Kjo është domethënia e shqiponjës dykrenore në flamurin shqiptar

Flamuri i Shqipërisë përveç që është shumë i vjetër vlerësohet si njëri ndër më të bukurit në mbarë botën.

Por, cila është domethënia e këtij flamuri, e ngjyrave kuq e zi, e shqiponjës dykrenore?

Përgjigje në këto pyetje jep historiani Muhamet Mala.

Profesori Mala ka thënë për gazetën “Zëri” se  përdorimi i shqiponjës si simbol në jetën politike por edhe atë fetare, i ka fillet qysh herët në histori. Sipas tij, shqiponja në vete ngërthen shumë elemente fisnike, çka e ka bërë atë simbol të adhuruar.

“Qysh herët në histori është përdorur shqiponja në jetën politike e fetare, tek kjo e fundit tek besimet pagane. Shqiponja në vete ngërthente shumë elemente fisnike. Ajo paraqiste krenarinë, lirinë e forcën. Në kohët antike madje thuhet se Zeusi ushqehej me qumështin e dhisë së Amalfit që ia sillte shqiponja, dmth ishte ushqyese e zotërove… Mendohet se shqiponja ka qenë shpend, totem i adhurimit edhe në mitologjinë e Zeusit, e kjo edhe pse ka të bëjë me mitologjinë greke, lidhet edhe me sfondin pellazg. Shqiponjën e përdor edhe Pirroja e Epirit, madje në një rast kur korr një fitore në Itali luftëtarët i drejtohen me nofkën ‘shqiponjë’ ndërsa ai ia kthen: ‘Unë jam shqiponjë, por ju jeni krahët e mi’. Prandaj, ai e përdorte shqiponjën si simbol të madhështisë së tij. Shqiponjën e hasim edhe në Perandorinë Romake e atë Bizantinë. Falë namit të tyre, besohet se është përhapur edhe tek popujt e tjerë”, ka deklaruar Malaj.

Sipas profesorit universitar, Skënderbeu e mori këtë simbol duke aluduar në Pirron dhe rëndësinë simbolike të shqiponjës.

“Shqiponjën e gjejmë edhe tek shteti i parë i Arbërit në vitet 1199-1216, kur pushtetin e ka Dinastia e Progonit me Gjinin dhe Dhimitrin. Ata ishin të vetëdijshëm për kontinuitetin historik dhe tentoni t’i përdornin simbolet që kishin krijuar një lloj tradite. Traditën e vazhdoi edhe shteti i Skënderbeut me shqiponjën e cila ishte stemë e Kastriotëve. Por, unë nuk mendoj që Skënderbeu atë e mori sepse ishte bizantine, sepse në ato vite Bizanti ishte në rënie e sipër. Ai e mori atë duke aluduar në Pirron dhe rëndësinë simbolikë të Shqiponjës. Përdorimi i saj nuk është i rastësishëm, por vazhdimësi e përdorimit të saj nga figura historike shqiptare. Përveçse strateg, Skënderbeu ishte edhe njeri i dijshëm”, deklaron Mala.

Versione të ndryshme nga historianë e studiues jepen edhe për simbolikën dykrenore të shqiponjës me dy koka.

“Disa mendojnë se simbolizon lindjen dhe perëndimin, përkatësisht shikimin kah lindja dhe perëndimi. Mirëpo atë e kanë edhe popuj të tjerë. Në kuptimin simbolik e etnografik, simbolizon forcën e kontrollin nga të gjitha anët, mbajtjen nën kontroll të tërë hapësirës e shikimin. Pra, si shqiponjë dominuese që dominon nga të dy anët e ja japin edhe një forcë më të madhe mendore. Kështu e krijon edhe një simetri dhe duket më bukur. Por nuk ka shpjegim 100 % të saktë.”, ka deklaruar Mala.

Sipas tij, ndërrimi i formës së shqiponjës në flamur gjatë viteve nuk nënkupton diçka që duhet theksuar, por kjo më shumë është bërë për arsye stilistike.

“Ju mund ta shihni se shqiponjën e ka simbol edhe policia. Por, shqiponja e cila simbolizon kombin shqiptar, pavarësisht se e ka ndryshuar formën, nuk e ka ndryshuar bërthamën apo esencën. Kjo mendoj se është bërë më shumë për arsye stilistike të cilat janë bërë në mënyrë institucionale e ligjore, që të duket më mirë. Bazike është ngjyra dhe përmbajtja”, është shprehur historiani.

Sa i përket ngjyrave të flamurit, Mala thotë se nuk ka ndonjë shpjegim të veçantë përveç asaj që e kuqja paraqet gjakun dhe e zeza, ngjyrën e shqiponjës. Por ai e jep edhe një shpjegim tjetër.

“Mos të dalim përtej rrafshit shkencor ku thuhet se e kuqja paraqet gjakun dhe e zeza-ngjyrën e shqiponjës. Por, duhet theksuar se e kuqja dhe e zeza përputhen dhe krijojnë kontrast të bukur, në aspektin artistik. Në aspektin historik, nuk ka shpjegim”, ka përfunduar ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme