Kosova s’shkon me flamur të bardhë në Botëror

Kosova nuk do të shkojë e dorëzuar në Kampionatin Botëror të hendbollit për grupmoshën U21.

Kështu kanë thënë nga Federata e Hendbollit të Kosovës dhe hendbollistët e kombëtares.

Sipas tyre, edhe pse është hera e parë që Kosova arrin këtë sukses, synim është edhe të fitohen pikë.

Izet Gjinovci, Sekretar i Përgjithshëm i FHK-së, ka thënë në Sportin Total në KTV se “Dardanët” shpresojnë të shfrytëzojnë ndeshjet me ekipet në nivelin e barabartë me Kosovën.

“Kosova s’shkon me flamur të bardhë. Do t’i ketë gjashtë ekipe në grup. Mund të ketë edhe befasi. Nëse kemi fat të ndeshemi me skuadër si ne, mund të ecim tutje. I frikësohemi vetëm top-vendeve të Evropës”, ka thënë ai.

Hendbollisti Drenit Tahirukaj ka thënë se pret ndeshje të mira të Kosovës.

“Do të kemi ndeshje të mira, të fitojmë disa lojë e të shpresojmë të mos kemi ekipe aq të mira në grup”, ka deklaruar ai.

Për dallim nga Tahirukaj që nuk e preferonte Gjermaninë në grup, Albin Xhafolli ka thënë se do të donte të përballej me ish-bashkëlojtarët, pasi kishte luajtur për një kohë për përfaqësuesen e Gjermanisë.

Botërori i hendbollit për të rinjtë zhvillohet në korrik në Spanjë.

Lini Një Koment