Isak Tusha: Me BESËN Armata e Maqedonisë do të udhëhiqet nga shqiptarët

Departamenti i Mbrojtjes i Lëvizjes BESA ka hartuar një projekt plan me qëllim që t’i vendos disa kontura bazë sa i takon çështjes së mbrojtjes. Kështu ka deklaruar në një intervistë për portalin Sakte.net udhëheqësi i këtij departamenti, Isak Tusha.
Synim parësor sipas Tushës është siguria nacionale. Tusha deklaron se me Lëvizjen BESA në pushtet synohet që shefi i Shtatmadhorisë së ARM-së të jetë shqiptar.

Sakte.net: Cilat janë prioritetet e Lëvizjes BESA në departamentin e mbrojtjes?
Isak Tusha:
Për Lëvizjen Besa është shumë e rëndësishme që në ARM të kthehet besueshmëria dhe respekti reciprok. E kemi vendosur këtë prioritetin e parë, për arsye se është një prej parakushteve të domosdoshme për fuqizimin dhe respektin e forcave të armatosura, i cili institucion duhet ta gëzojë besimin më të lartë në një vend të përparuar e demokratik, ashtu siç ne synojmë ta bëjmë Maqedoninë. S’do mend se angazhimi jonë më i madh shkon në drejtim të integrimit të Maqedonisë në NATO, ngase ashtu mendojmë se e garantojmë stabilitetin e vendit, por edhe përcaktimin strategjik, që është kaq shumë i rëndësishëm për këtë vend.

Sakte.net: Si parashihni ta luftoni terrorizmin dhe kë e konsideroni si aleat të rëndësishëm të BESËS në këtë drejtim?
Isak Tusha:
Lëvizja BESA do të angazhohet që politika e mbrojtjes e Maqedonisë të mbetet një politikë parimore, që udhëhiqet nga po ato vlera dhe parime demokratike dhe nga normat ndërkombëtare. Lëvizja BESA do të angazhohet që t’i avancojë më tutje marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo në nivel të partneritetit të thelluar strategjik. Marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të arrijnë në nivel të bashkëpunimit strategjik edhe me përfitime të ndërsjella në ekonomi, siguri dhe fushat me interes të përbashkët, për ta shtyrë përpara integrimin në strukturat euro-atlantike. Për Lëvizjen BESA Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri strategjik më i rëndësishëm, i cili duhet të reflektohet edhe në forcimin e demokracisë dhe ruajtjen e integritetit territorial, por edhe në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe respektit për të drejtat e njeriut, promovimin e të drejtave të komuniteteve, mbështetjes për projektet strategjike në fushat e sigurisë dhe koordinimit në mekanizmat multilaterale.
Lëvizja BESA aspiron të bëhet pjesë përbërëse e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë, në veçanti e NATO-s, ndërsa mbetet e përkushtuar që të ngrihet bashkëpunimi me të gjitha shtete progresive për ta luftuar terrorizmin. Lufta kundër terrorizmit është një shqetësim global, i cili ka nxjerr në pah forma dhe rreziqe të paimagjinueshme dhe kërkon vigjilencë në luftimin e përbashkët të kësaj të keqe, e cila tani konsiderohet e keqja e përgjithshme ose globale. Lëvizja BESA do të vazhdojë të zhvillojë kapacitete e saj në funksion të sigurisë, duke u përkushtuar në besimin e ndërsjellë (kthimin e besimit tek ARM-ja), si dhe për të kontribuar në misionet ndërkombëtare të paqes, dialogut dhe zgjidhjes së krizave dhe asistencës humanitare e zhvillimore. Forcat e Armatosura të Maqedonisë, me BESËN në pushtet, do të jenë forcë profesionale e udhëhequr sipas parimeve të kontrollit demokratik dhe civil, duke u integruar gradualisht në strukturat euro-atlantike dhe të gatshme të kontribuojnë në sigurinë dhe paqen rajonale dhe globale krahas ushtrive simotra të saj nga NATO-ja. Forcat e armatosura të Maqedonisë do të jenë forca të modernizuara në trend me armatimin dhe qasjen globale të ushtrive të vendeve anëtare të NATO-së. Ashtu siç thash ëmë sipër, në programin tonë të mbrojtjes synim i posaçëm është anëtarësimi në NATO, ngase jemi thellë të bindur se përmës Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut garantohet ruajtja e lirisë dhe sigurisë së vendeve anëtare përmes mjeteve politike dhe ushtarake.
Për ne NATO promovon vlerat demokratike dhe inkurajon konsultime, si dhe bashkëpunimin në lidhje me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, për ta shtuar kështu besimin dhe, në një kontekst më afatgjatë, për të parandaluar konfliktet.
Politika Ushtarake e NATO-së është e angazhuar për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, ajo ka kapacitetet ushtarake të nevojshme për të ndërmarrë operacione për administrimin e krizave.
Përveç kësaj, ne jemi thellë të interesuar që në këtë rrugë edhe shqiptarët e Maqedonisë të shihen si faktor që e ndihmon mbrojtjen e këtij vendi, andaj jemi të përkushtuar që një ditë shqiptarët të gjenden në pozitat më të larta të Armatës së Maqedonisë, përfshirë edhe detyrën e shefit të Shtatmadhorisë së ARM-së./Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme