Izraeliti 73 vjeç, lojtari profesionist më i vjetër në botë

I vendosur mes shtyllave të portës me flokët e tij të thinjur, izraeliti Isaak Hayik vendosi një rekord të ri botëror. Me 73 vjet, ai u bë personi më i vjetër që ka luajtur një ndeshje në futbollin profesionist.

Hayik, i cili feston ditëlindjen e tij të 74-t javën e ardhshme, ka thyer rekordin si lojtari më i vjetër, pasi të premten ishte në portë te skuadra nga Izraeli, Ironi Or Yehuda.

Portieri i lindur në Irak edhe zyrtarisht është njohur si lojtari më i vjetër në futbollin profesionist gjatë ceremonisë së organizuar nga përfaqësuesit e Librit të Rekordeve të Guinnessit, të cilët edhe e pajisën me çertifikatë.

“Jam i gatshëm për ndeshjen tjetër për shkak se ndihem mirë”, tha Hayik, i cili pati disa paraqitje të mira në ndeshjen kundër Maccabi Ramat Gan, të cilën ekipi i tij e humbi 5:1, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. “Ky nuk është një burim krenarie vetëm për mua, por edhe për sportin e Izraelit në përgjithësi”.

Hayik është shpërngulur në Izrael në moshën katërvjeçare, kurse thotë se asnjëherë nuk ka menduar se do të luajë futboll deri në këtë moshë që është tash.

Ai nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur do të tërhiqet nga futbolli, pasi thotë se ndihet mirë dhe nuk ka asnjë lëndim.

“Futbolli më ka mbajtur gjithmonë në formë dhe unë do të vazhdoj të luaj edhe për një kohë shumë të gjatë”, shtoi ai.

Rekordi i mëparshëm për futbollistin më të vjetër është mbajtur nga Robert Carmona i Uruguait, i cili në vitin 2015 luajti ndeshje profesionale me ekipin Pan de Azucar në moshën 53-vjeçare.

Familja Haiyk ishte në mesin e dhjetëra mijëra hebrenjve nga Iraku që ikën në Izrael në gjysmën e shekullit XX, pas krijimit të këtij shteti në vitin 1948. Të pranishëm në ndeshjen e 73-vjeçarit ishin edhe fëmijët dhe nipërit e tij. Fëmijët e tij, folën me krenari për arritjen e babait. Njëri prej djemve, zbuloi se për një kohë të gjatë ka luajtur me babanë në të njëjtin ekip.

“Unë u lodha para tij, kështu që vendosa të tërhiqem. Babai nuk e ndoqi rrugën time dhe kjo është e pabesueshme. Ndihem shumë krenar që ai tashmë njihet si lojtari më i vjetër në futbollin profesionist dhe do ta motivoj të vazhdoj për të thyer edhe rekorde të tjera”, është shprehur Moshe Hayik, 36-vjeçar.

Skuadra e portierit 73-vjeçar bën gara në Liga Bet që është kategoria e tretë e futbollit izraelit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme