Ish-Kryeministri i Shqipërisë kishte treguar informacionet për vrasjen e Ahmet Krasniqit (VIDEO)

Sakte.net / e Shtunë 24 Shator 2016 / 16:20

Pandeli Majko, ish-Kryeministër i Shqipërisë, kishte lënë mundësinë që vrasja e Ahmet Krasnqit të kishte ndodhur nga shërbimet inteligjente të cilat ishin prezente në kohën kur ishte kryer vrasja. Ka thënë se jo gjithmonë është dora e shqiptarit kur vritet një shqiptar. Ky politikan nga Shqipëria ka thënë se ka pasur edhe informacione diskrete se kush mund të ishte vrasësi i Kransiqit, por, nuk i ka pasur të argumentuara.

“Informacionet e mia janë diskrete. Në përgjithësi, informacione të tilla mbeten në rolin e thashethemeve që mund t’i shprehi një politikan. Dhe si të tilla nuk do të ishin të besueshme nëse thuhen nga unë”, ka thënë Majko, në një intervistë për Gazetën Express, të dhënë në tetor të vitit 2015.

Majko ka lënë mundësinë që vrasje e Krasniqit të ishte bërë edhe nga shërbimet inteligjente prezente në Shqipëri.

“Në atë kohë, në Shqipëri ishte shesh i shërbimeve inteligjente të shteteve tjera”, ka thënë Majko, për Express.

Ish-Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se nuk ka informacione të sakta se kush ishte vrasësi i Krasniqit.

“Është problem delikat. Janë gjëra që lënë dyshim të përgjithshëm. Gjithmonë kur vriten shqiptarët, mund të jenë shqiptarët, por jo gjithmonë do janë shqiptarët”, ka thënë Majko.

Ish-Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë në Ekzil, Ahmet Krasniqi është ekzekutuar më 21 shtator 1998 në Tiranë, në moshën 50-vjeçare. Trupi i tij prehet në varrezat e Sharrës, shumë pranë mikut të tij Azem Hajdari. Vrasja e tij ende mbetet e pandriçuar.