Kadri Veseli: Kufijtë dhe territori ynë janë të paprekshëm

Kryetari i Kuvendit përmes një deklarate në Facebook ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe kufijtë e saj janë të paprekshëm.

Veseli ka thënë se dilemat dhe kundërshtimet rreth shënjimit të kufirit me Malin e Zi duhet të sqarohen në mënyrë që vendi të ecë përpara.

Statusin i plotë:

Ne si gjeneratë, nuk jemi të thirrur t’i ndreqim padrejtësitë e së kaluarës, por të garantojmë të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës, të shpallur më 17 Shkurt të vitit 2008.

Ne jemi shtet sovran. Kufijtë dhe territori ynë janë të paprekshëm. Ne udhëhiqemi nga politika e fqinjësisë së mirë dhe nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër. Pavarësia e Kosovës ka fuqizuar paqen, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tonë.

Të gjithë ne, pavarësisht dallimeve politike, qëndrojmë të bashkuar rreth këtyre parimeve. Dilemat dhe kundërshtimet rreth shënjimit të kufirit me Malin e Zi duhet të sqarohen në mënyrë që vendi të ecë përpara. Askush nuk e do stagnimin dhe bllokimin. Vetë interesimi i gjithanshëm që ka ngjallur ky debat e dëshmon këtë. Le të jetë pra ky një fillim ri. Një fillim i përbashkët. Një fillim që do të meritojë të shënohet në fletët ende të pashkruara të historisë sonë. K.V.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë