Kombet e vogla, figura të mëdha

Perspektiva e kombeve ndërtohet dhe nuk trashëgohet. Kjo bëhet me përpjekje të vazhdueshme, produktivitet dhe arritje që shënojnë kombet në zhvillimin dhe konsolidimin e tyre. Sigurisht që ky proces është evoluiv, gjithnjë duke u bazuar në rrethanat, mjedisin dhe kohën në të cilën jetojnë dhe veprojnë kombet.
Lindja, ndërtimi dhe zhvillimi i kombeve jo gjithmonë është bërë në baza të shëndosha, shpesh – nëse jo gjithmonë – është bërë kurriz dhe dëm të tjetrit. Varësisht nga zhvillimi i gjithmbarshëm i një kombi rritet dhe konkurrueshmëria e tij në të gjitha zhvillimet e mundshme ashtu sikundër që avansohet pozita ndërkombëtare e tij.

Kombet e zhvilluara konkurrencën e tyre e mbështesin në potencialin dhe kapacitetet ekonomike e sidomos ato industriale për inovacion dhe avansim teknologjik. Mbi këtë bazë kombet e zhvilluara gjenerojnë aq shumë figura të njohura publike, sa që është e vështirë të dallohet më e rëndësishmja ndër më të rëndësishmet.

Aq inovative janë bërë ekonomitë e zhvilluara në glob sa që e kanë bërë të pamundur dallimin se kush është më i vlershëm në një shoqëri e kush më pak. Kjo tashmë është bërë modë e traditë sa askush s’qanë kokën se kush është më ë rëndësishmi.

Nëse deri dje gjiganti i SHBA-së General Motors, kishte qarkullimin më të madh financiar në SHBA e ndoshta edhe në botë, sot kjo ka ndryshuar, sepse janë Apel, Microsoft, Google, Facebook, etj. ato që prijnë. Nëpër vendet e zhvilluara, figurat të shumta të sektorit privat, në një masë janë më prezentë, më të dukshëm dhe më atraktiv në media dhe në jetën publike se sa sektori publik. Por, nuk duhet harruar që në vendet e zhvilluara sektori publik prodhon po aq shumë figura të ndryshme publike, sa që është e vështirë të thuash se cili ka arritur më shumë e cili më pak.

Pra, me një fjalë kombet e zhvilluara janë koherente dhe kohezive sa i përket gjenerimit të figurave të shumta publike me ndikim në fusha të ndryshme të zhvillimit kombëtar, rajonal dhe global, kjo sepse është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik që mundëson një gjë të tillë duke krijuar elita dhe nivele të larta emancipative që drejtojnë shoqëritë.

Ndërkohë që, potenciali i kombeve të vogla dhe sidomos atyre të varfra e në zhvillim është tepër i ngushtë për të prodhuar shumë figura të mëdha. Kjo sepse vetë organika e kombeve të vogla është e tillë sa nuk ka mundësi të jep shumë figura publike me ndikim global në fusha të ndryshme.

Pastaj, ka një dallim në gjenerimin e figurave publike me ndikim në botë mes kombeve të zhvilluara dhe atyre të varfra dhe në zhvillim. Përderisa, kombet e zhvilluara prodhojnë figura publike të të gjitha drejtimeve zhvillimore, kombet e varfra dhe në zhvillim nuk e kanë këtë kapacitet. Përderisa në ekonomitë e zhvilluara flitet për projeksione zhvillimore globale, në ekonomitë e varfëra dhe në zhvillim ende dominon logjika e heronjve. Mbi këtë kuadër lindin edhe figurat e ndryshme publike.

Kombi shqiptar hyn në grupin e kombeve të vogla që sapo ka hyrë në grupin e kombeve në zhvillim. Shikuar rrethanat historike të lindjes, zhvillimit dhe konsolidimit të kombit shqiptar, të jep të kuptosh mundësinë dhe kapacitetet e kufizuara të këtij kombi për të prodhuar figura publike me ndikim në botë. Sigurisht që kombit shqiptar nuk i mungojnë figura të shquara me nam botëror, por vetë rrethanat historike dhe vetë organika e një kombi të vogël, siç jemi ne, nuk ka mundësi të gjenerojë më shumë.

Pa dashur t’i hyj në hak asnjë figure publike shqiptare me nam në botë, në këtë shkrim dua t’i referohem figurës së Adem Demaçit, i cili gjysmën e jetës së tij e kaloi në burgje të rënda jugosllave duke mbrojtur kauzën e drejtë të kombit shqiptar, pra për të qenë i barabartë mes të barabartëve në Evropë. Figura e Adem Demaçit është rast unikat në Evropë, ashtu siç ishte në Afrikë të Jugut, Nelson Mandela.

Kontributi i Adem Demaçit në ndërtimin dhe avansimin e të drejtave të kombit shqiptar në Evropë pati jehonë nëpër qarqe të ndryshme evropiane dhe në botë. Ky kontribut i tij ishte në linjë me përpjekjet e pashembullta shqiptare për evropeizimin e Ballkanit dhe Evropës në tërësi. Ky kontribut ishte në linjë me përpjekjet e kombeve tjera për barazi dhe drejtësi brenda kontinentit të Evropës.

Sikur kombi shqiptar ta kishte të përfunduar konsolidimin e tij, siç e patën përfunduar konsolidimin e tyre kombe tjera para prej së paku 100 vitesh, sigurisht që figurat publike që do të prodhonim sot si komb do të ishin nga fusha prej më të ndryshmeve e jo vetëm nga perspektiva e heroizmit shqiptar. Por, ashtu siç e thashë më lartë, janë rrethanat ato që orientojnë gjenerimin e figurave të njohura publike jo vetëm të kombit shqiptar, por edhe të kombeve tjera.

Prandaj, figura e Adem Demaçit me të drejtë e meriton të quhet jo Mandela i Evropës, por Ademi i Evropës, sepse rrethanat në të cilat gjendej dhe gjendet kombi shqiptar ishin tjera me ato të Afrikës Jugore. Pikërisht pse kontributi i Adem Demaçit ishte rast unikat në Evropë, Parlamenti Evropian më 4 dhjetor 1991 i pati dhënë çmimin “Sakharov” për mendim të lirë, në cilësinë e kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë.

Prandaj, kombit shqiptar, si komb i vogël, ka ditur të respektojë dhe do të respektojë figurat e shquara publike, sepse si komb i vogël nuk ka potencial të prodhojë shpesh figura të shquara me nam botëror. Ndërkohl që SHBA, Japonia, Gjermani, Britania e Madhe, etj, janë gjendje që çdo ditë të prodhojnë nga një figurë publike me nam botëror. Diskursi jonë duhet të jetë në favor të figurave të pakëta publike komb-ndërtuese dhe komb-zhvilluese që mund të prodhojmë, e jo në favor të degjenerimit të tyre për interesa të ngushta, sepse veprime të tilla dekadente zbehin vlerat tona si komb dhe për më tepër na çorientojnë.

Avansimi i pozitës së shqiptarëve në rajonin tonë të dalur nga kllapia, edhe pse të ndarë në disa shtete, ka filluar të rrisë kapacitetet gjeneruese të prodhimit të figurave të shquara publike me nam botëror. Zhvillime të tilla sigurisht që do të rrisin aftësinë konkurruese të kombit shqiptar përballë kombeve tjera dhe kjo sigurisht që do të ketë efekte pozitive jo vetëm brenda kombit shqiptar, por edhe përtej.

Shqiptarët, me aq sa kanë pasur potencial e mundësi dhe për aq sa kanë lejuar rrethanat, kanë kontribuar për të mirën e rajonit, Evropës dhe njerëzimit në përgjithësi. Për fatin tonë të mirë ende vazhdojnë të jemi gjeneroz dhe kjo na bën të barabartë mes të barabartëve. Adem Demaçi është shembulli më tipik dhe vlera më sublime shqiptare për të mirën e së ardhmes së kombit shqiptar në veçanti dhe Evropës në përgjithësi. Ai komb që vlerëson vetëveten di të vlerësojë edhe tjetrin, e duke vlerësuar vetëveten dhe tjetrin kontribuohet në zhvillimin dhe avansimin e parimeve universale për të drejtat e njerëzimit në përgjithësi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme