Jeta është dhuratë që të jepet vetëm një herë…

Shkruan: Xhevdet Pozhari

Ka njerëz që rrezikun e zgjedhin si shok të jetës. Nuk mund të jetojnë pa adrenalinë. Veçanërisht, kjo mënyrë e jetesës është më e shprehur në moshë të re. Sa më shumë që hyjmë në moshë dhe krijojmë familje, nisim të ngjajmë gjithnjë e më shumë me prindërit tanë.

Gradualisht shndërrohemi në atë që dikur e kemi kundërshtuar – kontrollues dhe jo rrezikues. Ia shkulim vetes disa “liri” që në të kaluarën kanë qenë shijime të veçanta. Ngaqë dashuria që ndjejmë për ata që na rrethojnë, sidomos fëmijët, na shndërron në robër. Na bën që pedaljen e gazit në makinë ta shtypim veç kur kemi ndonjë urgjencë në spital, e në vozitje të lirë gjithnjë e më shumë ta frenojmë. Siç frenojmë edhe për vendimet e rëndësishme në jetë.

Por, disa zgjedhin të jetojnë ngutshëm. Janë në garë të përhershme me moshën, pjekurinë. Ndjehen të vrullshëm dhe të rinj, e nuk bëjnë kompromise me mplakjen. Të tillët vdesin të rinj. Shndërrohen në vuajtje të pangushellueshme për prindërit, fëmijët, rrethin.

Pashmangshëm shtrohet pyetja, – cila adrenalinë mund të jetë më e fuqishme, më drithëruese, sesa dashuria e atyre që janë kuptim i jetës?!

Prandaj, nëse ndonjëri nga ju që lexoni këta rreshta keni afinitet për sporte të rrezikshme apo profile ekstreme, ndjeni vazhdimisht nevojë për adrenalinë, ndaluni pak dhe mendoni! Jeta është dhuratë që të jepet vetëm një herë… E, ju jeni dhurata më e çmuar e prindërve tuaj, fëmijëve tuaj… Njeriu lind, dashuron dhe vdes vetëm një herë në jetë.

Freno, ndale gazin sepse duke u ngutur e nesermja mund të mos vijë kurrë. Dhe, në përpjekje për ta përjetuar adrenalinën ekstreme, njerëzve që të duan mund tua shkaktosh plagën e përjetshme!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme