‘Ish-këlyshi i Millosheviçit fitoi zgjedhjet, loja e tij me Hashim Thaçin’

Nga Norbert Mappes-Niediek, DEUTSCHE WELLE

Duke i dhënë 63 përqind të votave partisë së Presidentit, duket se serbët kanë votuar sidomos për stabilitetin e vendit. Në zemër të Ballkanit sundon qetësia dhe kënaqësia, në një kohë kur bota është duke u çmendur. Me sa duket është mundur çdo lloj opozite, ashtu siç është mundur virusi i rrezikshëm korona. Si duhet thënë më qartë?

Duket si paradoks, që dekada me radhë është thënë se shtetet e rajonit të trazuar mund të qetësohen vetëm kur të marrin të vendosur rrugën drejt Europës, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ky ka qenë mendim i gabuar. Sepse duket se Serbia e ka gjetur veten me autoritarin Aleksandar Vuçiç. Në vend që t’i kacavirret anijes që po mbytet, BE-së, presidenti serb e drejton shtetin me dorë të fortë duke shpëtuar nga shkëmbinjtë e detit të trazuar botëror. Duke i treguar të gjithëve se si mund të arrihet në brigje të reja: Që të shtunën e ardhshme, Vuçiç do të udhëtojë në Uashington për të celebruar në Shtëpinë e Bardhë “pajtimin” me Kosovën, ose të paktën “për të hapur një kapitull të ri”. Nuk është Europa, nuk është Angela Merkel që garantojnë sigurinë dhe rendin. Këtë e bëjnë tani më shumë njerëz si Aleksandar Vuçiç dhe – megjithëse mezi besohet – si Donald Trump.

Mezi besohet, dhe është mirë që të mos besohet fare

Është gabim që rezultati historik i zgjedhjeve të interpretohet si dëshmi e besimit që i jepet presidentit. Partia e tij, “Partia Përparimtare Serbe” (SNS) nuk është forcë politike që mund të konkurojë në një sistem pluralist, ku partitë konkurojnë me ide dhe argumente në favor të zgjedhësve. Ajo nuk është parti dokudo, por është Partia, një aparat shtetëror, siç ka qenë dikur Partia Komuniste.

Individi që kërkon punë, sipërmarrja që kërkon të fitojë tendera, politikani lokal që kërkon para nga taksat për komunën, duhet të bashkëpunojë me pushtetin e kudogjendshëm. Duke pasur 730 mijë anëtarë, partia e presidentit, SNS është partia më e madhe në Europë, jo në krahasim relativ, por në krahasim absolut, është partia më e madhe në Europë, duke qenë parti në një vend që nuk është më i madh se landi gjerman i Hesenit. Kush e gëzon vendin e punës apo pozicionin falë kësaj partie, dhe në Serbi janë pothuajse të gjithë të tillë, bën mirë t‘ia japë votën asaj, sepse humbet vendin e punës nëse partia bie nga pushteti. Sistemi është një qark i mbyllur. Në fushatat elektorale vazhdohet të shtohen radhët. Aktivistët u kujtojnë të gjithë simpatizantëve dhe anëtarëve të partisë, nëse i kanë borxh partisë, duke i pyetur thjesht mbi preferencat që kanë kur ndodhen para kutisë së votimit. Kush nuk do të donte të tregonte përulësinë e tij në këto kushte?

Partia e ka ngritur pushtetin me të gjithë personelin, duke dhënë subvencione të vogla, donacione për radiot lokale, duke bërë ndere për kryetarët e bashkive, duke dhënë tendera zemërgjerë. Pushteti u rrit pa rënë në sy, dhe menjëherë u shfaqën nëpër provinca pushtetmbajtësit e shumtë konkurues. Ka vite që ish/këlyshi i Millosheviçit ka ardhur në pushtet – në fillim si zëvendëskryeministër. Sot, burri dymetërsh shfaqet i vetëm mbi turmën.

Opozita nuk ekziston më. Socialistët, që dolën partia e dytë më e madhe në vend, duke marrë 11 përqind të votave, janë bashkëlojtarë në lojë, njësoj siç kanë qenë partitë e Bllokut në ish-Gjermaninë Lindore, ose siç kanë qenë Aleanca Socialiste e Punonjësve në ish-Jugosllavi.

Sistemi është stabil, aq stabil sa ka qenë dikur sistemi komunist. Ai funksionon vetëm kur ka diçka për të dhënë dhe diçka për të shpërndarë. Falë lojës së zgjuar kjo vazhdon të jetë njësoj: Deri në shpërthimin e koronës, donacionet nga BE dhe investimet nga Kina e kthyen Serbinë në vendin me zhvillimin më të madh në rajon, bashkë me Rumaninë, dhe sipas parashikimeve kolapsi pas pandemisë do jetë më e butë se diku gjetkë. Investorët e vlerësojnë Serbinë sepse partia e kudogjendshme e ka kthyer vendin në “One stop shop”. Licencat jepen pa problem, kundërshtime nuk pritet të ketë.

Serbia ka vepruar kundër Covid-19 më ashpër se çdo vend tjetër në Europë: duke vendosur ndalimqarkullimin nga ora 17:00 deri në orën 5 të mëngjesit dhe ndalim total qarkullimi për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç dhe duke dhënë dënime të mëdha. Por njerëzit tremben nga shteti, virusi nuk trembet. Ai ushqehet nga kushtet e këqija sociale. Mbas sukseseve të para, numri i të infektuarve është rritur sërish, sidomos në konviktet e studentëve dhe aty ku banorët jetojnë ngjitur me njëri-tjetrin si sardele. Deri ditën e zgjedhjeve kjo temë mbeti pa u diskutuar. Data e zgjedhjeve duket se është zgjedhur në mënyrë perfekte.

I të njëjtës natyrë është edhe stabiliteti në rajon, që drejtohet tani nga Vuçiçi. Por meqenëse atje nuk ndodhet askush që ta kundërshtojë, dhe meqë edhe Kisha Ortodokse ndodhet vetë nën kontroll, presidenti e ka rrugën e hapur për të zgjidhur çështjen e Kosovës, sipas mënyrës së tij.

Ka dy vjet që Vuçiç dhe egoja e tij e vjetër shqiptare, Hashim Thaçi diskutojnë për këmbimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk mund të flitet për pajtim të vërtetë, për revizionimin e të kaluarës, për çtensionimin e jetës së përditshme, për takime në nivel shoqëror. Sepse po të flitej për to, do të arrihej efekti i kundërt. Të dy udhëheqësit do të ktheheshin në zot shtëpie me zgjidhjen e tyre të preferuar dhe nuk do të kishin nevojë të merrnin parasysh të drejtat e pakicave të bezdishme. Që Trumpi luan rolin e nxitësit të paqes, përshtatet mirë me imazhin: Zëvendësimi i rregullave ndërkombëtare me “deals” të arritur midis burrave të fortë, është politika e shpallur prej tij. Nëse manovra arrin po ashtu t’i hipë nervat europianëve, aq më mirë.

63 përqind e votave janë një rezultat fantastik. Por në Europë e dinë mirë si është puna e stabilitetit. “Everything was forever, until it was no more”, thoshte autori ruso -amerikan Alexei Yurtchak, duke treguar shumë mirë përvojën e një brezi të tërë.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme