Kim Mehmeti: Pse Piktori ulërin dhe e mbron UÇK’në në Kosovës dhe në Kuvendin e Shqipërisë, e jo nëpër qendrat e botës?!

Në faqen e tij të FB, shkrimtari ynë Kim Mehmeti ka komentuar fjalimin e djeshëm të Presidentit Thaçi dhe vizitën e Ramës në Kosovë.

Sipas tij, Rama do duhej ta bindte botën ta dënonte Vuçiqin dhe të mos i barazonte  luftëtarët shqiptarë të lirisë me kriminelë serb, e jo të ulërinte në Kuvendin e Shqipërisë dhe të vinte në Kosovë që neve shqiptarëve të na bind se ai që prek UÇK’në,  ka prekur tërë shqiptarinë.

Kim Mehmeti pohon se edhe Presidentin serb duhet ta ketë pikëlluar lajmi se Thaçi do mund të akuzohet për krime lufte, sepse kështu dëmtohet miqësia e tij me Presidentin e Kosovës dhe Ramën, miqësi që atij ia  shpërlau të shkuarën kriminale.

Më poshtë mund ta lexoni komentin e plotë të Kim Mehmetit.

“Më pyesin se a e kam dëgjuar fjalimin e djeshëm të Presidentit të Kosovës? Po si mund të dëgjosh një fjalim patetik dhe përplot me ‘lot’, fjalimin e burrështetasit të cilit lotët e fëmijëve varfanjak dhe  populli i vet i kujtohej vetëm kur i rrezikohet karriera politike, atëherë  kur vetvetja i duket sa e gjithë UÇK’ja, kur nuk i duhemi më të copëtuar e të ndarë, por të bashkuar rreth fatit të tij politik, e të cilin e barazon me fatin e mbarë shqiptarisë?!

Pastaj më pyesin se ç’mendoj lidhur me vizitën e Piktorit në Kosovë?! Ç’mund të mendosh për mikun e ngushtë të Presidentit serb, për Kryeministrin e mëmëdheut tonë i cili, në vend  që ta bind botën sa e turpshme dhe e pandershme është që luftëtarët shqiptarë të lirisë, t’i barazosh me kriminelët serb, ai ulurin në Kuvendin e vendit të vet dhe vjen në Kosovë që neve shqiptarëve të na bind në atë që e dinim para se ta kuptonte ai: se ai që i prekë vlerat dhe shenjtërinë e UÇK’së, ka prekur e dëmtuar mbarë shqiptarinë!

Dhe të jem i sinqertë: më duket se nga e keqja e papritur që i ra mbi qafë Presidentit të Kosovës – dhe që nuk besoj ta ketë gëzuar ndonjë shqiptar – duhet të jetë pikëlluar shumë edhe ‘zagari’ i dikurshëm i Sheshelit dhe Millosheviqit – Presidenti i sotëm i Serbisë?! Ai të cilit Piktori i ‘Rilindjes dhe Presidenti i Kosovës thuajse ia shpërlan të shkuarën e errët kriminale – atë të kaluar kur lëvdohej se për një serb të vrarë do likuidoj me qindra boshnjak – me çka e ngritën në rrafshim e shëmbëlltyrës të njeriut paqedashës dhe të dehur nga dashurisë ndaj shqiptarisë!”, shkruan shkrimtari  ynë Kim Mehmeti.