Konkurrentët e Fergusonit

E premte, 28 Tetor 2016  –  Sakte.net

Sir Alex Ferguson e ka të vështirë të parashikojë garën për titull në Premierligë. Por, ai favorizon një skuadër, Manchester Cityn. Ish-menaxheri i Manchester United përmend ekipet dhe trajnerët që mund ta rivalizojnë Pep Guardiolën

Sir Alex Ferguson beson se Manchester United mund ta fitojë Premierligën në këtë sezon. Por, ai ka pranuar se rivali lokal, Manchester City, është favorit për titull të kampionit. Nën drejtimin e menaxherit të ri, Jose Mourinho, “Red Devils” janë aktualisht në pozitën e shtatë në tabelë, gjashtë pikë më pak se ekipi i Pep Guardiolës, pas nëntë xhirosh.

Por, menaxheri legjendar nga “Old Trafford”, Ferguson, i cili fitoi titullin e fundit të Unitedit në sezonin e tij të lamtumirës më 2013, tha për “ESPN”-në: “Është më e vështirë të parashikohet se që ishte për shumë sezone. Mendoj se janë pesë konkurrentë të mundshëm, Manchester City si favorit. Por, mendoj se Manchester United është ende aty, nëse arrijnë të përmirësojnë vazhdimësinë së shpejti”, u shpreh ai, përcjell “Zëri.info”.

“Edhe kur jeni gjashtë, tetë pikë prapa, prapë ekziston mundësia që ta arrini një ose dy skuadra”, theksoi skocezi. Konkurrenca e këtij sezoni për triumf në Premierligë pritet të jetë më e barabarta në histori. Aktualisht, vetëm një pikë ndan pesë skuadrat e para.

Arsenal synon ta përmirësojë vazhdimësinë, Chelsea është duke gjetur ritmin e duhur me Antonio Conten, Liverpool ka bërë hapa të mëdhenj përpara me Jurgen Kloppin, kurse Tottenham i Mauricio Pochettinos vazhdon të jetë i pamposhtur. Everton po ashtu duket skuadër dukshëm më e fortë me Ronald Koemanin, ndërsa kampioni Leicester City ende nuk ka gjetur formën më të mirë.

“Rivaliteti dhe përvoja e Guardiolës dhe Mourinhos e bën garën edhe më interesante. Dhe, ju nuk duhet ta harroni Arsenalin. Ekipi është më i qëndrueshëm. Ata janë përmirësuar dhe janë më agresivë. Jam i impresionuar nga i riu, Alex Iwobi”, theksoi Ferguson.

“Aftësitë e Guardiolës janë përtej çdo debati, Conte është duke e kthyer Chelsean në rrugën e duhur, por Mourinho po ashtu mund ta rivalizojë Guardiolën. Ai ka fituar Ligën e Kampionëve me dy skuadra të ndryshme dhe tituj në tri shtete të ndryshme. Por, edhe Mauricio Pochettino ka potencial fantastik. Tottenham ka një kombinim të mirë të rinisë dhe të përvojës”, u shpreh “Fergie”.

Shembulli i Leicesterit

Leicester City befasoi botën e futbollit duke fituar Premierligën në edicionin e kaluar. Ekipi i Claudio Ranierit përfundoi 10 pikë mbi Arsenalin, që doli i dyti. Mirëpo, “Foxes” kanë vuajtur deri më tani gjatë këtij stinori dhe janë në pozitën e 12-të, nëntë pikë larg kreut.

“Politika e tyre e përforcimeve ishte fantastike. Ata transferuan futbollistë me uri për sukses dhe dëshirë për fitore, jo futbollistë të paguar shtrenjtë”, tha Ferguson.

“Ata janë shembull i mirë për klubet tjera edhe në Championship, skuadra si Barnsley dhe Huddersfield, që e kanë nisur nga zeroja. Është e mundshme”, theksoi ai. “Do të jetë e vështirë për Leicester në ligë, por në Ligën e Kampionëve, pas tri fitoreve në tri ndeshje, mendoj se ata kanë mundësi të shkojmë më larg dhe pse jo ta fitojnë trofeun”, përfundoi Ferguson.