Kosova në Jugosllavi 1945-1990

Në përgjithësi, tekstet e Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë pohojnë se shqiptarët e kundërshtojnë pushtimin fashist në Kosovë, ndonëse në fillim e presin atë si çlirim e shpëtim nga robëria serbe dhe shtojnë se bashkimi i pjesës më të madhe të territorit të Kosovës me Shqipërinë, pavarësisht se u bë nga pushtuesit italianë, pati ndikim pozitiv ndër shqiptarë.

Në anën tjetër, tekstet e Malit të Zi nuk e paraqesin fare Kosovën nën pushtimin italian, gjerman e bullgar, kurse krejt çka thonë tekstet e Serbisë për këtë segment është se në kohën e pushtimit italian në Kosovë e Metohi shqiptarë të armatosur kryejnë terror ndaj serbëve, por nuk ka të dhëna për numrin e civilëve të vrarë gjatë kësaj periudhe.

Për këto krime të shqiptarëve, kryesisht ndaj fshatrave të banuara me serbë, për t’i larguar kolonët e për t’i kthyer pronat e konfiskuara gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, e që përmenden vetëm në tekstet e Serbisë, autorë të huaj thonë se shifrat e të dëbuarve serbë e malazezë nga Kosova në këtë periudhë luhaten nga 30 mijë në 100 mijë, kurse vrasjet, shkatërrimet e vjedhjet, ndonëse reciproke, kanë për viktimë kryesore serbët dhe malazeztë, shkruan Shkëlzen Gashi, në pjesën e tetë të serisë “Tekstet mësimore të historisë të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë”, botuar në Koha Ditore.

Për më shumë, tekstet e Kosovës jo vetëm që nuk i përmendin këto krime, por edhe pohojnë se shqiptarët, përkundër vuajtjeve nën sundimin jugosllav, janë treguar të kujdesshëm ndaj minoritetit serb e malazias, madje në shumë raste edhe duke i marrë këta nën mbrojtje.