Ivanov falënderoi Erdoganin për ndihmën e Turqisë gjatë vërshimeve

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në kuadër të vizitës së punës në Turqi, sot në Stamboll realizoi një takim me presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fokus të bisedimeve mes dy presidentëve ishin marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi, me theks mbi çështjet nga sfera e sigurisë, krizës së migrantëve dhe marrëdhëniet ekonomike, thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentit Ivanov.

Në takim Presidenti Ivanov shprehu ngushëllime dhe keqardhje për sulmet e fundit terroriste në vend, duke përfshirë edhe atë të ditës së sotme, mbi postbllokun kontrollues policor në Juglindje të Turqisë.

Nga ana tjetër, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan shprehu keqardhje për përmbytjet e 6 gushtit. Në këtë kontekst Presidenti Ivanov shprehu falënderimet për ndihmën nga Republika e Turqisë. Në takimin është dakorduar përforcimi i kontakteve dhe bashkëpunimit të shërbimeve të sigurisë në pjesën e parandalimit dhe shkëmbimit të informacioneve në luftën kundër terrorizmit, si dhe për sfidat lidhur me krizën e migrantëve.

Presidenti Ivanov përsëriti se Republika e Maqedonisë mbështet Qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Republikës së Turqisë, dhe apeloi në respektimin e institucioneve dhe shmangien e çdo lloj dhune dhe gjakderdhjeje. Ai porositi se qëllimet politike duhet të arrihen vetëm me dialog dhe në pajtim me vullnetin e qytetarëve.

Presidenti Ivanov qëndron për vizitë pune në Republikën e Turqisë me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në kuadër të vizitës, Ivanov merr pjesë në hapjen solemne të urës së tretë mbi Bosfor “Yavuz Sultan Selim”, ku marrin pjesë edhe shumë burrështetas të vendeve të tjera.