Kodikët e shenjtë në shtëpinë e diktatorit Hoxha

Copëza të rëndësishme në plot 14 shekuj histori janë zbuluar përmes kodikëve, kuraneve dhe dorëshkrimeve të vjetra fetare dhe letrare në shtëpinë e ish-diktatorit, Enver Hoxha.

Një pasuri e trashëguar brez pas brezi në vendin tonë, që përfshin trashëgimi kulturore nga të gjitha besimet fetare, si Kodikët e Purpurt të Beratit apo Kurani më i vjetër që i përket shek. XV, që janë edhe pjesë e trashëgimisë botërore kulturore ruhen në Arkivin Qendror Shqiptar, bën të ditur oranews. Kodiku i Purpurt i Beratit, Beratinus I është sot kopja më e vjetër e digjitalizuar që gjendet online në Bibliotekën Digjitale Botërore të UNESCO-s.

Drejtori i Arkivit Qendror Shqiptar, Ardit Bido, tregon si u gjendën në rrënoja, pas një odiseje shumë të gjatë, Kodikët e Beratit, të cilët janë variantet më të vjetër të Biblës në format të purpurt botë. Pas nxjerrjes nga rrënojat, u desh shumë punë për t’i restauruar, proces që u krye në Kinë.

Drejtori i Arkivit Qendror, Ardit Bido: “Këto janë maketet se si janë gjendur Kodikët e Beratit në 1968, kur u hoqën nga gropa ku ishin vendosur në mënyrë që t’i fshiheshin rrezikut fillimit të pushimit italian dhe gjerman, pastaj dhe rrezikut komunist, sikurse dhe kapakët të cilët janë të mëvonshëm të vitit 1805. Shpeshherëe gjatë historisë kapakët ndryshoheshin, bëhej një formë restaurimi me mjetet e kohës dhe rrjedhimisht kapakët janë shumë më të rinj. Kodikët e Berait janë unikal në botë, Kodiku i Purpurt, i pari i Beratit, është i shek.VI, është një ndër pesë kodiklët e të njëjtit shekull të bërë gjatë periudhës së Perandorit Justinian që vijojnë të ekzistojnë në mbarë botën, një prej këtyre është në Shqipëri, katër të tjerët ndodhen në Europë. Ndërsa Kodiku i dytë është i shek.IX, po ashtu i gjendur në Berat. Jemi të sigurt që ndodhet në Berat që prej shekullit të XIV, prej vitit 1356 e në vijimësi, përpara historia e tyre nuk dihet dhe nuk janë thjeshtë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, por janë variantet më të vjetra të Biblës në format të purpurt që ishte një privilegj i perandorit në botë dhe prandaj kjo i bën të veçanta, unikale dhe një pasuri tonën kombëtare të paçmueshme”.

Legjenda e Kodikëve të Beratit ka qenë e njohur. Edhe pse qytetarët nuk kanë mundur t’i shohin më parë nga afër, ata kanë ditur historinë e tyre, ndërsa kureshtjen e kanë shuar në ekspozitën “Përmes në urtësie të pashuar” e cila qëndron ende e hapur në Vilën 31.

Ishte viti 1967, kur lufta ndaj Kishës shkatërroi dhe pasurinë e botimeve të tyre tyre. Sot, në Arkiv gjendet një pjesë e pasurisë që u arrit të shpëtohej në kohën e regjimit komunist. Tematika e teksteve dominohet nga shkrimet e shenjta dhe teologjia, pasi dhe pjesa më e madhe e librave që ka mbërritur ditët tona vjen nga altaret, tryezat apo raftet e tempujve ku adhurohej Zoti.

Ardit Bido: “Kodiku i Vlorës është i shek.XIV. duhet të kuptojmë që Shqipëria ka qenë shumë më e pasur se sa ka mbetur sot. Po marr shembullin e Gjirokastrës që është më evidente se sa e Vlorës. Në Gjirokastër numërohen në shek XIX, 100 kodikë. Sot, ne kemi vetëm një të mbijetuar dhe kjo tregon se në të gjitha trevat shqiptare janë ruajtur dorëshkrimet jashtëzakonisht të vjetra të cilat tregojnë një pasuri kulturore të paçmueshme që nuk e gjen dhe aq shumë në disa vende të tjera. Këta kodikë janë grumbulluar në mënyrë të vazhdueshme në Arkivin Qendror Shtetëror përgjatë regjimit komunist, të cilët kanë qenë të përdorur masivishit në kisha të ndryshme të vendit. Përgjatë regjimit komunist u tentua fillimisht nëpërmjet thirrjes, pastaj nga thirrja shkoi drejt dajakut të mbledhjes së këtyre artefakteve dhe fatkeqësisht pastaj ekziston edhe viti i zi, 1967, ku mania për të prishur kishat dhe xhamitë e vendit nuk prishi vetëm kishat dhe xhamitë, por ka edhe video fatkeqësisht që tregojnë se si dorëshkrime të shumta hidhen në turrën e zjarrit dhe humabsin përjetë. Kjo është një pjesë e pasurisë së mbijetuar përtej këtij viti të zi të traditës sonë kulturore”.

Profesor Jorgji Doksani, thotë se një ndihmesë të madhe për të ruajtur Kodikët kanë dhënë edhe banorët e Kalasë së Beratit.

Profesor Jorgji Doksani: “Kodikët ndodheshin të fsheur në Kalanë e Beratit në mënyrë perfekte nga ata të cilëve iu besua një gjë kaq madhore. Nuk është e lidhur me asnjë nga regjimet, por lidhet kjo ruajtje vlere me dinjitetin e banorëve të Kalasë”

Të tjerë kodikë janë ai i Shkodrës, i cili është i vetmi dorëshkrim që ekziston sot në Arkiv në gjuhën latine. Ndërsa atë të Korçës e bën të veçantë është shkrimi i katër Ungjijve në formën e Kryqit.

Ardit Bido: “Kodiku i Shkodrës është dorëshkrimi i vetëm në gjuhën latine që ekziston sot në Arkivin Qendror Shtetëror, që i ka mbijetuar kohërave. Është i shek. XIV, në latinisht, është jeta e shenjtorëve me kopjist anonim. Kodiku i Korçës i shek. X, është i veçantë në llojin e vet, është katërungjijsh, të katër ungjijt janë të shkruar në formën e një Kryqi, një kopje unikale. Në vitin 2010 janë bërë disa kopjet të tij në miniaturë, mënyrë që të mundet të shijohet si pasuri e trashëgimisë sonë kulturore në vijimësi”.

Por, nuk janë vetëm Kodikët, në Shqipëri ruhet edhe Kurani më i vjetër në Ballkan, i shkruar me blozë si dhe dorëshkrime të vjetra të fesë islame, të punuara me zbukurime dhe detaje të çmuara. Librat që paraqiten janë në persisht, greqisht, latinisht, shqip, arabisht, osmanisht, janë shkruar me dorë apo shtypur në shtypshkronjë.

Mezani, osmanolog: “Ky është Kurani më i vjetër në që ne kemi në Arkiv, është Kurani më i vjetër edhe në Ballkan. E veçanta e këtij Kurani në krahasim me të tjerët është që nuk ka zbukurimet e shek. XIX që janë me ar. Është më i thjeshtë, por kaligrafia e përdorur është thuluth. Kjo lloj kaligrafie është shkruar në shek XIV-XV. Letra e përdorur është organike e cila lyhej me të bardhë veze, ndërsa boja e përdour bëhej nga bloza”.

Para Kuranit të shek.XV që ruhet sot në Arkiv, një pjesë e Kuranit që është përkthyer nga arabishtja në shqip nga Hafiz Ali Korça, ka hyrë për herë të parë në Shqipëri në vitin 1921. Muamer Vuci, president i Shoqatës Miqësore Shqipëri-Vendet Arabe, thotë se kjo pjesë e cila nuk gjendet në Shqipëri është botuar në një enciklopedi të huaj.

Muamer Vuci: “Në një enciklopedi të fuqishme që është botuar në Bejrut të Libanit në vitin 2000, përfshihen të gjitha shtetet e botës ku ka hyrë dhe është shpërndarë Kurani në gjuhën e atij vendi. Shqipëria ishte në ato vende që në 1921, në qytetin Shkodër ka ardhur dhe është përhapur Kurani. Shkodra është simboli i parë i një pjese të Kuranit në gjuhën shqipe. Këtu një vlerë të madhe i jepet shtypshkronjës ‘Depargjia’ në Shkodër, që ishte ndër më të mirat të profilizuara për gjuhë arabe dhe turke. Unë mar përsipër që këtë libër me 700-800 faqe ta sjellë këtu dhe të kopjojnë atë pjesë ku vihet vlera e madhe se si dijetarët shqiptarë, në veçanti Hafiz Ali Korça, se ai është përkthyesi”

Në ekspozitën “Përmes një urtësie të pashuar”. Ndonëse më paktë në numër, nuk mungojnë as tekste të vjetra që përmbajnë letërsi, siç është cikli me poezi “Lejla dhe Mexhnuni”, ku flitet për një histori më të vjetër dashurie se ajo e Romeos dhe Zhuljetës.

Rezart Mezani: “Kjo është një vepër e Fuzulit, tregim në formën e poezisë. Është Shekspiri i mëparshëm ose më i hershëm dhe kemi një histori dashurie midis dy të rinvje që duhen, por asnjëherë nuk arrijnë të bashkohen. Filozofia e këtij libri është që nga një dashuri njerëzore të kalojmë në një dashuri hyjnore. Lejla do të thonë natë, kurse Mexhnun i çmendur. Në fakt, emri i tij është Kajs, por ngaqë humbi Lejlën kthehet në të çmendur dhe në mënyrë figurative i kanë vendosur emrin Mexhnun”

Kodikëve dhe dorëshkrimeve të vjetra fetare, shumë qytetarë që kanë vizituar ekspozitën kanë pasur kureshtje për të parë shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha.

Qytetarë: “Ne nuk e dinim se çfarë është këtu brenda, u futëm për kuriozitet. Kjo dhe në atë kohë ishte e mbyllur, nuk e shihnim as nga jashtë jo të futeshim brenda”.

Qytetarë: “Po, kishim kureshtje për ta parë, prandaj hym, nuk e dinim. Me idenë që do ishte ekspozita e Enverit, diktatorit, prandaj hym. Na pëlqeu shumë”

Ekspozita “Përmes një urtësie të pashuar” do të qëndrojë e hapur deri më 20 maj. Ndonëse librat e dorëshkruar dhe të shtypshkruar që paraqiten në këtë ekspozitë nuk mbulojnë të gjitha tematikat apo periudhat historike të Mesjetës dhe Rilindjes, ata janë elementët e mbetur të një mozaiku të gjerë kulturor, nga i cili shohim fragmente të kohërave dhe vendeve të ndryshme, të mjaftueshme për t’i shfaqur publikut madhështinë e së shkuarës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme