Kjo është arsyeja pse presidenti çek i dha ‘zemër’ Serbisë me deklarata kundër Kosovës

Kanë vazhduar edhe më tutje polemikat për Kosovën në Çeki lidhur me mundësinë që ky shtet ta tërheq njohjen e pavarësisë.

I fundit që është përfshirë në këtë debat është zëvendëskryeministri çek, Karel Havliçek.

Ai ka dhënë një tjetër version të arsyes së deklaratave të presidentit Milos Zeman, që në Beograd paralajmëroi tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Havliçek, që përveq postit të zëvendëskryeministrit mban edhe postin e ministrit të Tregtisë, thotë se deklaratat pro një shteti mund ta nxisin zhvillimin e mëtutjeshëm të tregtisë mes dy vendeve.

Ai përmend faktin që  Çekia është investitori i katërt më i madh në Serbi.

“Raportet me Serbinë janë jashtëzakonisht të shkëlqyeshme. Ne jemi investitori i katërt më i madh aty. Jemi në sektorët e ushqimit, bankave dhe telekomunikacionit. Atje kemi dërguar një aeroplan me plotë investitor të interesuar”, thotë ai.

Në një kontekst të tillë, Havliçek thotë se “nëse një njeri, zyrtar i lartë flet në favor të një shteti, ai  i kontribuon investimeve dhe tregtisë”, thekson ai.

Një anë krejtësisht të kundërt të qëndrimeve e ka ministria e Jashmte e Çekisë. Ata vlerësojnë se qëndrimi karshi Kosovës nuk do të ndryshojë.

Ndërkaq, sot gjatë ditës, edhe Partia Komuniste e Çekisë ka kërkuar që deklaratat e presidentit Zeman të merren parasysh dhe shteti të shikojë mundësinë e tërheqjes së njohjes ndaj Kosovës. 


Lini Një Koment