Katër të mitur arrestohen për sulmin në ambulancën e Novakut në Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona, të gjithë të mitur, për sulmin e djeshëm në dhomën e një shkolle që shërben si ambulancë në Novak të Prizrenit.

“Lidhur me rastin dëmtim prone të raportuar dje më datë 30.05.2018, në fshatin Novak të Prizrenit, me ç’rast një mashkull K/Serb ka raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar në objektin e një shkolle, konkretisht në dhomën e cila shërben si ambulancë, ku përveç dëmtimit të disa librave për regjistrimin e pacientëve nuk raportohet për ndonjë vjedhje tjetër dhe sipas deklarimit të ankuesit edhe vlera e dëmit është shumë e vogël, ju informojmë se janë arrestuar katër persona”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

“Policia Kosovës menjëherë pas raportimit të rastit ka ndërmarrë veprime efikase dhe efektive hetimore-operacionale në funksion të identifikimit dhe kapjes së të dyshuarve për kryerjen e kësaj vepre penale dhe sot me 31.05.2018, ka rezultuar me arrestimin e tyre. Lidhur me rastin janë arrestuar (4) katër persona të dyshuar, (tri femra dhe një mashkull të gjithë të moshës së mitur), ndaj të cilëve janë në proces edhe procedurat e parapara sipas ligjeve në fuqi. Janë njoftuar prindërit e të miturve si dhe autoritetet për kujdes ndaj të miturve për procedim dhe kompletim të procedurave të rastit sipas ligjeve të aplikueshme”, përfundon njoftimi i policisë.

Lini Një Koment