në televizionin Shenja.

Sakte.net: Ngjarjet e fundit në Turqi zgjuan interesim të madh në Maqedoni dhe çdo kund ku jetojnë shqiptaret. Cilat janë arsyet që me kaq interesim përcillen nga shqiptarët zhvillimet në Turqi?

Muhamed Zekiri: Mendoj se fillimisht lidhjet familjare të shqiptarëve me njerëzit e tyre që jetojnë në Turqi janë arsyeja kryesore pse interesimi ka qenë, është, dhe do të jetë për atë çfarë ndodhur në Turqi. Mos të harrojmë se në Turqi jetojnë qindra mijëra shqiptarë që janë shpërngulur nga këto treva. Sigurisht nuk mund të anashkalohen as raportet korrekte të Turqisë ndaj shqiptarëve të rajonit përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën e viteve të fundit.

Sakte.net: Si e vlerësoni ju tentativën për grusht shtet në Turqi?

Muhamed Zekiri: Nuk është hera e parë që Turqia ballafaqohet me situatë të këtillë. Po sigurisht nuk mund ta arsyetoj një grusht shtet që e organizojnë disa individë të ushtrisë pa e patur përkrahjen e popullit. Po të ishte populli i pakënaqur nga mënyra se si prijësit e tyre janë duke e udhëhequr ata duhet të ishin që do ta ngrisnin zërin dhe do ta përmbyseshin pushtetin. Unë edhe në ditën kur ndodhi tentativa për grusht shtet thash POPULLI ËSHTË AI QË RREZON REGJIME, JO USHTRIA. Mos të harrojmë edhe momentin se, pa dallime, të gjitha partitë u rreshtuan pas institucioneve legjitime përfshirë edhe ato opozitare në Turqi si dhe komuniteti kurd që i dha përkrahje në këtë situatë presidentit Erdogan.

Sakte.net: Brenda një kohe të shkurtër u arrestuan më shumë se 6.000 persona gjë që ngriti dyshime se ky mund të jetë një skenar i organizuar nga vetë pushteti. Si i komentoni ju këta zëra?

Muhamed Zekiri: Në situata të këtilla paraqiten si zakonisht teori të shumta të konspiracionit. Ende është herët të flitet çfarë në të vërtetë ndodhi. Numri i të arrestuarve është i madh, por ka edhe viktima të shumta për të cilat për çudi shumë pak flitet. Pushteti aktual në Turqi mendoj se duhet të jetë i kujdesshëm në hapat që ndërmerr tani dhe nuk guxon të sillet në mënyrë të papërgjegjshme. Duhet punuar në bazë të argumenteve dhe nuk duhet shfrytëzuar rastin që të qërojë hesapet me të gjithë që, sipas tyre, mund të kenë qenë të dyshimtë.

Sakte.net Jeni kritik ndaj partisë shqiptare në pushtet, BDI. Keni marrë pjesë edhe në protesta kundër këtij sistemi. A mendoni se do të ndryshojë pushteti në Maqedoni pas zgjedhjeve të reja?

Muhamed Zekiri: Jam dhe do të jem vazhdimisht kritik ndaj të padrejtës, përfshirë këtu BDI e cila është pjesë e pushtetit aktual dhe është pjesë e problemit në Maqedoni. Kështu do të jem edhe në ardhmen nëse ndonjë subjekt tjetër bën të njëjtat gabime ose të ngjashme. Në Maqedoni medoemos do të ndryshojë situata politike. Fillimisht, duhet krijuar kushtet dhe jemi duke ecur drejt një marrëveshjeje e cila do të garantojë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Në një situatë të tillë partitë VMRO dhe BDI që u dëshmua se i kanë vjedhur në mënyra të ndryshme votat në të kaluarën nuk do të kenë mundësi më të manipulojnë me votat dhe kjo do të coj në humbjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme.

Sakte.net: Cila është mënyra më e mirë e organizimit politik shqiptar në Maqedoni?

Muhamed Zekiri: Shqiptaret me vite janë të organizuar politikisht në Maqedoni. Fatkeqësia është se shqiptaret dhe vullneti i tyre u keqpërdor nga grupe ose parti politike të cilëve ata ua dhanë besimin. Shqiptaret në Maqedoni kane nevoje për frymë të re politike dhe unifikim te subjekteve të reja dhe në këtë mënyre shumë më lehtë do t’ia dalin t’i heqin nga pushteti partitë të cilat me vite i kanë zhgënjyer shqiptarët në Maqedoni siç janë BDI, po pse jo edhe PDSH./Sakte.net

Intervistoi: Xhevdet Pozhari

Lini Një Koment

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë