Kimete Berisha godet islamofobët: Veç shqiptarit i ban vaki edhe musliman edhe islamofob!

Kimete Berisha

Si u bë feja islame kaq e ‘gjallë’ dhe atraktive!

Të gjitha religjionet lindën në Lindjen e Mesme, edhe ‘Zoti’ i Perendimit ‘lindi’ në Lindje!

Ka shpjegim logjik kur sheh neveri dhe islamofobi te individë apo grupe të religjioneve dhe besimeve të tjera, të atyre që nuk e duan asnjë fe, apo te ata që nuk kanë nevojë për fe e për Zot, por kur shqiptari mysliman bën sikur islamofob, kjo është për studim.

Veç te shqiptarët ndodh kjo: edhe është mysliman, edhe islamofob.

Dhe thotë: babë e babëgjysh i kam pasur hoxhallarë, se nuk është kundër xhamisë, por është kundër xhamisë, sherri se s’po na do Evropa (e s’po na liberalizohen vizat).

Tash sipas kësaj ‘dialektike’ u dashka me qenë mysliman ‘tinëz’, me ndërtu xhamia nëntokësore, veç mos m’u duk ‘primitiv’.

M’u dukë perëndimorë, nuk mjafton të jetosh në Perendim?

Po edhe perëndimorët e ‘gjetën’ Zotin në Lindje.

Por ama nuk ka fe moderne, të gjitha fetë janë më të vjetra se feja islame!

E kemi parë se feja Islame ka lulëzuar kaq shumë viteve të fundit!
U bë fe e nevojshme dhe e domosdoshme!

E qysh arriti të ngjallet pa ‘vdekur’ më parë!
Qysh arriti të bëhet ‘kaq e gjallë”?
Sepse, u bë pjesë e jetës së përditshme dhe e brengave të kësaj bote.

Feja islame, nëpërmjet hoxhallarëve dhe imamëve ka arritur të bëhet pjesë e zgjidhjeve të probleme reale, prej mësyshit, martesës, deri te shëndetësia.

Me lutje, me ajmali, me këshilla, ditë-natë, imamë e hoxhallarë, të brengosurve dhe dertlinjëve u japin një përgjigje, një këshillë, një sugjerim, ua tregojnë një rrugë, ua japin një çelës, ua çelin një derë.

S’di unë a është strategji, a s’është, veç e di se metoda më e mirë për t’u lidhur me dikë është të bëhesh pjesë e jetës së tij të përditshme.

Jo veç pjesë e festave, e datave, e ditëlindjeve, e solemniteteve.
Kujtimet krijohen nga jeta e përditshme, jo nga festat.

Pra, feja islame te shqiptarët, u rritë dhe u shtua, sepse u bë pjesë e jetës së përditshme.

Është fe ‘e gjallë’, që futet ‘Live’ në jetën e secilit që ka halle e derte, e të atillë që s’kanë derte, nuk ka.

Pra, feja islame i josh besimtarët sot, jo duke folur për vdekjen dhe ahiretin (jo duke i ftohur nga jeta) por duke u ndihmuar njerëzve të jetojnë të sotmen më lehtë.
Kjo e ka bërë fenë islame sot atraktive te të rinjtë.

Për shembull, e sheh ti një ëndërr të keqe, i shkruan hoxhës, apo e thërret në telefon, ai të përgjigjet menjëherë dhe ta qan hallin. Ndjehesh se nuk je i vetmuar dhe i braktisur.

Nëse nuk merr pjesë në jetën e përditshme të besimtarit, përfundon jashtë jetës së besimtarit.

Nëse kleri mban distancë me besimtarin, distanca e tillë duket më largët se Zoti.

Distanca e ‘ruan’ respektin për klerin, por e shuan dashurinë dhe nevojën për të.

Se respekti është i ftohtë, është një luks, si broshi që e mban në jakën e setrës.
Pastaj, sa më shumë broshe, bëhesh më qesharak.

Ti ke nevojë veç për ata që të ndihmojnë të qetësohesh dhe të jetosh më mirë.

Ti më së paku ke nevojë për respekt, për shembuj ‘të huaj’, për ‘vuajtjen e huaj’ dhe për ‘botën tjetër’, ti ke nevojë jo për të të mësuar të vdesësh (ata që nuk e kanë provuar vdekjen),
por ke nevojë për të jetuar sot, dhe për t’i zgjidhur problemet e sotit, e jo dilemat e shekujve.

Unë s’di kush e ka mirë e kush e ka keq, por e di se ‘stërvitjet e dashurisë dhe besimit’ duhet të jenë të përditshme, si stërvitjet e trupit, nëse nuk do që të trashet mendja.

Njeriu i ndershëm vuan i ngrati shumë, dhe pandërperë ka nevojë të dijë për shembull pse gjithë kjo vuajtje, pse nuk e lënë rehat, pse ‘veç atij’ nuk i ecë zari, pse kjo pabarazi, pse gjithë këto padrejtësi, dhe anipse Profeti u flijua për ne, vuajtja s’ka të sosur.

Unë ndjehem si personazh kartolinash e Krishtlindjeve, ju kam treguar, por ndjehem ashtu, e lehtë dhe e lumtur veç për Krishtlindje.
Pastaj, kur kryhen Krishtlindjet, ‘dal’ nga kartolina dhe s’di kë ta pyes ‘A më keq është të vdesësh nga uria, apo të të hanë për së gjalli’.

Gjithkush ka nevojë për dikë non-stop online që të jep përgjigje për shembull, pse në këtë zhurmë kaq të madhe ‘ndjehesh e zbrazur si kozmosi’.

E kur e merr përgjigjen se ‘Tupani bën zhurmë kaq të madhe, sepse është i zbrazur’, qetësohesh, të duket se asgjë nuk ndodh rastësisht dhe se çdo gjë është e shkruar.

Se përndryshe, nëse edhe pse asgjë nuk është e shkruar, nuk jemi në gjendje ta shkruajnë fatin tonë si duam ne, s’ka pshtim!

Feja është nevojë. Pa Zotin ‘nuk rrihet’!

Një filozof ka pyetur ‘A më i vjetër është Zoti, apo ideja e njeriut për Zotin’, por nuk ka marrë përgjigje.

Fetë e kanë të njëjtin atdhe dhe janë të frymëzuara nga njëra-tjetra.

Nëse feja u frymëzua nga feja, dhe nëse në K’uran Profeti Isa (Jezusi) përmendet më shpesh se profeti Muhamed, kush je ti që përzihesh në punët e profetëve.
Kush je ti që e mbron një shtëpi të Zotit duke e sharë një shtëpi tjetër të të njejtit Zot!

Ulpiana ndoshta më mirë t’ishin organizuar ta fitojnë luftën e dekadave me kacabu ‘bubashfabat’, me bërllogun që na ka mbuluar,
me farat e lulediellit në trotuare,
me pështymën në xhade;
me miliona padrejtësi,
me diskriminimin,
me punësimin me t’njofshëm,
me mizat dhe insektet që na kanë pushtuar…
derisa kryetari i Prishtinës e lëshon mjekrën, baras me therrat e barin e keq gjithkah…
e me shumë e shumë probleme tjera banale që i ka veç një shoqëri që merret eksluzivisht me ‘tema të mëdha’.

P.S. Xhamia e Madhe në Prishtinë nuk ndërtohet nga paret e xhepit të Presidentit Erdogan, por nga taksat e popullit turk.
Sa për ata, gjynahet lërmi mua.