Kim Mehmeti: Çdo parti maqedonase dhe çdo stacion policor, i ka pasur dhe i ka shqiptarët e vet!

Koalicionin parazgjedhor mes LSDM-së maqedonase dhe partisë së Bilall Kasamit e ka komentuar edhe shkrimtari ynë Kim Mehmeti. Sipas tij, pasi që BDI-ja e zhbëri parmin që qeverinë ta bëjnë partia fituese maqedonase me atë shqiptare, tani partive maqedonase u është hapur rruga që të veprojnë me “partitë” e tyre satelite shqiptare. Apo se ato tani do kenë grupet e veta shqiptare me vula partiake, e të cilët në të vërtet do jenë “aktivistë” të partive maqedonase.

Kim Mehmeti vlerëson se partitë maqedonase tani do e kenë edhe më të lehtë të veprojnë sipas parimit se më lirë të del të paguash shtrenjtë qindra shërbëtorë tu besnik shqiptarë, se sa tërë popullit t’ia japësh hisen që i takon.

Më poshtë ua sjellim komentin e plotë të Kim Mehmetit të publikuar në faqen e tij to FB.

“Ja një përgjigje të shkurt pyetjes së miqve të kësaj faqeje se çka mendoj lidhur me koalicionin parazgjedhor mes LSDM’së maqedonase dhe ‘Klanit të Llërcës’ që fshihet pas vulave të Lëvizjes Besa.

Jo tani, por që nga koha e Titos e këtej, çdo parti maqedonase dhe çdo stacion policor, i ka pasur shqiptarët e vet të besueshëm, por kurrë nuk ka ndodhur e kundërta: që ndonjë parti shqiptare, apo stacion policor i komanduar nga shqiptari, të ketë pasur maqedonasit e vet.

Dhe qëkur BDI-ja u bë pjesë e qeverisës së fundit të LSDM’së, duke shkelur kështu mbi parimin që koalicionet qeveritare t’i bëjnë partitë fituese maqedonase e shqiptare, është hapur shtegu që çdo parti maqedonase të ketë ‘partinë” shqiptare me vula, me të cilën do e bëjë koalicionin qeverisës shumetnik!

Pra partitë maqedonase tani do gjejnë një grup shqiptaresh të besueshëm, të cilëve do ua japin vulat e partisë, që do i vënë në krye të listave zgjedhore, që të votohen nga maqedonasit, që pastaj të bëjnë grup parlamentar, me çka do e vazhdojnë veprimtarinë ‘atdhetare’ e ‘patriotike’ që deri më sot e bënte BDI’ja tanë më e harxhuar – përçaje shqiptarinë natën, e bashko atë ditën!

Dhe e gjithë kjo nuk e shpërfaq mençurinë e madhe të qarqeve politike e policore maqedonase, por injorancën politike shqiptare, siç e shpalos edhe urinë e papërmbajtshme të disa shqiptarëve për të qenë sa më pranë grazhdit të shtetit.

Shikuar nga ky këndvështrim partitë maqedonase do vazhdojnë të sundojnë të mbështetur nga ‘vasalët’ shqiptarë me vula partiake, pra do vazhdojnë ta praktikojnë parimin: më lirë të del t’i kesh e t’i paguash shtrenjtë qindra shqiptarët tu besnik, se sa tërë popullit t’ia japësh hisen që i takon.

Por kjo e keqe e ka një të mirë: e peshon saktë pjekurinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe nëse ata nuk ia dalin ta kuptojnë e ta lexojnë këtë lojë poshtëruese që ua bëjnë partitë maqedonase me shqiptarët e tyre besnik, atëherë ky është problem që ka të bëj me ta, e jo me partitë maqedonase dhe me shqiptarët e ‘partive me vula’.”, shkruan Kim Mehmeti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme