Kosova në mesin e dhjetë përfaqësueseve më atraktive

Përfaqësuesja e Kosovës është përzgjedhur në mesin e dhjetë ekipeve më atraktive për ta shikuar gjatë ndeshjeve eliminatore për “Euro 2020” që luhen këtë muaj, ka raportuar të hënën sajti “Bleacher Report”.

Sipas kësaj faqeje, ka një arsye të fortë për ta shikuar Kosovën në ndeshjen kundër Malit të Zi, pasi ekipi i Bernard Challandesit është në rrugë të mbarë për ta shkruar historinë.

Dueli ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi zhvillohet më 14 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, prej orës 20:45 dhe i takon Grupit A eliminator, shkruan Koha Ditore.

“Vetëm një kundërshtar i kalibrit të Anglisë arriti t’i japë fund serisë prej 15 ndeshjeve pa humbje, pasi Kosova muajin e shkuar u mposht 5:3. Milot Rashica e Bersant Celina janë mesfushorët kreativë që e përkrahin sulmuesin Vedat Muriqi”, ka shkruar “Bleacher Report”. “Nëse në tri ndeshjet e ardhshme merr rezultate të mira, duke nisur nga Mali i Zi, atëherë Kosova është në rrugë të mbarë për ta siguruar kualifikimin për evropianin e vitit të ardhshëm. Nëse do të arrihet një gjë e tillë, atëherë do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm”.

Krahas Kosovës që renditet e nënta në këtë listë, përfaqësuese atraktive janë përzgjedhur edhe Algjeria, Venezuela, Senegali, Brazili, Anglia, Meksika, Italia, Gjermania dhe Holanda.

Lini Një Koment