Ish-kryetari i Obiliqit e akuzon kryetarin aktual për kërcënim

Ish-kryetari i kësaj komune, Mehmet Krasniqi, dhe kryetari aktual, Xhafer Gashi, kanë akuzuar njëri-tjetrin për shumë gjëra, të pathëna deri tash, në debatin për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2017-2019.

Gjithçka ka ndodhur me një kompani derivatesh që kishte furnizuar më herët Komunën e Obiliqit, për të kaluar pastaj edhe deri te pranim-dorëzimi i detyrës që del të mos ketë ndodhur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Janë përmendur edhe shkelmat, që do të përdoreshin në rast se nuk lirohej zyra e të parit të komunës. E gjitha është shënuar në procesverbalin e kësaj mbledhjeje, të mbajtur në fund të muajit qershor të këtij viti.

“…tash kur kryetari (Xhafer Gashi v.j.) me procedura e ka eliminuar furnitorin që pothuajse krejt pasluftës e ka furnizuar Komunën tonë, ‘Inter as-in’, që është një nga kompanitë e vetme që ne kemi që qëndron në këmbët e veta. Tash, ku di unë, e ka marrë dikush që mund të jetë ndonjë mik i tij dhe se sigurisht këtë duhet me mbuluar me shpenzime më shumë…”, ka thënë Mehmet Krasniqi gjatë asaj seance.