Komuna e Malishevës i jep tender kompanisë së nënkryetarit

Komuna e Malishevës e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “Ardhmëria”, pronë e Nënkryetarit të Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Nënkryetari Mazreku ka thënë se ende jeton bashkë me vëllezërit dhe se kompania “Ardhmëria” është në pronësi të përbashkët familjare.

Ai në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit thotë se është aksionar i kompanisë “Ardhmëria”. Ka deklaruar se nga kompania N.T.P “Ardhmëria” posedon kapital të përbashkët familjar nga viti 1990 deri në vitin 2016 në vlerë prej 320 mijë euro. Gjithashtu, numri dy i komunës ka deklaruar se nga kompania “Ardhmëria” realizon paga vjetore të fëmijëve prej 12 mijë e 600 euro.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve pronar i kësaj kompanie figuron vetëm Refki Mazreku, që është vëllai i nënkryetarit të Komunës.

Kompania “Ardhmëria” do ta furnizojë me goma Komunën e Malishevës për një shumë prej 2 mijë e 574 mijë euro.

Nënkryetari i komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, e ka pranuar kompania e tij është shpallur fitues i një tenderi të Komunës, të cilin e ka quajtur me vlerë simbolike.

“Tenderi është i vogël me një shumë simbolike”, tha Mazrekut kur është kontaktuar nga KALLXO.com për dhënien e tenderit kompanisë së tij.

KALLXO.com ka filluar ta hulumtojë këtë tender pasi ka pranuar një informacion nga një qytetar i Malishevës për favorizimin e kompanive të pushtetarëve nga Komuna e Malishevës.

Me datën 17 nëntor 2016 në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) është publikuar njoftimi për dhënie të kontratës për “Furnizim me goma për automjete zyrtare”. Për këtë kontratë është përdorë “kuotimi i çmimit” me njoftim të publikuar për kontratë në të cilin kanë ofertuar dy kompani. Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratë, të publikuar në KRPP kompania e nënkryetarit ka ofertuar me çmimin më të lirë prej 2 mijë e 574 eurove.

Nënkryetari Mazreku ka thënë se zyra e prokurimit në kuadër të komunës merret me procedurat e prokurimit.

“Realisht nuk merrem me këto çështje, por merret zyra e prokurimit”, tha Mazreku.

Ai thotë se kompania e tij është e barabartë me kompanitë e tjera dhe njëjtë ka të drejtë të fitojë tender.

“Nuk mund ta quaj konflikt interesi, sepse ligjërisht të gjitha kompanitë janë të barabarta për të marrë tender, edhe nëse jemi ne aty në komunë”, tha Mazreku.

Ligji i prokurimit Nr. 04/L-042 e përcakton qartë çka është konflikti i interesit ku neni 4 pika 1.75 thotë se çdo situatë ku anëtarët e personelit të autoritetit kontraktues ose të një ofruesi të shërbimeve të prokurimit që vepron në emër të autoritetit kontraktues që janë të përfshirë në kryerjen e procedurës së prokurimit ose të cilët mund të ndikojnë në rezultatin e asaj procedure kanë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, një interes personal financiar, ekonomik apo ndonjë interes tjetër që mund të perceptohet për kompromis të paanshmërisë dhe pavarësisë së tyre në kontekstin e procedurës së prokurimit.

E kryetari i komunës së Malishevës Ragip Begaj theksoi se nuk është në dijeni për tenderin, sikurse nuk është në dijeni se nëse një gjë e tillë paraqet konflikt interesi

“Për besë nuk e di kush e ka fituar këtë tender, sepse nuk përzihem te Zyra e Prokurimit edhe pse jam përgjegjës për krejt komunën. Tashmë krejt tenderat edhe ato mbi 1 mijë euro janë të hapur kështu që besoj që ai që i plotëson kushtet e fiton kontratën. Nuk e di që nënkryetari Mazreku ka kompani edhe a paraqet konflikt interesi, po do të interesohem për këtë çështje dhe do t’ju informoj” tha Begaj për KALLXO.com.

Nuk është hera e parë që zyrtarët shpërblejnë familjarët e tyre me tender, Gazeta Jeta në Kosovë në vitin 2015 pati zbuluar se djemtë e Isa Mustafës fituan tenderin për servisimin e automjeteve nga Zyra e Kryeministrit në vlerë prej 2 mijë e 946 euro.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme