Kërkohet burgim i përjetshëm për ish-spiunët jugosllavë

Prokurorët të martën kërkuan dënim me burgim të përjetshëm për ish-oficerët e shërbimeve sekrete jugosllave, Josip Perkoviq dhe Zdravko Mustaq, në gjyqin për vrasje në Gjykatën e Lartë në Mynih, transmeton Shekulli. Të dy burrat, të cilët janë në gjyq që prej tetorit 2014, akuzohen për urdhërim, planifikim dhe organizim të vrasjes së emigrantit kroat Stjepan Gjurekoviq në Gjermani në vitin 1983.
Prokuroria tha se të akuzuarit meritonin dënim me burgim të përjetshëm, sepse ata morën pjesë në vrasje dhe jo vetëm e nxitën atë. Prokurori i lartë i shtetit Lienhard Ueis paraqiti prova të detajuar para gjykatës të çelësit të garazhit ku u vra Gjurekoviq dhe të strukturës së Shërbimit Shtetëror të Sigurimit, SDB, dhe rolit që Perkoviq dhe Mustaq kishin në të.

Ueis deklaroi se SDB e konsideronte vrasjet e emigrantëve një veprim të ligjshëm, duke theksuar se një numër emigrantësh u vranë nga SDB-ja gjatë viteve. Ai u shpreh gjithashtu se SDB-ja e intensifikoi numrin e vrasjeve jashtë vendit pas vdekjes së presidentit jugosllav Josip Broz Tito në vitin 1980. Kolegu i Ueiss, Stefan Ueiland, e përshkroi Mustaq si personin lidhës midis SDB-së dhe autoriteteve jugosllave, duke përmendur gjithashtu dëshmitarë që e përshkruan Perkoviqin si një figurë tepër të rëndësishme në luftën e shtetit komunist jugosllav kundër emigrantëve politikë.

Ueiland përshkroi marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe shtetit të atëhershëm të Gjermanisë Perëndimore, dhe sesi çështjet brenda SDB-së u caktoheshin personave të ndryshëm, “agjentët e të cilëve ishin në pozitën më të mirë për të vepruar”. Ai pohoi gjithashtu se zyrtarët jugosllavë informoheshin gjithmonë për të gjitha veprimet e mëdha të ndërmarra nga SDB-ja. “Nuk kishte asnjë veprim të madh jashtë shtetit në të cilin zyrtarë në nivel kombëtar dhe federal jugosllav nuk ishin të përfshirë,” tha ai.

Avokati i Perkoviq, Ante Nobilo, tha se prokuroria kishte shmangur dy fakte tepër të rëndësishme. Njëri ishte se nuk kishte asnjë provë që vrasësit e pritën Gjurekoviqin në garazhin ku ai u vra dhe se ish-agjenti i shërbimeve sekrete dhe dëshmitari i gjykatës, Krunoslav Prates, nuk mund ta dinte se kur Gjurekoviqi do të ishte në garazh apo ta ndante atë informacion me Perkoviqin.

Sipas aktakuzës, Zdravko Mustaq, kreu i shërbimit të sigurimit të shtetit jugosllav në atë kohë, e urdhëroi Perkoviqin të organizonte vrasjen e Gjurekoviqit në vitin 1983. Motivi i dyshuar i vrasjes ishin kritikat e Gjurekoviqit ndaj regjimit komunist në Jugosllavi. Si Mustaq ashtu edhe Perkoviq e kanë deklaruar veten të pafajshëm. Pasi mbrojtja të bëjë fjalimin e saj mbyllës, gjykata me shumë gjasa do ta japë vendimin javën e ardhshme.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë