Jashari: Sami Lushtaku, dyfytyrësh

Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka akuzuar paraardhësin e tij në Komunë Sami Lushtakun, i cili njëherësh është edhe kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj, se nuk është treguar i sinqertë me të as në fushatë zgjedhore e as pasi është zgjedhur në krye të Komunës.

Ndonëse Lushtaku e kishte përkrahur publikisht në fushatën e fundit zgjedhore kandidaturën e djalit të heroit të kombit, Hamëz Jashari, Bekimi thotë se një përkrahje e tillë nuk ka qenë e sinqertë atëherë, prandaj tash po i shkaktohen probleme në qeverisje.

“Sami Lushtaku në fushatën e fundit e ka përkrahur publikisht kandidaturën time, por që të jem realist ajo deklaratë ka qenë vetëm për medie, pasi që as atëherë nuk ka qenë e sinqertë, njëjtë siç nuk është e sinqertë as sot. Kam informacione që Samiu jashtë medieve kur ka dalë për fushatë nëpër oda, ku s’ka kamera, nuk e ka thënë të njëjtën gjë për mua si para kamerave. Por, kjo le të jetë në ndërgjegjen e gjithsecilit”, thotë Jashari gjatë intervistës për “Zërin”.

Përpos problemeve që i kanë dalë me asamblistët e PDK-së në nivel lokal e të cilat, siç thotë ai, po i shkakton një grup i caktuar, Jashari ka folur edhe për zhvillimet politike në nivel qendror.

Teksa nuk ka dashur të komentojë nëse presidenti Thaçi duhet t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, kësaj të fundit ka thënë se është dashur t’u vihen kushte, sepse ende nuk ka kërkuar falje as për krimet e bëra me vetëdije të plotë në Kosovë.

 

Lini Një Koment