Ja kur do të garojnë sportistët nga Kosova në Olimpiadë

Ja kur do të garojnë sportistët nga Kosova në Olimpiadë

Tashmë dihet edhe orari i garave që do t’i zhvillojnë sportistët kosovarë. Majlinda Kelmendi do ta kërkojë medaljen olimpike, në garat që do t’i zhvillojë këtë të diel, më 7 gusht, në kategorinë 52 kilogramë.

Ndërsa, një ditë më pas, në arenën e xhudos do të zbresë edhe shoqja e saj e klubit, Nora Gjakova, në 57 kilogramë, e cila do ta synojnë medaljen po ashtu, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndërkaq, atleti Musa Hajdari, i cili do të garojë në 800 metra, do të zbresë në shtigjet e atletikës nga data 12 deri më 16 gusht. Në të njëjtat data do t’i ketë garat edhe atletja Vijona Kryeziu, që do të garojë në 400 metra.

Sa i përket notit, Lum Zhaveli do të garojë në 50 metra stil i lirë dhe do të garojë nga 6 deri më 10 gusht. Ndërkaq, notarja Rita Zeqiri po ashtu do t’i ketë sfidat e saj gjatë kësaj periudhe (6-10 gusht), në stilin 100 metra shpinë, raporton Zëri.

Qëndrim Guri, çiklisti më i mirë kosovar, do t’i bëjë garat në rrugë më 6 e 7 gusht, derisa garuesja e fundit, shenjëtarja Urata Rama, e cila do të garojë në kategorinë 10 metra pushkë në ajër, do t’i ketë sfidat e saj nga 6 deri më 8 gusht.

Një pjesë e garuesve e kanë marrë rrugën drejt Rios të hënën, ndërsa pjesa tjetër do të niset nga Kosova sot, për të mbërritur nesër në Brazil. Kosova do të paraqitet në Olimpiadë me tetë garues, prej tyre dy me norma olimpike dhe gjashtë me ftesa. /Zëri/

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë