Kasami: Do të koordinohem me Selën për të hy në qeveri

Si janë duke rrjedhur punët në Lëvizjen BESA pas kongresit të parë ?

Kasami: Pas një procesi të lodhshëm ku me sukses e përmbyllëm me organizimin e Kongresit dhe zgjedhjes të organeve më të larta të partisë, tani jemi duke u përgatitur për mbajtjen e mbledhjes të parë të Kuvendit Qendror të Lëvizjes Besa. Ne tashmë e kemi thirrur mbledhjen e parë për më data 12 mars ku mes tjerave do zgjedhim edhe Kryesinë Qendrore të partisë. Këtë periudhe një javore do e shfrytëzoj duke i takuar gjitha degët e partisë për ti bërë konsultimet e nevojshme rreth propozimeve që duhet të japin degët përkatëse për anëtarët e Kryesisë Qendrore.

A pritet që Kuvendi Qendror të marrë vendim për t’u kyçur në Qeverinë e Zoran Zaevit, sidomos pas deklarimeve të tij të fundit ku tha se ju konsideron mik dhe ju respekton si kryetar i Lëvizjes Besa ?

Kasami: Për të qenë korrekt edhe me opinionin por edhe me anëtarësinë e Lëvizjes Besa duhet të them se ne nuk kemi zhvilluar bisedime për t’u kyçur në koalicionin qeveritar. Është e vërtetë se kryeministri Zaev ka shprehur gatishmërinë e tij për të përfshirë Lëvizjen Besa në qeveri mirëpo unë e kam thënë edhe publikisht atë që ja kam thënë edhe Zaevit, se momentin që do ketë një ofertë konkrete ne do e shqyrtojmë në organet partiake. Ajo që vlen të theksohet në këtë drejtim se ne kemi shprehur hapur mbështetjen tonë për proceset euro-integruese dhe për reformat e ofruar edhe pse kemi shumë vërejtje se për këtë periudhë ka mundur të bëhet më shumë punë sesa është bërë deri më tani. Për momentin ne jemi të fokusuar në ngritjen e zërit opozitar dhe artikulimin e të drejtave të shqiptarëve. Është krijuar një përshtypje e përgjithshme se patjetër duhet partitë shqiptare të jenë pjesë e Qeverisë, ndërsa ne vlerësojmë se pjesëmarrja në qeveri duhet të jetë për të përmbushur kërkesat e shqiptarëve dhe jo vetëm sa për të qenë pjesë e shumicës parlamentare. Kemi raste ne edhe të partive-individë që janë pjesë e shumicës parlamentare por me çka në fakt ata po i sjellin dobi shqiptarëve në veçanti apo shtetit në përgjithësi!?

Cilat janë kushtet tuaja për t’u kyçur në Qeverinë e ardhshme?

Kasami: Nuk e shohim këtë proces si një çështje kushtëzimesh apo Pazar politik. Ne kemi kapacitete intelektuale për të përfshirë në disa sektorë brenda qeverisë që do ndihmonte në përshpejtimin e reformave që priten nga Këshilli i Evropës. Çështja tjetër është se Lëvizja Besa ka një marrëveshje ta quaj xhentëlmenësh me Aleancën për Shqiptarët që është në fuqi që nga raundi i dytë i zgjedhjeve lokale dhe para se të filloj çfarëdo procesi të negociatave unë do takohem edhe me Ziadin Selën për të diskutuar mundësitë e përbashkëta dhe do veprojmë konform konkluzave që do i marrim.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme