Korab Sejdiu, nga LDK kalon në gjirin e VV’së

Deputeti i dorëhequr nga AKR’ja, e që tani është i pavarur, u afrua me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe madje u shqyrtua edhe kalimi i tij zyrtar në këtë parti.

Mirëpo, ani pse ‘vallëzoi’ me parti të ndryshme në Kuvend, Korab Sejdiu nuk po e ndryshon mendimin ndaj presidenti Hashim Thaçi, shkruan gazetametro.net.

Për hatër të këtij kundërshtimi, Sejdiu ka nisur ‘flirtin’ dhe është hedhur në krahet e Lëvizjes Vetëvendosje, duke ia përkrahur protestën dhe duke bërë thirrje të protestohet.

Sejdiu ka ftuar qytetarët të bashkohen në protestën e VV’së, duke thënë se shteti është kapur nga disa, siç i quan ai, ‘kriminelë pushtetarë’.

“Të gjithë kemi përgjegjësi që të revoltohemi ndaj komplotit të planifikuar nga disa kriminelë pushtetarë për shkatërrimin e Republikës”, ka thënë ai.

Mirëpo Sejdiu është munduar ta paraqes se bashkëngjitja në protesta nuk është qëndrim i ri. Siç thotë ai, kishte qenë vetë ai që kishte bërë thirrje për protesta.

“Kohë më parë kam bërë thirrje publike për organizim të protestave paqësore si mjet për mbrojtjen e vendit nga shkatërrimi. Më 29 shtator 2018, në ora 14:00, PROTESTA e qytetarëve të Kosovës po ndodhë”, ka shtuar Sejdiu.

Sidoqoftë, Sejdiu ka kërkuar që protesta të jetë paqësore pasi, sipas tij, çdo dhunë do të shkonte në favor të pushtetarëve.

E protesta që po përkrahet nga të pakënaqurit e AKR’së, Sejdiu që u dorëhiq dhe Bahtiri që i ka prishur raportet, është bojkotuar nga pjesa më e madhe e opozitës. LDK dhe PSD që kanë numrin më të madh të deputetëve opozitarë nuk e kanë përkrahur protestën kundër Thaçit.

Ndryshe, VV’ja po vazhdon tubimet mobilizuese për protestën e 29 shtatorit, e cila lidhet në mënyrë të çuditshme me një shfaqje që jepet në teatër në po atë ditë, e që titullohet ‘Si ta vrasim presidentin’.

Lini Një Koment