Kontestohet doktoratura e Edita Tahirit

Që nga viti 2010, Edita Tahiri mban titullin doktor shkence, të cilin e kishte marrë në Universitetin e Prishtinës. Madje, Tahiri pasi kishte mbrojtur tëmën në gjuhën angleze, atë e kishte botuar në web faqen e Universitetit të Prishtinës, ashtu siç parashihet me Rregulloren për Studimet e Doktoratës.

Por, është një student tjetër i doktoratës që po hedh dyshime në cilësinë e doktoraturës së Tahirit.

Durim Berisha, i cili studion në Universiteti Heinrich Heine në Gjermani, i ka shkruar një letër Universitetit të Prishtinës për këtë çështje, ku kërkon që doktoratura e Edita Tahirit të rivlerësohet ngase nuk plotëson kriteret minimale shkencore.

“Nga një lexim i parë, mund të vërehet se punimi ngreh dyshime për cilësinë e tij, bazuar në faktin se në 277 faqe sa ka ai punim janë vetëm 12 fusnota. Kjo nënkupton se punimi ngreh dyshime rreth asaj që quhet standardi minimal i një publikimi shkencor”, thotë Berisha.

Por, kjo nuk është se e ka shqetësuar Edita Tahirin, dikur zv.kryeministre e Kosovës.

Ajo në një përgjigje me shkrim për T7, thotë të mos ketë informacione në lidhje me kontestimin që i bëhet punimit të saj të doktoraturës.

“Për këtë çështje kompetent janë autoritetet përkatëse të Universitetit të Prishtinës. Në bazë të procedurave të miratuara nga Universiteti i Prishtinës, kam bërë mbrojtjen e doktoraturës në praninë Komisionit për Mbrojtje. Mbrojtja ka qenë publike”, thotë Tahiri.

Por, Universiteti i Prishtinës nuk kanë injoruar shqetësimin e studentit.

Faton Berisha, prorektor për Kërkime Shkencore në Universitetin e Prishtinës, thotë se ata po e shqyrtojnë një kërkesë të tillë, anipse Statuti i Universitetit të Prishtinës nuk e parasheh mundësinë e rivlerësimit të doktoraturës.

“Procedurë për rivlerësim nuk ka, por procedura për revokim të titullit të doktorit të shkencës është koxha e elaburuar në Statutin e UP-së. Kushdo që pretendon se një punim i doktoratës nuk plotëson njërën nga kriteret e të mosqenurit kredibil, ai duhet ta ndjek hapat siç parashihen në Statutin e UP-së që të inicojë një rast të tillë”, thotë prorektori Berisha.

Durim Berisha nuk është i vetmi që ka dyshime në lidhje me doktoraturën e Edita Tahirit.

Edhe njëri ndër anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes, Arben Hajrullahu, thotë të ketë pasur disa vërejtje për punimin e doktoratës së Edita Tahirit.

Madje profesori i UP-së thotë se ai ka ngritur disa pyetje, të cilave nuk është si iu është përgjigjur Edita Tahiri.

“Ndërsa lidhur me dyshimet e ngritura sygjeroj të bëhet p.sh. recension nga njerzit profesionist të fushës, i cili recension mund/duhet të publikohet dhe të jetë i qasshëm për komunitetin akademik e me gjerë”, thotë Hajrullahu.

Rron Gjinovci nga organizata ORCA thotë se plagjiatura në Universitetin e Prishtinës është e përhapur dhe një gjë e tillë është lehtësisht e vërejtshme.

Madje ai thote se ka edhe raste kur një gjë e tillë është bërë haptas, kur profesorët e UP-së kanë kopjuar paragrafe të tëra.

Universiteti i Prishtinës ka një kohë të gjatë që po përballet me çështjen e plagjiaturave.

Kujtojmë se rektori Ibrahim Gashi kishte dhënë dorëheqje pas dy javë protestash kundër botimeve të tij të dyshimta në revista indiane.

 

Lini Një Koment