Korrupsioni dhe “shefat” e Kosovës: Leksione nga Amerika Latine

Autore: Nita Shala

Seri telefonatash të publikuara nga portali Insajderi konfirmojnë kapjen e institucioneve të Kosovës nga qeveritarë të korruptuar, si dhe informojnë mbi pazaret me pronën publike, mënyrën se si janë ndarë pozicionet e ndryshme drejtuese, dhe lehtësinë dhe normalitetin me të cilin janë rregulluar dhe prishur tenderët për përfitime personale. Regjistrimet në fjalë tregojnë shumë mbi mënyrat se si një grusht njerëzish që kanë kapur pushtetin kanë vepruar duke influencuar në mënyrë të paligjshme vendimet në institucionet publike të pavarura, sikur të jetë gjëja më normale.

Edhe pse përmbajtja e telefonatave është shokuese, keqpërdorimet e pozitave zyrtare që këto regjistrime demaskojnë nuk vijnë si befasi. Korrupsioni i thellë ka çuar Kosovën në varfëri të skajshme dhe mungesë të mundësive për jetë të denjë për qytetarët e saj.

Në këtë situatë, ngrihet një pyetje e paevitueshme: në qoftë se tashmë kemi konfirmimin e këtyre pazareve korruptive, çfarë është e natyrshme të ndodhë në vijim dhe cila është strategjia për të adresuar dhe parandaluar këtë fenomen?

Një rrymë mendimi kriminologjie konfirmon që mekanizëm efikas për luftimin e korrupsionit është (i) turpërimi publik i keqbërësve, (ii) ndëshkimi i merituar i tyre dhe (iii) informimi i përgjithshëm për ekzistimin e rrezikut real për tu ndëshkuar në rast të përfshirjes në korrupsion. Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, deri tani rezultojnë të jenë të pakta rastet e procedimit gjyqësor të rasteve të korrupsionit, dhe për më shumë, edhe ato pak raste të ndjekura kanë të bëjnë me korrupsionin e vogël. Si rrjedhojë, aferat e korrupsionit të madh i shpëtojnë grepit të drejtësisë.

Duke marrë parasysh numrin e lartë të skandaleve korruptive, kontekstet e vendeve të Amerikës Latine përbëjnë bazë me vlerë për të analizuar jo vetëm fenomenin e korrupsionit, por veçanërisht përgjigjen ndaj korrupsionit të madh.

Në shumë afera korruptive përgjatë 10 viteve të fundit, janë bërë ndjekje penale jo të plota dhe zyrtarët në fjalë ia kanë hedhur pa marrë dënimin e merituar. Presidenti aktual meksikan, Enrique Peña Nieto, u zbulua që banonte në shtëpi të ndërtuar dhe në pronësi të një kompanie ndërtimi që kishte përfituar mbi 80 kontrata të mëdha me Qeverinë. Me zbulimin e konfliktit të interesit, çështja nuk kaloi fazën paraprake të shqyrtimit gjyqësor dhe u mbyll, pasi presidenti dhe familja ndërruan vendbanim dhe hoqën dorë nga prona në fjalë.

Procedurë penale nuk është ngritur as kundër presidentes aktuale të Kilit, Michelle Bachelet, pas zbulimit të aferës disa milionëshe që implikonte të birin e saj. I fundit kishte përfituar në mënyrë të paligjshme një kredi bankare prej 10 milionë dollarësh amerikanë, një ditë pas ri-emërimit të mamasë së tij. Bashkëshortja e tij kishte përdorur këtë shumë për të blerë pasuri të paluajtshme dhe shitur me vlera përfitimi shumë të larta. Duke përdorur kartën e mohimit të plotë, pas bërjes publike të skandalit Presidentja aktuale Bachelet normalisht, nuk dha dorëheqje dhe e konsideroi të nevojshme të informonte mirë qytetarët e saj që nuk është traditë e njerëzve nga Kili të përfshihen në skema korrupsioni. Në dy këto raste, zyrtarët e implikuar në skema korrupsioni, për shkak të ndjekjes penale të limituar, kanë vazhduar me karrierën politike, pa ndonjë pasojë.

Situata figuron pak më ndryshe në Guatemala, ku falë një investigimi ndërkombëtar, u zbulua afera disa milionëshe që implikonte direkt ish-presidentin Otto Perez Molina. I vënë në presion ndërkombëtar, i fundit u detyra të paraqiste dorëheqjen pas ngritjes së aktakuzës.

Në Peru, ish-presidenti Alberto Fujimori, është aktualisht duke vuajtur një dënim me burgim prej 25 vitesh për aferat e paimagjinueshme korruptive, që mendohet t’i kenë shkaktuar dëme financiare Perusë në vlerë prej katër miliardë dollarë amerikanë. Presidenti paraprak Alan Garcia është hetuar dhe gjykuar për faljen kolektive që u bëri 400 trafikantëve të drogës, sipas administratës së tij. “me qëllim për të zbrazur burgjet e tej mbushura”!

Nga vendet e Amerikës Latine, lidhur me procedimet penale të rasteve të korrupsionit të madh këto gjashtë vitet e fundit, dallohet Brazili. Disa nga aferat korruptive të viteve të fundit në Brazil duken të jenë hetuar dhe proceduar seriozisht në instancat e gjyqësorit dhe që personat përgjegjës jo vetëm janë larguar nga pozicionet drejtuese, por kanë marrë dënim të arsyeshëm.

Në Brazil, nikoqirin e Olimpiadës së sivjetme, rezulton që përgjatë gjashtë viteve të fundit të jenë arrestuar mbi 160 zyrtarë të lartë dhe dënuar mbi 100 prej tyre për përfshije në korrupsion të madh. Zyrtarë të lartë janë detyruar të largohen nga pozicionet drejtuese e edhe të vuajnë dënimet e shqiptuara.

Një skandal shumë i madh që duket që konfirmon synimin serioz të Prokurorisë për luftë kundër korrupsionit është ai lidhur me skemën Lavo Jato. Anëtarë të Ekzekutivit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke lidhur kontrata në emër të kompanisë publike të naftës Petrobras, për periudhë 10 vjeçare (2004-2014) duke përfituar miliarda dollarë amerikanë dhe kaluar këto shuma në llogaritë personale të tyre apo në fondet e partive të tyre politike. Aktualisht janë në proces gjyqësor ku prokuroria kërkon burgim afatgjatë për disa zyrtarë, ndër ta 13 senatorë, 22 deputetë federalë dhe dy guvernatorë, përfshirë dhe deputetin Eduardo Cunha, që drejtonte “impeachment”-in (proces në të cilin një zyrtar akuzohet për veprimtare joligjore, ndërsa rezultati, që varet nga shteti, përfshin largimin nga zyra e edhe dënimin civil dhe kriminal – v.j.) kundër presidentes Rousseof. Presidentja Dilma Rousseof është larguar nga zyra në maj të këtij viti dhe është në proces “impeachment”-i para Senatit brazilian.

Çfarë e veçon Brazilin nga shtetet fqinjë është forca dhe serioziteti me të cilin institucionet shtetërore – Prokuroria dhe Gjyqësori Federal – kanë reaguar ndaj korrupsionit të madh që implikon zyrtarët e lartë të shtetit.

Në mënyrë ironike, skandalet janë shenjë pozitive, sepse tregojnë që ekziston përpjekje për të garantuar llogaridhënie dhe ndëshkim. Por, një administrim publik i ndershëm bëhet realitet vetëm kur krijohet kulturë aversioni ndaj korrupsionit të madh dhe ekziston vullnet real i gjyqësorit për të luftuar korrupsionin.

Në Kosovë, deri tani rastet e ndjekjeve penale të aferave korruptive të zyrtarëve të lartë janë ndjekur, në mënyrë të pjesshme, nga Prokuroria e Misionit të EULEX-it. Ndërkohë, Prokuroria e Kosovës është marrë kryesisht me raste të korrupsionit të vogël. Duke i njohur rëndësinë e merituar nevojës për të luftuar korrupsionin e vogël, është i domosdoshëm adresimi me intensitetin dhe seriozitetin e merituar i korrupsionit të madh, veçanërisht për dëmin financiar dhe social shumë-fish më të madh që shkakton. Problemi qëndron në nevojën për të hetuar “koka të mëdha”.

Eksperienca botërore në kriminologji konfirmon që ballafaqimi i zyrtarëve të lartë me turpërim publik, arrestim, subjektivizim si subjekt i ndjekur penalisht dhe dënim të merituar, thellon kulturën e ndëshkueshmërisë dhe frenon rastet e korrupsionit në të ardhmen.

Në rastin konkret, me të dëgjuar regjistrimet në fjalë, lehtësia me të cilën diskutohen intervenimet në institucione të pavarura të bën të mendosh që këta “shefa” të Kosovës meritojnë medaljen e artë në Olimpiadën e korrupsionit. Si rrjedhojë, ata gjithashtu meritojnë që çdo informacion i referuar të hetohet në detaj, për të kuptuar nëse është e merituar apo jo kjo medalje.