Kërkohet paraburgim për dy persona në Gjakovë, dyshohen për vjedhje të rëndë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim ndaj dy të pandehurve, Xh.M. dhe B.V. nën dyshimin për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Ata dyshohet se më 4 shkurt 2020 në gurëthyesin “Shkoza” në Rahovec, kishin vjedhur pasurinë e të dëmtuarit, shtetasit turk E.E.

“Duke e shfrytëzuar momentin kur nuk ishin prezent punëtorët, së pari kontaktojnë me të pandehurin B.I., me të cilin paraprakisht i prezantohen si pronarë të gurëthyesit, e më pas dakordohen që pajisjet metalike i njëjti t’i blejë në vlerë 4400 euro. Të nesërmen, që të tretë pajisen me mjete të përshtatshme për prerjen e pjesëve metalike dhe transportimin e tyre, duke marrë pjesë të ndryshme të makinerisë së gurëthyesit, ku sipas pronarit kanë arritur të shkatërrojnë pjesërisht pronën e tij, ku vlera e dëmit ka arritur shumën rreth 250.000 euro”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurve ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

Lini Një Koment