Ish-gruaja e Avni Metrës: Më ka përdhunuar, duhet djegur i gjallë

Ish-gruaja e Avni Metrës

Ish gruaja e vrasësit të dy vëllezërve në Shqipëri, Avni Metra, ka thënë se për të burgu është pak. Në një rrëfim rrëqethës, ajo ka treguar për të gjithë jetën e vështirë që ka pasur në krah të tij.

Ish-gruaja e vrasësit që pritet të ekstradohet nga Anglia, pasi akuzohet për vrasje të dyfishtë në Shqipëri, tregon për gazetën britanike “Daily Mail” se ai e ka përdhunuar atë vazhdimisht përgjatë martesës së tyre 14 vjeçare.

Linda Lami, 38 vjeçare, thotë se “burgu është shumë i mirë për një përbindësh si ai. “Ai duhet djegur i gjallë për vrasjet e tmerrshme që ka bërë”, thotë ajo.

Lami, nëna e fëmijëve të tij, e ka akuzuar atë për abuzimet e vazhdueshme seksuale që ka bërë ndaj saj gjatë kohës që kanë qenë bashkë.

Gruaja tani ka një punë të qëndrueshme dhe një partner të ri dhe thotë se ndihet e qetë. Avni Metra, 53 vjeç, shkoi në Britani në vitin 1998, një vit pasi ai vrau dy vëllezër në vendlindjen e tij, në Shqipëri.

Avni metra

Avni Metra

Edhe pse Metra është në burg dhe pritet të ekstradohet, ish-gruaja e tij e mbyll rrëfimin e frikësuar: “Unë mendoj se ai është psikopat. Nëse ai do të kishte mundësi, mund të më vrasë. Unë e di që ai mund ta bëjë këtë”.

Metra është arrestuar në Angli në datën 8 qershor, pasi u arrit të zbulohej se ku ndodhej. Ai pretendonte se ndodhej në Britani për shkak se jeta e tij ishte në rrezik, pas vrasjes së një miku të tij në Shqipëri.

Gjatë seancës gjyqësore për ekstradimin e tij, Metra tha se “Në Shqipëri ka vetëm korrupsion dhe jo drejtësi”.

20 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)