Kandidati i Nismës po hetohet për falsifikime të dokumenteve për statuset e veteranëve (Dokument)

Kandidati i Nismës për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj, është duke u hetuar për korrupsion prej Drejtorisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

Xhemajlaj po hetohet për mitmarrje, në këmbim të dhënies së statusit të veteranëve dhe invalidëve të luftës për disa qytetarë të komunës së Drenasit, të cilët përkundër që nuk kanë qenë asnjëherë pjesëtarë të UÇK-së, sot gëzojnë statusin e veteranëve dhe benificionet e tij.

Ata janë regjistruar si pjesëtarë të batalionit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, komandant i së cilës ishte vetë Isa Xhemajlaj.

Të dhënat e aplikacionit të Isa H. Xhemajlaj për statusin e invalidit si komandant batalioni

Lajmi.net ka siguruar shkresën që i është dërguar Komisionit Qeveritar për shqyrtimin e ankesave, e cila më tej i ishte përcjellë edhe Prokurorisë së Shtetit dhe Drejtorisë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, mbi bazën e së cilës kanë nisur hetimet kundër Isa Xhemajlaj, tash kandidat për kryetar të Drenasit nga radhët e Nismës për Kosovën.

Bëhet fjalë për shtatë veteranë dhe një invalid të kontestuar të luftës së UÇK-së me mbiemrin Zariqi, të cilët i kanë marrë statuset, duke aplikuar si pjesëtarë të batalionit të komanduar nga Isa Xhemajlaj.

Ankesa drejtuar Komisionit Qeveritar, e përcjellë në Prokurorinë e Shtetit dhe në Drejtorinë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës

Xhemajlaj si komandant i këtij batalioni është i dyshuari kryesor i legjitimimit të tyre kundërligjshëm.

Banorët e lagjeve Zariqi dhe disa qytetarë të tjerë, që gjatë kohës së luftës kishin jetuar aty, e kishin deponuar këtë ankesë më 28 prill 2015 si dëshmitarë, duke kërkuar nga Komisioni që të respektohet neni 13 i Ligjit Nr. 04/L-261 për veteranët e luftës së UÇK-së, i cili parasheh ndëshkimet për deklaratat e rreme dhe falsifikimin e dokumenteve për përfitimin e statusit dhe të drejtave e benificioneve të tij.

“Kërkojmë nga Komisioni të respektohet Neni 13 i Ligjit Nr. 04/L-261 si ndaj të përmendurve më lart, po ashtu edhe ndaj atyre që nënshkruan aplikacionet e tyre duke legalizuar përmbajtje të pavërtetë”, shkruan ndër të tjera në ankesën e banorëve dhe dëshmitarëve të asaj kohe të lagjeve Zariqi. /Lajmi.net/