Ja kush është juria e edicionit të pestë të çmimit Kadare

Edicioni i pestë i çmimit Kadare, një prej konkurseve më të rëndësishme letrare në vend, hap siparin sot. Ftohen të gjithë autorët shqipfolës të dorëzojnë në adresën elektronike: [email protected], një sinops deri në 2 faqe mbi veprën e shkruar dhe 15 faqet e para të dorëshkrimit. Në një fazë të dytë juria e përzgjedhur e këtij edicioni, do të bëjë publik 10 veprat e përzgjedhura për të garuar për çmimin e madh Kadare 2019. Konkursi është për veprat e pabotuara më parë në prozë, dhe ka për qëllim nxitjen e shkrimit të letërsisë shqipe.

Në 4 vite jetë, çmimi Kadare është kthyer në një institucion të rëndësishëm për vlerësimin e letërsisë së mirë shqipe. Katër veprat e deritanishme fituese kanë arritur të ngjallin debat mbi letërsinë e sotme shqipe, por janë dhe një mënyrë për të parë letërsinë e sotme bashkëkohore. Fituesit e këtij çmimi ndër vite kanë qenë Rudolf Marku, Shkëlqim Cela, Musa Ramadani dhe Virgjil Muci. Fituesi i edicionit të pestë do të shpallet në Ditët Letrare të Razmës që mbahen nga data 25-27 maj në Razëm. Po cila është juria e edicionit të pestë të çmimit Kadare?

Juria
Bashkim Hoxha, një emër i njohur i letrave dhe mendimit shqip do të kryesojë këtë vit edicionin e pestë të çmimit Kadare. Propozimi për këtë post ai e mori gjatë një tryeze që Instituti Europian Pashko organizoi disa ditë më parë në ambientet e UET, ku morën pjesë ish anëtarë të jurisë së këtij çmimi si dhe personalitete të njohur në fushën e letrave. Ndërsa anëtarët e jurisë së këtij edicioni do të jenë shkrimtari dhe publicisti i njohur Mehmet Kraja, përkthyesja dhe profesoresha Diana Kastrati, studiuesja Genciana Egro, dhe drejtorja e UET PRESS Alda Bardhyli.

Bashkim Hoxha

Bashkim Hoxha është i njohur si shkrimtar, dramaturg dhe gazetar. Ai është autor i romaneve “Kronikat e Mjegullës”, “Një ditë si Skënderbeu”, “Gruaja e shiut”, “Heronjtë e Viagrës”, ”Missing”,”Mot i keq për dashuri”, “Lakuriq”, ”Mbreti I vesës”, etj. Dramave dhe komedive “Shokë lufte”, “Vërshime pranverore”, ”Të jesh 20 vjeç”, “Pranvera që s’vonoi”, ”Lajme të vonuara nga ura e Qabesë”, ”Unë dhe Mefistofeli (çmimi A. Moisiu 1988), “Këngë dashurie me korba”(çmimi A.Moisiu 1997), “Qyteti pa dashuri”, “Ne të gjithë kënduam Margaritën”, etj. Ai është gjithashtu autor i skenarëve: “Në çdo stinë”,”Një vonesë e vogël”, “Plumba perandorit”, etj.

Mehmet Kraja

Mehmet Kraja është një ndër shkrimtarët e njohur shqiptarë në Kosovë. Nga viti 1974-76 ai ka qenë kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re”. Më pas ka punuar në gazetën “Rilindja”. Gjatë viteve 1992-1999 ai jetoi e punoi në Tiranë. Pas luftës ishte redaktor i kulturës në të përditshmet Zëri dhe Koha Ditore. Që nga viti 2002 është dhe ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë ku jep lëndën e skenarit të filmit. Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ka botuar mbi 13 romane, 5 përmbledhje me tregime, 10 drama dhe tre libra kritikë dhe publicistikë. Kraja është aktiv në shtypin shqiptar.

Diana Kastrati

Diana Kastrati është nderuar së fundmi me titullin honorifik “Cavalieri Della Stella Italiana” nga ambasada e Italisë në Shqipëri për kontributin e saj si shqipëruese nga gjuha italiane. Kastrati është profesoreshë dhe shefe e departamentit të Gjuhës italiane në Universitetin e Tiranës. Ajo ka sjellë në shqip autorë të njohur të letërsisë italiane, si Umberto Eko, Alberto Moravia, etj.

Genciana Abazi Egro

Prof. Asoc. Dr. Genciana Abazi-Egro është studiuese e letërsisë dhe e çështjeve të kulturës. Nga janari 2017 është pedagoge në Departamentin e Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET. Ajo është titullare e lëndëve Analizë Kritike e Ligjërimit dhe Semiotikës. Nga viti 1993-2016 ka punuar si kërkuese shkencore në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më pas Qendrës së Studimeve Albanologjike. Në vitet 2008-2016 titullare lëndësh dhe udhëheqëse shkencor në programet MA dhe Doktoraturë në Qendrën e Studimeve Albanologjike. Gjatë vitit akademik 2000-2001 ka dhënë mësim në Universitetin Bilgi të Stambollit, Turqi. Ka botuar edicionet tekstuale kritike të letërsisë shqipe të shek. 18 (Divani shqip i Nezim Beratit, 2009; dhe Poezitë e Hasan Zyko Kamberit, 2016). Studimet doktorale (1996-2001) i ka kryer në Fakultetin e Letrave në Universitetin e Ankarasë.

Alda Bardhyli

Alda Bardhyli ka një përvojë të gjatë në fushën e botimeve dhe medias. Ajo ka drejtuar revistën letrare “Saras”, si dhe suplemente letrare që kanë pasur në fokus letërsinë. Bardhyli është autore e projektit “Letërsia dhe qyteti”, i cili prej disa vitesh e ka bërë letërsinë dhe autorët të dominojnë me debate në ndryshme në jetën publike si dhe shumë recencave mbi libra dhe autorë. Ajo është autore e një libri me tregime, si dhe përkthyese e Anna Godbersen në gjuhën shqipe. Bardhyli është kuratore e librit “Maks Velo, jetë paralele”, i cili sjell për herë të parë në publik dosjen sekrete të përndjekjes së një artisti. Së fundmi i është kushtuar studimit të veprës dhe jetës së Kadaresë. Bardhyli është drejtore e Botimeve UET PRESS. /Gazeta Liberale

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme