Komuna e Prishtinës akoma e mbanë në listën e uzurpatorëve, Daut Haradinajn

Komuna e Prishtinës po pretendon se deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj po e mban të uzurpuar një parcelë të tokës komunale në lagjen “Arbëria”, konkretisht në rrugën “Ismail Qemali”.

Rreth 100 prona të Komunës së Prishtinës llogariten si të uzurpuara vetëm në qendër të kryeqytetit. Mbi këto prona ka ndërtime të larta e të ulëta, rrethoja e parkingje pa lejen e Komunës. Këtë e thonë vetë dokumentet e Komunës së Prishtinës.

Ka kohë që Komuna e Prishtinës e ka hartuar Projektin për evidentimin e pronave komunale, i cili është financuar nga Zyra zvicerane në bashkëpunim me Organizatën Helvetas Swiss Intercooperation.

Në këtë dokument shkruan se Daut Haradinaj, i cili është deputet i AAK-së po e mbanë tokën komunale në hapësirë prej 550 metra katrorë, pa pasur asnjë marrëveshje me Komunën e Prishtinës, shkruan lajmi.net.

Nuk është caktuar viti se kur kjo tokë është “uzurpuar”, por evidentimi i pronave të paraqitura aty është thënë se është bërë në vitit 2014, kohë kjo kur Ahmeti ka qenë në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndërkaq, një parcelë e tillë me sipërfaqe të njëjtë nuk është paraqitur asnjëherë nga deputeti Haradinaj në deklarimin e pasurisë, të cilin e ka shpalosur në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në deklarimin e pasurisë të vitit 2011, Haradinaj ka deklaruar 10 ari tokë në emrin e tij, të blerë nga kursimet në vitin 2006 në vlerë prej 10 mijë euro. Të njëjtën tokë me sipërfaqe të njëjtë e ka deklaruar edhe në vitin 2012, 2013, 2014.

Të njëjtën pronë  ka deklaruar edhe në vitin 2015, por në këtë vit ka deklaruar se në vitin 2014 nëpërmjet kredisë ka blerë edhe truall në vlerë prej 200 mijë eurove, në një hapësirë prej 370 m2. Tokat e njëjta i ka deklaruar edhe në vitin 2016.

Ndërkaq, në vitin 2017 nuk e ka deklaruar asnjërën tokë, pasi ka shënuar se i ka shitur të dy këto palujtshmëri për blerjen e shtëpisë.

Po, sipas dokumentit të njëjtë të Komunës, edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e përdorë një parcelë tokë të Komunës së Prishtinës, por me kontratë, e cila është në hapësirë prej 800 metra katrorë në lagjen “Arbëria” në rrugën “Selim Berisha”.

Ndryshe në dokumentin e evidentimit të pronave të Komunës së Prishtinës janë të paraqitura një sërë pronash që shfrytëzohen pa pëlqimin e komunës.

Nga ky evidentim ka rezultuar se gjithë Prishtina ka sipërfaqe në pronësi të saj, tokë prej 2996 ha 49 ari 27 m2, dhe shfrytëzues të këtyre pronave janë evidentuar 6183 persona me ose pa leje. Dhe në këtë evidentim nuk kanë mundur të regjistrohen të gjitha pronat. 

Lini Një Koment