Kelmendi përplaset keq me ish-bashkpartiakët e tij, shkak “matja e territorit”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka marrë një përgjigje të ashpër nga zëdhënësi i ish-partisë së tij të parë, Muharrem Nitaj i AAK-së.

Reagimit të tij i ka vënë titullin “Marifeti i matjes së territorit-përgjigje Ramiz Kelmendit”

“Ramiz Kelmendi, intermediatori i famshëm, që e kishte ofruar vilën e tij diku në Rugovë, për bisedime ndërmjet Hashim Thaçit dhe Opozitës, për demarkacionin, më në fund e paska nxjerrë kokën! Tregtari i famshëm nga Rugova, që dikur thoshte se ‘do të votoj kundër demarkacionit’, paska ndërru mendje!”, ka shkruar Nitaj në reagimin e tij zyrtar.

“Si gjithmonë, duke e shtyrë agjendën e partnerëve të tij të interesit, por kësaj radhe duke ia kthyer argatin Isa Mustafës, i cili dikur e kishte refuzuar të ishte pjesë e strukturave të LDK-së, e më pas e bëri zvkryeministër”, ka thënë më tej Nitaj.

Siç ka shkruar Nitaj, “pas matrapazit të Akademisë së Shkencave, në sipërfaqe paska dalë edhe ‘ustai i tregtisë’ tash si ekspert i matjeve me, siç thotë teknologji moderne”.

“Ramiz Kelmendi dhe shefat ose partnerët e tij, kujtojnë se kufijtë e Kosovës, janë të një vlerë me ‘mallërat e skaduara që tregtohen nga Serbia apo Mali i Zi’ dhe harrojnë se kufiri nuk caktohet sipas tekave e interesave, as të Isa Mustafës e as të Hashim Thaçit, dhe edhe më pak të ministrave të tregtuar të tyre. ‘Biznesmeni i Qeverisë’, duhet të na tregojë se si po u matka territori pa u caktuar kufijt, as me Malin e Zi e as me Serbinë!”, ka thënë Nitaj. “Se ku janë kufijtë me Malin e Zi, atij dhe të tjerëve si ai, ua kanë treguar qytetarët e Kosovës dhe të Rugovës. Ramiz Kelmendi është mirë ta shtyjë biznesin e tregtinë, kryesisht me Serbinë edhe ndonjë ditë, sepse edhe ajo do të soset shpejt, e të mos na japë ide për matje territoresh, sepse deri me sot asnjë shtet në historinë e caktimit të kufijve, nuk e ka aplikuar një model të tillë. Ku e gjetën këtë marifet se!”, ka thënë në fund të përgjigjes së tij, anëtari i kryesisë e zëdhënësi i AAK-së.

Pak para këtij reagimi, Ramiz Kelmendi e kishte cilësuar si domosdoshmëri përmbylljen e demarkacionit me Malin e Zi.

Në një letër publike ai ka thënë se ideja për të matur territorin vetanak të Kosovës është ide që mundëson dhe hap derën për të gjithë kundërshtarët e këtij procesi që të gjejnë rrugën e daljes dinjitoze nga kundërshtimi i demarkacionit në emër të humbjes së territorit.

“Të gjithë pajtohemi se Kosova është shtet që pretendon fqinjësi të mirë me shtetet e rajonit. Kjo fqinjësi bazohet në përmbylljen e kufinjëve, marrëdhëniet politike dhe marrëdhëniet ekonomike. Të gjithë pajtohemi se Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje dhe kjo rezulton edhe me demarkacionin e përmbyllur”, ka shkruar Kelmendi.

Sipas tij, nuk është e dëmshme që Kosova të bëjë matjen e territorit të vet, sa herë që dëshiron, një herë apo dy herë.
“Nëse sipërfaqja e matur, sipas kufinjëve që i kemi në të gjitha hartat, është e barabartë me sipërfaqen e regjistruar dhe pranuar ndërkombëtarisht 10.883 km2 deri 10.902 km2, atëherë kjo tregon se ne e kemi tërësinë territoriale të gjithën dhe nëse kjo rezulton më pak se kjo vlerë, atëherë me të drejt kërkohet matja e territorit të shtetit fqinjë dhe kërkesa për të kthyer sipërfaqen e munguar”, ka shkruar Kelmendi.

Madje, çdo tentim matjeje e territorit të shtetit fqinjë nga ana jonë është tentim për të ngritur tensione politike dhe për prishje të marrëdhënieve ndërshtetërore.
“Kjo prishje e kërkuar është edhe interes i atyre shteteve të cilat nuk e kanë pranuar shtetësinë dhe kontestojnë edhe territorialitetin. Matja e territorit vetanak është derë për të dal nga ky ngërç politik dhe për ti hapur derë edhe kuptimit të mbështetjes së gabuar të ekspertëve të cilët dëshirojnë të nxisin mospajtime, ndërsa sa i përket asaj që thuhet se kemi humbur një tokë të askujt, është thënie fshatareske e utrinave të fshatit, që në praktikat shtetërore moti nuk ekziston”.

Vetë Kelmendi ka shtruar pyetjen: A duhet që nga prolongimi i matjes vetanake territoriale, që mund të realizohet në një kohë pune prej 30 minutash me programe të sofistikuara, të pësojnë të gjithë qytetarët nga privimi i liberalizimit të vizave në këtë kohë të nevojshme pune ?

“Heqja nga rendi i ditës, me zgjidhje reale e çështjes së demarkacionit, shpejton rrugëtimin tonë integrues dhe sjellë vizat”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme