Ivanoviq e përmendi Radoiçiqin si sundues i errët i veriut

Politikani serb i vrarë Oliver Ivanoviq e quajti Milan Radoiçiqin – një mbledhës të borxheve dhe pronar kamioni afër partisë qeverisëse të Serbisë – si një figurë kyçe në sistemin e frikësimit të pushtetit në Kosovën e veriut.

Në intervistën e tij të fundit për BIRN në tetor, Oliver Ivanoviq, politikani serb i Kosovës i vrarë në janar, e quajti Milan Radoiçiqin një figurë kryesore dhe të fuqishme në veriun e Kosovës të drejtuar nga serbët.

Ai kërkoi nga BIRN që ta mbante atë pjesë të intervistës jashtë procesverbalit, duke pasur frikë nga hakmarrja e mundshme.

Në intervistën një-në-një, në audion dhe shënimet e regjistruara, Ivanoviq pohoi se pushteti në Kosovën e veriut nuk qëndronte me institucionet e zgjedhura por në “qendrat informale të pushtetit” – dhe e quajti Radoiçiq të lidhur me këtë sistem informal të pushtetit.

“Qendra e pushtetit nuk është në ndërtesën e Komunës – sepse ndërtesa e Komunës i takon kësaj qendre tjetër informale të pushtetit”, tha Ivanoviq.

Më pas ai shtoi: “Presidenti [serb] Aleksandar Vuçiq përmendi Milan Radoiçiq, i cili me të vërtetë më shqetëson; më shqetëson shumë se ai e merr atë si shembull të një personi që lufton për mbrojtjen e serbëve në Kosovë “.

Ivanoviq iu referua fjalëve të Vuçiqit në një konferencë shtypi të mbajtur në shtator kur e quajti Radojqiq si një nga pesë burrat që ai falënderoi për “mbrojtjen e Serbisë në Kosovë”.

Pavarësisht që i kërkoi BIRN-it të mos publikonte fjalët e tij rreth qendrave joformale të pushtetit, Ivanoviq i tha gazetarit  të BIRN të mbante mend emrin e Radoiçiq.

“Jo, jo, jo, lëre aty, mbani mend atë, do ta keni atë emër atje,” tha Ivanoviq kur gazetari filloi të fshijë emrin e Radoiçiq nga shënimet.

Radoiçiq , i cili ka qenë në qendër të vëmendjes në muajt e fundit, ka lidhje të ngushta me elitat politike në Kosovë dhe Serbi, duke përfshirë Vuçiqin dhe Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.

Ai është përballur me akuza ligjore në Serbi disa herë dhe është një bashkëpunëtor i ngushtë i biznesmenit kontravers serb të Kosovës, Zvonko Veselinoviq.

Radoiçiq refuzoi të fliste me BIRN për këtë artikull.

Ivanoviq u qëllua për vdekje në Mitrovicë më 16 janar jashtë zyrave të partisë së tij të ‘Liria, Demokracia  Drejtësia, e cila ishte në kundërshtim me Partinë Serbe ‘ Lista Srpska ‘, të mbështetur nga Beogradi.

Ivanoviq kishte thënë disa herë para se ai të vritet se ai dhe familja e tij kishin marrë kërcënime, dhe kishin kërkuar ndihmë nga Kosova, Serbia dhe të tjerët, por pa asnjë përgjigje.

Rasti i vrasjes është ende i hapur dhe nuk ka pasur arrestime deri më tani.

Nuk ka asnjë tregues se Radoiçiq ka ndonjë lidhje me vrasjet.

Lidhje politike në të gjitha anët

Një muaj pasi u vra Ivanoviq, në shkurt- përkundër përshkrimit të tij të mëhershëm për Radoiçiqin si një nga ata “që e mbrojnë Koovën”- Vuçiq tha për televizionin serb Happy TV se ai nuk kishte folur asnjëherë me Radoiçiqin, por mund ta ketë ndjekur ndonjë takim ku ai ka qenë i pranishëm.

Presidenti serb gjithashtu tha se Radoiçiq ka biznese në Serbi dhe veri të Kosovës dhe se ai gjithashtu e dinte se Ivanoviq dhe Radoiçiq kishin qenë në zënkë me njëri-tjetrin për disa vjet.

“E dija për konfliktin e tyre në veri (të Kosovës). Ai njeri (Radoiçiq) e dinte se çdokush do ta drejtonte gishtin nga ai (për vrasjen e Ivanoviqit)”, tha Vuçiq.

Ai tha se konflikti ndërmjet Radoiçiqit dhe Ivanoviqit kishte vazhduar “që nga viti 2000”.

Megjithatë, sipas dokumenteve nga një rast gjyqësor të cilat i ka siguruar BIRN, Radoiçiq ishte vetëm 22 vjeçar në vitin 2000, dhe i tha gjykatës se kishte filluar të punojë në Kosovë tek në vitin 2008.

Ksenija Bozhoviq, e cila ishte nënkryetare e partisë së Ivanoviqit “Liri, Demokraci, Drejtësi” ndërkohë tha se ajo nuk ka informacione që Ivanoviq dhe Radoiçiq janë takuar ndonjëherë.

“Në dijeninë time dhe nga ajo që kam dëgjuar që anëtarët e familjes Ivanoviq i kanë thënë mediave, ata nuk janë takuar asnjëherë. Gjithashtu nuk e njoh këtë njeri dhe nga ajo qqë kam dëgjuar, ai erdhi në Mitrovicë tek pas vitit 2015”, tha Bozhoviq për BIRN.

Në korrik 2017, sajti kosovar gazeta Express postoi një fotografi të një lideri të një partie të shqiptarëve (tani kryeministër i Kosovës), Ramush Haradinaj, me Radoiçiqin.

Supozohet se dy burrat po diskutonin nëse partia e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, do ta mbështeste qeverinë e propozuar të Kosovs në të cilën bënte pjesë edhe partia e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Koalicioni i haradinajt mori më së shumti ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017 por nuk ishte në gjendje ta formojë qeberinë deri në shtator.

Rreth dy javë më para se të bëhej kjo fotografi, Haradinaj ftoi partinë e serbëve e Kosovës të mbështetur nga Beogradi, Listën Serbe, ta mbështeste kandidaturën e tij për kryeministër.

Një muaj më pas, ai u zgjodh kryeministër me mbështetjen kruciale të Listës Serbe.

Më 24 dhjetor, derisa po fliste për bashkëpunimin e tij të mirë me Listën Serbe, Ramush Haradinaj tha në një intervistë për emisionin ‘Slobodno Srpski’ se ai gjithashtu “punon” me Radoiçiqin sepse ai ishte një figurë e rëndësishme.

I pyetur kush është Radoiçiq, dhe nëse është politikan, Hatadinaj u përgjigj se Radoiçiq ishte “një njeri nga veriu (i Kosovës), i cili është i rëndësishëm për gjithçka, dhe unë flas me të”.

“Nuk duhet të jeni vetëm politikan, të gjithë kemi një rol këtu… Nuk kam lidhje direkte me Beogradin në ndonjë nivel, por të gjithë ata që jetojnë në Kosovë janë ndërmjetësues për mua”, tha Haradinaj.

Pasi Lista Serbe fitoi një shumicë bindëse në vendbanimet me shumicë serbe në zgjedhjet lokale në Kosovë në tetor, pamjet e televizionit lokal të Mitrovicës së veriut, TV Most, në një festim shfaqën Radoiçiqin duke pirë shampanjë me liderin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe marko Gjuriqin, kreun e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Roli i supozuar i rëndësishëm i Radoiçiqit në komunitetin e serbëve të Kosovës nuk kishte tërhequr vëmendje para vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Pas vrasjes së tij megjithatë, një politikane tjetër e serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, tha se Radoiçiq “e kontrollon jetën” në veriun e Kosovës.

“Ai e kontrollon tërësisht jetën në veri, vendosë për të mirë e për të keq”, thja Trajkoviq për televizionin N1 më 17 janar.

Pas intervistës së Trajkoviqit, Radoiçiq tha për BIRN se “spekulimet” për rolin e tij në veriun e Kosovës po e kërcënonin stabilitetin e asaj pjese.

“Individët dhe publiku janë angazhuar në spekulime që po shkaktojnë dëm të jashtëzakonshëm mbi të gjitha për popullin serb, qytetarët e veriut të Mitrovicës, si dhe për emrin tim dhe familjen time”, tha ai.

“Është e qartë se publiku në Kosovë dëshiron ta drejtojë gjithë vëmendjen në të pavërteta dhe spin-e në mënyrë që ta rrezikojë stabilitetin i cili edhe ashtu është i brishtë”, tha ai.

Më 19 shkurt, një gazetar i uebsajtit investigativ serb, Insajder, e pyeti Gjuriqin rreth rolit të Radoiçiqit në veri të Kosovës dhe rreth lidhjeve të tij me Partinë përparimtare Serbe e cila drejton qeverinë e Serbisë.

Gjuriq tha se ata ishin takuar disa herë dhe se Radoiçiq ishte një biznesmen në Mitrovicë. Ai nuk u përgjigj në pyetjen nëse Radoiçiq është anëtar i Partisë Përparimtare.

Një muaj më herët, megjithatë, ministri serb i punëve të brendshme Nebojsha Stefanoviq u tha mediave se Radoiçiq nuk ka ndonjë pozitë në parti.

Tregtitë e biznesit përfunduan në gjykatë

Gjykata e Lartë në Beograd dënoi Radoiçiqin dhe shokun e tij të ngushtë, Zvonko Veselinoviq për akuzat për nxitje të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në shkurt të vitit 2015.

Prokuroria në këtë rast pretendoi se në vitin 2010, Dragan Çurçiq, pronari i një kompanie të quajtur Euro Kop, kishte ndaluar pagesat për 32 automjete të marra me qira nga Hypo Alpe Adria.

Në vend se t’i kthejnë kamionët, prokurorët pretenduan se Çurçiq vendosi t’ia jap Veselinoviqit si një mënyrë e shpagimit të një borxhi që e kishte ndaj tij.

Prokuroria po ashtu pretendoi se megjithëse kishte ditur se kamionët duhet të kthehen në bankë, Veselinoviqi dhe Radoiçiqi e kanë shtyrë Çurçiqin t’ia japë automjetet për t’i përdorur derisa Çurçiq t’ia kthente borxhin Veselinoviqit.

Gjykata e dënoi Çurçiqin me tre vjet e gjysmë burgim, por e liroi Radoiçiqin dhe Veselinoviqin.

Dokumentet e gjykatës treguan se Radoiçiq ka lindur në qytetin e Pejës në vitin 1978 dhe se ai ishte regjistruar si banor në qytetin qendror serb të Kralevës.

Sipas deklaratës së Radoiçiq në gjykatë, ai u takua për herë të parë me Veselinoviq në vitin 2007 dhe të dy burrat u referuan njëri-tjetrit si “kum” (njeriu më i mirë apo kumbari).

Veselinoviq i tha gjykatës se Radoiçiq gjithashtu e ndihmoi atë me stacionin e tij të benzinës pranë Mitrovicës, duke ndihmuar “me gjithçka, me debitorët dhe me mbledhjen e borxheve”.

Radoiçiq i tha gjykatës se të ardhurat e tij erdhën nga investimi i “disa parave në kamionë” dhe nga një dyqan që gruaja dhe nëna e tij kanë në Mitrovicë.

Dokumentet e gjykatës gjithashtu zbuluan se Radoiçiq ka një dënim të mëparshëm, por informata për akuzat dhe dënimin u redaktuan në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Radoiçiq vetë i tha gjykatës se ai ishte në paraburgim në mes 2009 dhe 2011, por nuk shpjegoi akuzat kundër tij gjithashtu./BIRN Beograd